I pyetur nga Jean Louis Perrier se përse zgjodhi veprën e Viktor Hygoit, “Lukrecia Borxhia”, për ta vënë në skenën e Teatrit Kombëtar Shqiptar, regjisori francez Eric Vigner ishte i prerë. “Aktorja Luiza Xhuvani!”.
Bashkëpunimi mes të dyve ka nisur 10 vite më parë. Kur i njëjti regjisor vuri në skenën shqiptare “Berberin e Seviljes”, Xhuvani interpretonte Rozinën.
FILMI I PARË “APASIONATA” DHE “MËSUESI I LETËRSISË”
“Filmi i parë ka qenë kur isha ende studente. Nuk e konsideroj sepse nuk është një personazh që unë të shpërfaqja aftësitë e mia, ishte më tepër një kuriozitet. Jam vlerësuar shumë nga pedagogët e mi, i kam ndjekur leksionet e profesor Pirro Milkanit vazhdimisht, nuk humbisja asgjë”.
“Në një mënyrë kam qenë e përkëdhelur nga pedagogët, më jepeshin rolet më të bukura, por edhe më të vështira. Pata edhe një fat tjetër, pedagogu dhe regjisori Gëzim Kame me angazhoi në trupën e pedagogëve me veprën “Mësuesi i letërsisë”. Ishte një ngjarje në jetën time artistike. Dua të theksoj që i jam mirënjohëse pafund regjisorit Vladimir Prifti që hapi karrierën time në kinema”, deklaroi Luiza Xhuvani, kohë më parë.
SAKRIFICAT PËR TË QENË PJESË E “DHE VJEN NJË DITË”
“Ishte një fat i madh për mua që mora pjesë në këtë film. Edhe pse një personazh i vogël, ishte i ndërtuar shumë mirë dhe më jepte mundësinë të shpërfaqesha. Ishte fat, por edhe këmbëngulja ime. Kërkova leje nga shkolla për të qenë në xhirime. Ishte e pamundur që të më lejonin, prandaj kërkova raport. E njihja Gjergjin, ishim të lidhur atëherë dhe falë tij e miqve të tij siguruam një raport dyjavor”.
“Kemi xhiruar në kushte shumë të vështira, në Dardhë të Korçës. Isha nën kujdesin e veçantë të aktores Liza Laska. Edhe Birçe Hasko me Robert Ndrenikën më mbështetën shumë, sigurisht që e dinin mënyrën si kisha shkuar aty”.
“Ladi e njeh mjeshtërinë e aktorit, do të ishte regjisor shumë i mirë edhe në teatër. Rrugën drejt kinemasë e kisha pothuajse të mbyllur. Të devotshmit nga Saranda nuk harronin të kujtonin atje ku duhej për biografinë time. I mbarova studimet me nota maksimale, por nuk më mbajtën në Teatrin Popullor, përfundova në Sarandë. Punoja paralel edhe me film, edhe me Estradën e qytetit”, shtoi ajo./aktoretshqiptare.com
——————
Lexo edhe:
RRËFIMI I AKTORES LUIZA XHUVANI: SI E RREZIKUAM JETËN NË FILMIN “FLUTURA NË KABINËN TIME”