Rrëfimi i Timo Fllokos për Moikom Zeqon: Vështirë se mund të krahasohej kush me të!

Njohuritë dhe kontributi i Moikom Zeqos në fusha të ndryshme kanë bërë që ai t’i kishte të forta lidhjet me personalitete të ndryshme, siç është edhe Timo Flloko.

Me trishtimin që lë pas ndarja nga jeta e një figure të papërsëritshme si ai, aktori tregoi kohë më parë vlerësimin e tij ndaj poliedrikut.

“Ishte një person i rrallë në dije, në shumë sfera të njohjes, si ato të mendimit intelektual, të shkencës historike e të arkeologjisë, të artit të pikturës, të letërsisë, të filozofisë, estetikës, politologjisë dhe gjithë kulturave njerëzore. Vështirë se mund të krahasohej kush me të!”, shprehet aktori.

Flloko tregon për miqësinë e tij dhe të piktorit Bashkim Ahmeti me eruditin dhe sjell copëza nga këto kujtime.

“Ishim tre shokë: Moikomi një erudit, një piktor dhe një aktor… Sa herë shëtisnim të tre nga Liqeni e flisnim për artin, historinë, traditat e kombit e shumëçka tjetër, humbnim në universin ku na shpinte ai dhe pa e kuptuar rënien e muzgut…”

Flloko rrëfen ndër të tjera se sapo mësoi që Moikomi u largua për në botën e përtejme, ai e ndau lajmin e trishtë me mikun e tyre të përbashkët, Bashkim Ahmetin, i cili gjendet në Nju Xhersi. “I shkrova se Moikomi na la… dhe më ra rëndë ikja e tij”, tregon Flloko.

Fill pas kësaj, piktori i nis disa portrete që i ka realizuar poliedrikut, të cilat risjellin përmes pikturës miqësinë e “Tre shokëve” e mbi të gjitha kujtojnë se Zeqo do të mbetet gjallë në kujtimet e atyre që e njohën nga afër, apo përmes veprës e fjalës së tij të lirë./Panorama


Lexo edhe:

RRËFIMI I DJALIT TË MOIKOM ZEQOS: DEBATI I FUNDIT ME TIM ATË, ARRESTIMI I TIJ NË MAL TË ZI DHE PENGU IM…