Rrënohet kisha 1500-vjeçare në Kurbin, këtu kishte kryer shërbesat fetare dhe Gjergj Kastrioti me bashkëshorten

Monumentet e rëndësishme kulturore janë lënë në harresë. Në Fshatin Shën Mëri të Kurbinit kisha që mendohet të jetë 1500 vjeçare është rrënuar pothuajse e gjitha. Banorët e fshatit që janë të gjithë muslimanë thonë se janë munduar që ta mirëmbajnë kishën.

Kjo është gjendja e kishës “Bazilika e Shën Merisë” në Kurbin, ku kryenin shërbesat fetare Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti sëbashku me bashkëshorten e tij Donikën.

Ky objekt kulti 1500-vjeçar monument kulture, me vlera të të çmuara historike ka degraduar.

Një pjesë e mureve kanë rënë si dhe janë dëmtuar plotësisht afresket e kishës. Krejt kjo, pasi që ka munguar vëmendja e institucioneve që duhet të ishin kujdesur për të.

Fshati Shën Meri në Kurbin është një zonë me banorë që i përkasin besimit Islam, por kjo nuk i ka penguar ata që të kryejnë ritet e tyre fetare aty. Përveç kësaj banorët në këtë fshat prej kohësh kujdesen për kishën.

“Të gjithë vijnë çdo të martë dhe të shtunë dhe ndezim qiri, vijnë nga të gjithë fshatrat përreth. Festojmë edhe Bajramin dhe ditën e Kishës që është me 15 gusht.

Ne si fshat jemi komplet fshat mysliman dhe vijmë të martë, të shtunë dhe me 15 gusht mbushet plot,” thonë banorët.

Banorët e Shën Mërisë apelojnë për ndërhyrje në shpëtimin nga shembja e plotë të kësaj kishe.

Ndonëse ndodhet në këtë gjendje është mjaft e frekuentuar kjo kishë nga besimtaret që sfidojnë rrugën e shkatërruar dhe vinë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

“S’është vënë dorë në këtë kishë asnjëherë. Edhe drunjtë e vendosur këtu ne i mirëmbajmë.

Ka një histori të veçantë pasi baballarët na kanë thënë se kjo ka qënë një kishë e madhe me 72 dyer,” thonë ata.

Teknika e përdorur për ndërtimin e kësaj kishe është romake. Ndërsa ky objekt konsiderohet si një objekt kulti unik për të gjithë Shqipërinë./oranews.tv

ObserverKult


Lexo edhe:

KISHA E SHËN MARISË, ATY KY KRYENIN SHËRBESAT FETARE GJERGJ KASTRIOTI DHE BASHKËSHORTJA E TIJ, DONIKA

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale i Shqipërisë ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve konservuese – restauruese në “Rrënojat e Kishës së Shën Marisë, në Mamurras, Kurbin”.

Aktualisht ruhen rrënojat e objektit, të cilat janë mjaft të ekspozuara ndaj faktorëve të jashtëm. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, ka hartuar një listë monumentesh me prioritet ndërhyrjeje

. Po ashtu ka marrë masat për hartimin e projekteve.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult