Regjisori Spartak Papadhimitri rrëfeu të plotë, për herë të parë, ngjarjen që shënoi simbolikisht rënien e diktaturës, duke na sjellë foto të rralla të 20 shkurt 1991; Historike filmimi në 5 sekonda të rënies së shtatores së Enver Hoxhës; fotot e rralla të grevës së studentëve si dhe e minatorëve të Valiasit; skena e panjohur e djegjes së librave të diktatorit nga librari Flora. Papadhimitri ka treguar se tani ne kemi një histori të qartë të politikës shqiptare me kulminacionin e shembjes së shtatores të diktatorit, e depozituar në Arkivin e Filmit
Bisedoi: Violeta Murati
Për herë të parë kemi të plotë xhirimin e ngjarjeve që shënuan rënien e diktaturës. Me simbolikën e rënies së bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991.
Regjisori Spartak Papadhimitri në ditën e 20 shkurtit ka njoftuar mbi këto filmime duke plotësuar xhirimet e grevës së studentëve bashkë me rrëzimin e shtatores së Enverit.
Papadhimitri ka treguar kohë më parë se tani ne kemi një histori të qartë të politikës shqiptare me kulminacionin e shembjes së shtatores të diktatorit.
“Fatmirësisht pas xhirimit të përleshjes të turmes që vinte nga qyteti studenti me policinë pranë Televizionit Shqiptar më kishin ngelur dhe 5 sekonda film që u xhirua rrëzimi i bustit dhe ndodhet në Arkivin e filmit të Shtetit. Është xhiruar me negativ color orëo dhe kamera arriflex 2c. Fatmirësisht ky xhirim shpëtoi që të mos dëmtohesh ndërsa të tjerat…”
Ndërsa personazhë të tjerë të njohur kanë plotësuar këtë panoramë përshkruese duke kujtuar së afërmi, mbi këtë “aventurë” të Papadhimitrit për të pasur xhirimet e kësaj ngjarjeje historike.
Një prej tyre, Agim Pipa shkruan për Papadhimitrin duke kujtuar ngjarjet e asaj dite se “…atje, në zbritje të qytetit Studenti. Ndërsa turmat e zemëruara po vinin drejt Liceut, ti (Spartaku), me kameran në krah kishe zënë vend në një cep të murit ngjitur me Radio Tiranën dhe po xhironte.
Pikërisht në atë kohë, pasi kishte mbërritur edhe një zjarrfikëse, që lëshoi ujë të nxehtë mbi protestuesit. Nja dy-tre gorrilla të policisë t’u lëshuan me grushte dhe shkelma, duke dashur ndoshta edhe të të vrisnin, ndërsa ti po xhiroje, miku im.
Dhe, kujtoj, që ti u përkule, e fute kameran mes dy këmbëve për ta mbrojtur nga vandalet me uniforma policie. Dhe durove për disa minuta shkelmat dhe grushtet e gorillave.
Një valë e madhe njerëzish erdhën në rrugen nga Liceu drejt Radios dhe ata të lëshuan për një moment. Dhe ti, i gjakosur, lëvize ngadalë, drejt një porte druri te një vilë, që tash nuk është më.
Aty, me sa mësova më vonë, të strehoi për disa minuta qytetarja Meri Cangonji, nëna e artistes së madhe Lida Cangonji. Të dhanë ndihmën e parë, të lanë gjakun në fytyrë dhe të dhanë kurajon të niseshe sërish drejt bulevardit. Bashkë me protestuesit, popullin trim të Tiranes dhe të gjithë ata, që e deshën Shqipërinë, si gjithë Europa.
Të tjerat, si vijoi me tej hedhja e shtatores, ti i ke të fiksuara përjetësisht në filmin e asaj dite të paharruar, – që dëshmon një artist me ndërgjegje të kulluar, artist si pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare”.
Një tjetër personazh, regjisori Edmond Topi ka kujtuar se në atë kohë kur po ndodhte ky moment historik, ka qenë duke u xhiruar filmi dokument “Na ishte një herë…frika”. Topi kujton se kishin ditë që po xhironin, dhe se atë “ditë” nuk ishin rastësisht në “shesh”, duke zbritur nga godina e 15 e qytetit Studenti pas takimit me Arben Imamin, Azem Hajdarin dhe Aleksandër Meksin.
