Balerini i njohur me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj ka rrëfyer në Top Story se si nisi karriera e tij si një kërcimtar. Ai tregon vështirësitë që ka pasur me prindërit e tij dhe kritikat që ka pasur për stilin e tij të kërcimit.
“Vajza që më dha revistën? Nuk ishte e dashura, ishte një vajzë e re që e lakmonin shumë djem të shkollës dhe unë isha i inflikuar nga fakti që ajo vallëzonte, kërcente dhe e pyeta: ‘Çfarë është vallëzimi?’. Ajo më dha hua një libër, e mora, e lexova dhe gjeta këtë fotografi të Rudolf Nureyev të varur në një kovë, me një fytyrë të ndriçuar, me një bukuri jo narcisike, por me një bukuri të brendshme që rrezatonte diçka si një diamant, që dilte nga brendësia.
I thashë vetes: ‘Ç’është ky art që mund ta bëjë një njeri kaq të bukur? Kaq rrezatues? Kaq të fortë?’. Kur ja ktheva librin shoqes time, e pyeta se ku kërcente dhe ajo më tha: ‘Eja një ditë. Profesorët e mi do të jenë shumë të kënaqur nëse ti vjen’. Në atë kohë unë bëja xhudo. Me pantallonat e mia të bardha të kimonos, me një bluzë të bardhë vajta në mësimin e parë të kërcimit dhe ishte si një zbulim i madh.
Mamaja? Në fakt ajo bëri një lloj hetimi, një lloj anketimi. Nëna ime është një njeri i thjeshtë, por nuk kishte kulturë, nuk dinte të lexonte, sepse nuk kishte shkuar në shkollë dhe ajo ishte e hapur ndaj kësaj çështjeje, për një burrë valltar, por donte të dinte: ‘Çfarë mendoni ju? Djali im do të bëhet balerin” dhe të gjitha koleget e uzinës i thanë: ‘Jo, është diçka e çuditshme. I bën burrat si gra’.
Pra kishte shumë klishe për vallëzimin, sikur vallëzimi të ishte për vajza e jo për djem. Ajo donte më të mirën për mua dhe kur dëgjoi që kjo gjë do më kthente në sensin e kundërt, ajo kundërshtoi. I gjithë vijimi ishte një betejë kundër familjes time që ishte kundër baletit, por edhe kundër gjithë lagjes ku unë banoja. Edhe djemtë e moshës time kishin të njëjtat klishe. Talleshin me mua sepse bëja balet. Kjo mund të më shkatërronte, por kjo më forcoi dhe më bindi se duhet të vazhdoja baletin.
Prindërve të mi iu desh një farë kohe për të ardhur në shfaqen time. Ishte në vitet ’87-’88. Isha 30 vjeç ndoshta në atë kohë.
Besoj se ata nuk e kuptonin mirë se çfarë bëja, por ishin të çuditur nga reagimi i publikut dhe fillonin të më shikonin nëpër gazeta, në televizor. Kur shkonin te doktori për t’u vizituar, ai i pyeste: ‘Preljocaj? Jeni të lidhur me koreografin?’. Kjo u ngriti kokën atyre dhe e kuptuan prej të tjerët. Të tjerët ishin si një pasqyrë për prindërit e mi. Por ata nuk ishin të aftë të masnin intensitetin, veçantinë e asaj që po ndodhte.
Ju flisni për mua si kërcimtar, por në krijimin e këtij burri nuk vlerësohet si diçka e jashtëzakonshme. Madje shpesh denoncohet në baletin tim, dasma p.sh. është një lloj akuze, duke thënë: ‘Çfarë i bëni grave?’. Nuk është një odë për mashkullaritetin, por është një vështrim për botën, për shoqërinë, një vështrim për traditat dhe përpiqem të kuptoj çfarë ndodh realisht. Ajo që bëjnë burrat ndonjëherë është zhgënjyese dhe baleti duhet të jetë i aftë që ta përmendë këtë”, thotë Preljocaj.
ObserverKult
Lexo edhe:
NJË SERIAL SHQIPTAR NË NETFLIX/ “PROKURORI” , THYEN BARRIERAT