Rrënohet monumenti mbi 100 vjet i vjetër në Mitrovicë

Mitrovica ka humbur edhe një monument mbi 100 vjet të vjetër. Ajo që njihej si shtëpia e Asim Leniqit është rrafshuar. Puna ka vazhduar edhe dje, një ditë pasi nisi rrafshimi. Në vendin ku ishte, në qendër të qytetit, do të ndërtohet një objekt afarist e banesor.

Ajo që mbrohej si monument me përshkrimin se “ndërtesa është objekt rezidencial urban”, prej vitit 2014 ishte larguar nga Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, transmeton ‘koha’.

Kërkesën që të mos mbrohej si monument e kishte bërë Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë. Me rekomandim të Komisionit të asaj kohe, largimi nga lista ishte aprovuar nga ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi. Krejt kjo kishte ndodhur pas interesimit të afaristëve që në atë zonë të ndërtohen shumëkatëshe.

Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, për raste të tilla vendimet merren nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Për këtë shkak që nga viti 2014 Ministria e Kulturës nuk ka larguar monumente nga lista pasi kalonte kompetencat e veta.

Objekti banesor që do të shkojë deri në tetë kate është në anën jugore të shtëpisë së Xhafer Devës. Në anën lindore të këtij monumenti shumëkatëshet ka kohë që kanë zënë vend duke ia bllokuar pamjen. E ndërtesa tjetër do ta barrikadojë edhe në anën jugore.

Për këtë arsye investitori ka kërkuar pëlqim për projekt nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve qysh në vitin e kaluar. Por puna ka nisur ende pa e siguruar këtë dokument.

Nëpërmjet një vendimi ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, kishte caktuar kriteret e ndërtimit në atë zonë më 2014. Komuna e Mitrovicës është bazuar në këtë vendim për të dhënë lejen e rrënimit të objekteve të tjera.

Zyrtari komunal thotë se kanë të drejtë pasi që Ministria e Kulturës më 1 korrik u ka thënë se vendimi është ende në fuqi. Por, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore dhe akteve të tjera, vetëm Instituti mund të japë pëlqim për ndërtime afër monumenteve.

Mirsad Beqiri, menaxher i kompanisë që do të bëjë ndërtimin, ka thënë se janë në rregull me dokumentacion.

Shtëpia e Asim Leniqit, sipas përshkrimit që ia kishte bërë vetë Ministria e Kulturës, ishte ndërtuar në sistemin “bondruk”, me konstruksion në formë kornizash nga brezat horizontalë dhe vertikalë të drurit. Pas Luftës së Dytë Botërore objekti i fundit të shekullit 19 ishte shfrytëzuar si ambulancë e qytetit, byro e punësimit e më pas edhe për banim.