“Dhe materiali është i montuar në Film!!! Ndryshe nga çdo reportazh ku përdoret një Plan me transfokator i një kameramani në TVSH që u ndodh aty për një aktivitet të Bashkimeve profesional. Në atë dokumentar është montuar ky Plan..”, e mbyll Topi këtë kujtesë, kur thotë se ekziston dhe një foto në arkivin e tij, ku është fiksuar Papadhimitri duke xhiruar…
Ndërsa për herë të parë Papadhimitri thotë se vendosi ta rrëfejë këtë ngjarje për të thënë të vërtetën e tij, çfarë pa dhe dokumentoi me aparatin e tij filmik, të sapo blerë në Francë, e rrallë për kohën.
Spartak ju keni publikuar për herë të parë të plotë, foto dhe filmime nga sekondat e fundit të rënies së bustit? Si ka qenë kjo histori, si u gjendët aty?
Kjo është nga momentet më kyçe të jetës sime, ashtu si edhe për të gjithë shqiptarët, është një moment historik, që shënoi rënien e diktaturës. Ku pata fatin të jem një personazh i gjallë në këtë memorie. Rastisi momenti kur u ktheva më ’90-të nga një specializim që kryeva në Francë. Ishte muaji dhjetor.
Pata një specializim 4 muajor për kinematografinë. Duke parë ngjarjet që po ndodhnin, sapo erdha, nisa të hyja në lëvizjet që kishin filluar në Tiranë.
Duhet thënë në parantezë, se në atë kohë ishte mjaft e vështirë të nxirrje një aparat apo kamera nga Kinostudio. Bëhej fjalë për vitin 1990 kur ishte ende në fuqi sistemi.
Regjimi komunist dhe ende çdo gjë funksiononte me leje nga lart. Për ta siguruar këtë, pra për të tërhequr një kamera nga Kinostudio duhej të kisha bërë një film, reportazh apo dokumentar, dhe më pas duhej firmosej në çdo dokument. Siç ka qenë hierarkia në atë kohë, nga drejtori deri tek roja në derë për të nxjerrë mjetet për filmime.
Imagjinoni që bashkë me mua ishte edhe një ekip i tërë, me regjisor, kameramanë…elektricistë që bëheshim tre ose katër vetë. Në këto kushte, për fat m’u dha rasti të punoja në sektorin e filmit artistik. Ku ekzistonte dhe ai kronikal e dokumentar, ku unë u përfshiva në dokumentar e reportazh.
Kështu, në këtë paraqitje do të punoja me regjisorin Edmond Topi, i cili do të realizonte një film dokumentar me titullin “Na ishte një herë”. Që bashkë me Leonard Qendron dhe Rakip Zenelin do të xhironin nëpër Tiranë, bashkë me ngjarjet që po ndodhnin.
Me ne, do të bashkohej më vonë skenaristi Ardian Murraj, me të cilin, në këtë kohë kishim bërë dokumentarin “Tingujt e zjarrtë”. Që u kushtohej të rinjve që filluan të këndonin muzikë rock.
Për këtë arsye m’u dha mundësia që të bëhesha pjesa e asaj ngjarje të madhe për Shqipërinë duke iu bashkangjitur stafit të Edmond Topit në realizmin ‘Na ishte njëherë frika”. Por, të imagjinoni që çdo material filmik që merrej nga kinostudio ishte e kalkuluar. Filmi ishte me metra, dhe vetëm 1 sekond film kushtonte 100 euro.
Në këtë kohë Kinostudio ishte e rrënuar, po “fundosej”, ato filma me pak sekonda që morëm. Ishin disa mbetura që kishte dhënë këshilli artistik, pra ishin mbeturina filmi. Kështu na u sigurua kamera, që atëherë kisha edhe një fat, kur u ktheva nga Franca pata blerë atje edhe një aparat fotografik, që ishte gjë e rrallë për kohën. Këtë e mbaja për vete.
Pra, iu bashkuat regjisorit Edomond Topi në realizmin e dokumentarit “Na ishte njëherë…”, si ndodhi që iu bashkuat ngjarjeve?
Në janar nisi mitingu i heshtur. Ndërsa më 18 shkurt studentët hyjnë në grevë urie. Në këtë moment Edmondi kishte nisur xhirimet kudo nëpër Tiranë. Kur unë iu bashkova këtij ekipi ishte menduar për të bërë xhirimet edhe në qytet studenti.
