Artisti dhe këngëtari i njohur Sherif Merdani u nda, muaj më parë, nga jeta në moshën 81-vjeçare, si pasojë e një sëmundje të rëndë.
Por për aq sa jetoi, nuk e pati të lehtë.
Në një intervistë të dhënë një vit para vdekjes ai rrëfeu kalvarin e vuajtjeve të familjes së tij në regjimin komunist.
Ndër të tjera Merdani kujtonte si e dënuan babanë e tij me 15 vjet burg dhe i morën 4 kuintalë e gjysmë flori. Një episod shumë prekës është ai kur Merdani në moshën 10-vjeçare çonte në burg vëllanë e vogël vetëm 6 muajsh, që t’i jepte gji e ëma.
“Mua më quajnë Sherif Merdani, një ish-i burgosur politik. Si personazh jam produkt i dy njerëzve që përfaqësojnë dy kultura të ndryshme në Shqipëri. Babai ishte korçar dhe nëna shkodrane.
Këtë personazh (Enver Hoxhën) familjet Merdani nuk e pranonin të futej në shtëpi. Them se kjo u bë shkak që Qemal Merdanin, babën tim e dënuan 15 vjet.
Ndërkohë që ai bënte gjyqin, fare afër këtu është një fushë, luaja futboll me shokët e mi.
Isha 7-8 vjet, nuk e kuptoja fare se çfarë po ndodhte në jetën tone, familjen tonë. Babën e dënuan dhe i morën 4 kuintalë e gjysmë flori.
Ne na kishte lënë baba një lopë të madhe që e kishte marrë në Shkodër. E shitëm lopën dhe e paguam. Pas një muaji na erdhi përsëri taksa.
Atëherë morën edhe nënën në burg. Këtu kemi një dramë që nuk e besoj ta keni dëgjuar. Vëllai i vogël ishte 6-7 muajsh dhe unë Sherifi 10 vjeç, e merrja të mbështjellë e çoja në burgun e Korçës, i jepte gji nëna në mes të dimrit -10 gradë, dhe e ktheja përsëri në shtëpi”, tregon ai në këtë intervistë biografike të titruar anglisht.
ObserverKult
————————————-
Lexo edhe: