Gjatë diktaturës ushtarake, shumë argjentinas i qenë nënshtruar gjyqeve dhe ndëshkimeve për bëmat e tyre antiqeveritare. Silvina Parodi, një studente, e akuzuar si protestuese, ishte një nga të burgosurat që u zhdukën përgjithmonë.
Sesilia, shoqja e saj më e ngushtë, vite më vonë, në vitin 2008, dëshmoi për të, para trupit gjykues. Ajo tregoi për torturat që kishte vuajtur në qeli dhe tha se kishte qenë ajo që ua kishte dhënë xhelatëve emrin e Silvinës, pasi nuk kishte mundur të duronte më torturat që i bënin gjatë ditës dhe gjatë natës.
– Isha unë. Unë i çova xhelatët te shtëpia e Silvinës. E pashë si e nxorën jashtë duke e tërhequr zvarrë, duke e goditur me qytat e pushkëve dhe me shkelma. Edhe tani i dëgjoj britmat e saj.
Kur Sesilia po dilte nga godina e gjyqit, dikush iu afrua dhe, me zë të ulët, e pyeti:
– Zonjë, pasi bëtë këtë gjë, si keni vazhduar të jetoni e qetë?
Dhe Sesilia, me një zë edhe më të ulët, iu përgjigj:- Zotëri, kush ju tha juve se unë vazhdoj të jetoj?
E solli në shqip: Bajram Karabolli
ObserverKult