Nga ky moment shkoja vazhdimisht në mitingjet që bëheshin në qytet student, prej janarit kur nisi mitingu i heshtur. Nga ky situatë rastësore, Edmondi bëri një ndryshim në titullin e dokumentarit. Duke e quajtur: “Na ishte njëherë Frika…” duke i shpërndarë operatorët kudo nëpër Tiranë.
Ishte një guxim i madh ta quaje kështu një film, jo se kishte ndonjë sugjerim, apo i thanë ta emërtonte kështu. Ndërsa xhirimet nisën të bëheshin me shumë pak metra filmi, siç e thashë më lart.
Ishte e vështirë të depërtoje në grevën e studentëve?
Është një histori interesante kjo pjesë, pasi duke xhiruar me qëllimin që kishim për dokumentarin ne arritëm të depërtojmë në grevën e studentëve. Nuk ishte e lehtë, sigurisht. Gjëja e parë që na bëri përshtypje sa mbërritëm aty studentët nuk na lanë t’ju bashkoheshim, të hynim brenda për të xhiruar.
Ata e kishin mbyllur hermetikisht këtë mjedis. Por, sa u treguam se ishim nga Kinostudio na lejuan mënjeherë. Pasi ngjarjet e asaj kohe kishin përfshirë edhe Kinostudion. Sapo hyra më kujtohet se gjesti i parë që na detyruan të bëjmë ishte puthja e flamurit. Kush hynte aty, të gjithë në radhë puthnin flamurin. Hyra pak brenda, filmova disa sekuenca, ishte fillimi.
Sa qëndruat brenda, dhe sa u xhirua nga greva?
Xhiruam shumë pak, pasi filmi ishte llogaritur për tjetër gjë. Mund të them se, për gjithë aktivitetin ishin gjithsej 3-4 minuta. Ose e shumta 7-8 minuta për gjithë aktivitetin tre ditor deri në rënien e bustit të diktatorit.
Çfarë kujtoni në ato minuta xhirime nga greva e studentëve, ç’po ndodhte aty?
Ndërsa ne xhironim, kujtoj se aty zotëronte një qetësi e madhe…heshtje. Ata kishin vetëm një qëllim të hiqnin nga Universiteti emrin e Enver Hoxhës. Dhe mbaj mend se hidhnin parrulla Enver-Hitler.
Ata ishin në grevë urie, në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk kishin ushqim. Më kujtohet se në çantë e aparatit merrja ndonjë biskotë me vete për t’jua dhënë, por ata nuk pranonin. Ata kontrollonin çdo gjë në mënyrë të tmerrshme. Madje, kujtoj, se në ditën e dytë të grevës dikujt i ra të fikët, e kam fotografuar këtë moment.
Çuditërisht më bënte shumë përshtypje se studentët në grevë lexonin, të gjithë lexonin. Kjo më emocionoi shumë. Mbaj mend se në ato ditë hynin e dilnin shumë vetë, personalitete, pedagogë…
Ditën e tretë lëvizja ishte më e madhe ku sa vinte e shtohej numri i njerëzve që hynin aty, për solidaritet. Një lëvizje e madhe po ndihej edhe gjithë Tiranën.
Por, dua të ndaj se rreth e rrotull kishte shumë forca policie. Por, studentët ishin të hermetizuar plotësisht. Më dukej vetja sikur isha edhe në në grevë bashkë me to, që bashkohesha me të drejtat e tyre.
Ata kërkonin Universitet të lirë, pa doktrina, të pavarur. Nuk ishin të ngatërruar deri në atë moment me politikën. Studentët e kishin vendosur nuk dilnin nga greva pa hequr emrin e Enverit. Kështu me këtë gjendje, lashë studentët, brenda dhe ika me turmën drejt sheshit.
Kur ikët në shesh, ju kishit një aparat dhe kameran e Kinostudios me vete, si arritët çanit turmën?
Pa e ditur se çfarë do të ndodhte duke parë trumën që iku dola nga studentët dhe ika pas tyre, që po i drejtoheshin sheshit. Fillimisht ishte ngjarja tek Liceu, që ju e dini, ishin forca të mëdha policie për të penguar njerëzit, turmën hodhën dhe gaz lotsjellës. Ishte një situatë mjaft e vështirë, luftë…
Unë arrita të çajë pak forcat e policisë dhe u largova për të rimarrë pak veten duke më strehuar familja Cagonji. Si mora pak veten dola përsëri, atëhere u nisa për në qendër. Mendja me punonte tek xhirimet, sekondat që kisha. Shumë pak film, ku as unë nuk dija se çfarë do të bëja.
Si arritët të ishit aq pranë shtatores së Enver Hoxhës, çfarë kujtoni nga ai moment kur ra, dhe 3 sekondat e fundit të filmit mbaruan? Ti xhirove momentin më historik: rënien e diktatorit.
Po, pasi rimora vetën, siç thashë më lart ika prap në qendër, dhe po mendoja për xhirimet, pasi kisha vetëm 3-4 sekonda, dhe duhej ekonomizuar. Duke shkuar bashkë me turmën drejt qendrës, njerëzit më thonin t’i xhiroja.
Ata dëgjonin shkrepjen e aparatit dhe më drejtoheshin mua. Ishte një moment shumë i sikletshëm, pasi nuk dija ç’të bëja në ato çaste, si të reagoja.. Të gjithë kërkonin të filmoheshin, dhe të kishin fotografi. Ndërsa në mendjen time ishin 3 sekondat e filmit, që për fat i kisha ruajtur, dhe sikur ta parandjeja se do të ndodhte diçka kisha ecur shumë pranë shtatores së Enverit. Kur nisa xhirimet e atyre tre sekondave të rënies së shtatores. Isha në momentin kur po lëkundej shtatorja.
Në atë çast kisha shumë dilema mbi sekondat e fundit që do të xhiroja, se kur ishte momenti i duhur për të nisur…apo të prisja pak sekonda, edhe pak sekonda ndërsa busti shtatorja nisi të lëkundej. Ishte një ankth sepse kisha vetëm 3 sekonda film. Kur vendosa ta shkrep busti ra, ajo është xhiruar diagonalisht. Dhe mbaroi filmi. Rënia ishte shumë e shpejtë, një sekondë. Kur e ke përballë e xhiron më mirë, por unë isha diagonalisht dhe ishte shumë e vështirë për të kapur momentin. Ishte një fat.
Tani ajo kasetë ndodhet në arkivin e shtetit, dhe nuk e di ç’bëhet me të. Por, pas kësaj ankthi vazhdoi, isha në merak, pasi ishte një problem tjetër me filmin. Pasi duke qenë sekondat e fundit, mbeturina filmi ishte mjaft e vështirë për t’u lartë, bishtat e filmit gjithmonë paraqisnin vështirësi të realizoheshin. Isha me gjak të ngrirë.
Nuk po interesohesha shumë për xhirimet tek studentët se sa për rënien e bustit. Kurse për materialet e tjera u tremba. Ca u dogjën, ca u zhdukën, ca i morën të sigurimit nuk e di çfarë u bë.
Pse ku dërgoheshin materialet e xhiruara, si arriti të shpëtojë filmimi?
Materialet që xhironim duhej të dorëzoheshin në laborator për t’u larë. Unë isha përgjegjës për filmin dhe duhej dorëzuar në Kinostudio. Kaseta e xhirimit të rënies së bustit mënjëherë iku drejt Kinostudios.
Kur e dorëzuam filmin patëm emocione të mëdha, duke porositur që të ruhej dhe të bëhej shumë kujdes kur të hynte në laborator për t’u larë, pasi përgatitej solucioni dhe nëse bëhej një gabim në film mund të digjej gjithë materiali.
Siç e thashë më lart duhej ta dërgoja direkt në Arkivin e Shtetit, falë atyre zonjave që punojnë atje, arritën të shpëtojnë këtë filmim 3 sekondësh. Sigurisht ato ishin në dijeni se çfarë xhiruam.
Rikthehemi pak nga kujtesa kur ishit në mes turmës dhe prisnit sekondat e rënies së shtatores, çfarë ka mbetur e paharruar për ty?
Jo, në fakt ishte e hera e parë që nuk kisha frikë. Isha në mes të turmës dhe isha i sigurtë se aty kishte edhe shumë forca policie. Kam disa foto që do t’i ekspozoj për t’i mbetur historisë.
E ndjeja veten të fuqishëm pasi qytetarët më shihnin në sy, më mbronin, dhe unë ecja dhe ata më rrinin 20 veta prapa meje, pasi përballë gjithë kohën kishim forcat e policisë. E ndjeja veten të fortë, pasi kisha edhe dy të tjerë nga kinostudio.
Ishte Edi, një ekelektricist me një trup shumë të fortë që më ka mbajtur stativin, kamerat që ishin shumë të rënda. Duke u ndihmuar në ato momente dhe nga një djalë tjetër, që quhej Genti.. Përveç kësaj nuk harroj qytetarët e Tiranës.
Si është situata e filmimeve mbi rënien e shtatores në atë ditë, thatë se Kinostudio ishte pothuaj e rrënuar?
Asnjë kamera e Arkivit nuk na u vu në dispozicion për këtë ngjarje, kjo ishte e gjitha nisma jonë personale, e gjithë grupit. Pork ka pasur një situatë të tillë në atë kohë; kudo në Tiranë patëm përkrahjen në punën tonë.
Kjo vinte, pasi ne, në Kinostudio ishim të parët që iu bashkuam lëvizjeve. Kujtohen mbledhjet që u bënë me Xhelil Gjonin në Kinostudio duke reaguar të parët për vrasjet në kufi, për ngjarjet e ambasadave ku bëmë një peticion të madh, vumë firmat. Lëvizja që po bëhej në Kinostudio ishte përhapur si jehonë, dhe kishin krijuar një respekt.
Duke pasur këtë frymë dolëm e xhiruam me inisiativë, dhe jo me qëllim autorësie. Në hymë në këtë situatë thjesht për të dokumentuar, filmuam aq sa mundëm, pasi Kinostudio siç ju thashë me lart, ishte rrënuar, po shkonte drejt fundit. Fatmirësisht ishin ca rezerva që ishin dhënë vetëm në rast lufte.
Po nga TVSH ka pasur një arkiv xhirimesh nga ajo kohë?
Po ka arkiv, por kamera nuk mund të merrte kushdo. Ato jepeshin me urdhër, dhe një foto do kalohej në laborator dhe kontrollohej. Besoj se ka, por s’jam shumë i sigurtë. Përshembul tek greva e studentëve pati reagime kur shikonin kameran e TVSH, pasi e dinin, ishte me PPSH. Ndryshe nga ne të kinostudios.
Përderisa janë xhirimet tuaja, si janë përdorur ato, me të drejtë autori?
Unë s’kam të drejtë të marr asnjë filmim. E vetrmja e drejtë e imja është t’i shoh se si janë xhiruar. Materiali do merret nese bëhet film për të.
Përsa i perket te drejtes se eautorit per xhirimet dua tee theksoj se per atee negativ filmi ose pelikul qee ne xhirojmee ngjarje te ndryshme peerfshihet ose misheerohet puna e te gjithee punonjesve tee Kinostudios qe nga automjetet, laboratoreet, montazhet, zeeri, prodhimi, teknika e shume te tjere qe behen 800 punonjes qe punuan per kete copeez film, pra e drejta e autorit eeshtee e keetyre punonjesve see bashku me mua.
Filmi është bruto Arkiv?
Filmi është bruto. Kush është i interesuar të shohë çfarë ka ndodhur më 20 shkurt 1990 mund të shkojë. Gjithë ajo punë ka qenë pak delikate jo vetëm për çfarë ju rrëfeva por atëherë çdo që organizohej veç e veç, figura vec dhe zëri vec. Por duhet pasur parasysh, se sot ato materiale shiten. Arkivi i shet me para, që shkon 100 dollarë minuta.
Keni edhe disa foto nga greva e minatorëve…si e kujton këtë ngjarje?
Po, ky është rasti i parë që flas për atë periudhë, dhe mendova të publikoj edhe fotot që kam nga greva e minatorëve, kur kanë hyrë në Valias.
Nuk do ta harroj kurrë atë pamje, se si minatorët ishin mbyllur si në kafaz kafshës; nuk harroj atë zhurmën e tmerrshme, ishim sërish një grup kur shkuam të shohim se në çkuishte kishin hyrë minatorët në grevë. Edhe kjo është një nga historitë më të forta, që kanë lënë gjurmë dhe më vjen mirë që janë të dokumentuara./(gazeta standard)
LEXO EDHE: RRËFIM TRONDITËS SE SI VDIQËN FËMIJË E PLEQ NË KAMPIN E TEPELENËS