Pina D., ish-kampionia e atletikës e viteve ’60, motra e njërës prej artisteve më në zë të kinematografisë shqiptare, e ka cilësuar man iak seksual Feçor Shehun, ish-ministrin e Brendshëm të dënuar për veprimtari armiqësore.
Në procesin hetimor të fillimviteve ’80, ajo ka dëshmuar para hetuesve Pelivan Luçi e Florian Koloneci mbi marrëdhënien që kishte me ish-kreun e Sigurimit të Shtetit.
“Ai nuk m’u shqit as kur u martova në Durrës”, vë në dukje ajo duke zbuluar një episod të çuditshëm, që lidhet me arrestimin e të shoqit.
Veçanërisht pas arrestimit të tij në fillimin e viteve ’80, me dhjetëra gra e vajza kanë denoncuar një mori rastesh kur janë gjendur nën përndjekjen e ish-ministrit të Brendshëm.
Dëshmia është regjistruar në Prokurorinë e Tiranës më 13 qershor të vitit 1983…
DOKUMENTI
Procesverbal
Mbi dëshminë e qytetares Pina D. Tiranë, më 13.6.1983
Ne, hetuesit Pelivan Luçi e Florian Koloneci, hetues në Ministrinë e Brendshme, morëm në pyetje me cilësinë e dëshmitares Pina D., e datëlindjes 1937, me profesion bobinatore në UEM të Durrësit, e padënuar, pa parti, me kombësi e shtetësi shqiptare… Pina D.
Nuk më kujtohet mirë, por duhet të ketë qenë viti 1958, në kohën që zhvillonte punimet konferenca e dytë kombëtare e sportistëve dhe fizkulturistëve të vendit tonë në Tiranë, jam njohur me Feçor Shehun. Njohja ime me të ishte e rastit, unë në këtë konferencë isha e ulur në një radhë me Feçorin dhe karriget i kishim ngjitur. Në fillim, meqenëse nuk e njihja, unë fillova muhabet me të dhe bënim shaka me njëri-tjetrin.
Gjatë një pushimi, një shoqe më tha: Lum si ti me kë po rri e bën muhabet aty! Unë e pyeta se kush ishte. Ajo më tregoi se ishte Feçor Shehu. Mbaj mend që ajo më tha se ai është kryetar i Degës së Brendshme të Tiranës. Pasi mora vesh se kush ishte Feçori, në seancat e tjera të konferencës fillova të qëndroj serioze.
Feçori si duket e kuptoi një gjë të tillë dhe filloi të më ngacmonte duke më thënë se pse rri serioze tani, pse nuk qesh e luan si më përpara. Unë i thashë se nuk kam punë me ju se jeni njerëz të mëdhenj. Ai përsëri filloi të më ngacmonte e më jepte edhe karamele. Gjatë kohës që zhvilloheshin punimet e konferencës, vura re se Feçori filloi të më provokonte.
Ai afrohej tek unë dhe fërkonte krahun e tij te krahu im. Unë, duke e vënë re këtë gjest të tij, largohesha. Ditën e fundit të konferencës Feçori më pyeti se kur do të kthehesha në Shkodër. Unë i thashë se do të iki nesër me autobus. Ai më tha hajde me mua se të çoj sonte në darkë me maqinën time në Shkodër, por hajde vetëm ti. Unë nuk i kundërshtova. Pas kësaj,
Feçori më tha që të pres me makinë në rrugën e hotel “Drinit” (atëherë ishte hotel “Vollga”). Megjithëse unë pranova që të shkoja me Feçorin në Shkodër, prapëseprapë nuk shkova, sepse u tremba, jo vetëm nga qëndrimet e tij gjatë konferencës, por edhe nga ajo që ai kërkoi me insistim që unë të shkoja vetëm pa asnjë nga shoqet apo shokët që kisha, të cilët morën pjesë në konferencë.
Pasi vdiq Hilmi Seiti, si kryetar i Degës së Brendshme në Shkodër erdhi Feçor Shehu. Kur erdhi në Shkodër, Feçori filloi përsëri të më provokojë. Sa herë që më gjente në rrugë, ndalonte e më takonte dhe më kapte dorën e nuk ma lëshonte.
Duke bërë gjoja sikur bisedonte, më fërkonte dorën dhe më thoshte: “Po hajde në zyrën time afër darkës, sepse në degë nuk ka njeri”. Si përgjigje unë i thosha Feçorit që do të vij, por në fakt asnjëherë nuk i shkova.
Pasi unë nuk i shkoja Feçorit, ai kur më takonte më pas më thoshte se “të prita, por ti nuk erdhe, pse më rrejte, unë të njohë për burrneshë” dhe përsëri kërkonte që unë të shkoja në zyrë e më fërkonte dorën me marifet.
Në të gjitha këto raste unë e kuptoja fare mirë se ai kërkonte t’i krijoja relata dashurie, prandaj dhe nuk i shkoja në zyrë. Edhe pasi u martova dhe shkova në Durrës, sa herë që vija në Shkodër te prindërit e mi, Feçori sa më shikonte më ndalonte e menjëherë kërkonte që unë të shkoja e ta takoja në zyrë.
Ka ndodhur që edhe kur ishte në makinë, Feçori e ndalonte makinën dhe më përsëriste të njëjtat propozime. Koha nuk më kujtohet mirë, por pasi Feçori kishte ardhur në Tiranë e qe bërë zëvendësministër i Punëve të Brendshme, një ditë Dega e Punëve të Brendshme Durrës futi në burg burrin tim, se ai kishte shpërndarë në qendrën e punës së tij letra bixhozi me figura po rn ografike.
Sapo e mora vesh këtë gjë, unë erdha në Tiranë dhe kërkova takim me Feçor Shehun. Në postbllokun e Ministrisë së Punëve të Brendshme lajmërova se doja të takoja Feçor Shehun. Ky zbriti pas pak e më futi në një zyrë ku bëheshin pritjet e popullit.
Duke qarë, unë i tregova shkakun e ardhjes sime dhe iu luta që të më ndihmonte. Në kohën që unë po qaja dhe ishim vetëm për vetëm, Feçori m’u afrua dhe më puthi. Pas kësaj ai më tha që të ikja se do ta rregullonte ai këtë punë. Sa herë që të kesh nevojë, shtoi Feçori, hajde tek unë se do të të ndihmoj.
Unë u largova e mbasi zbrita nga treni në Durrës dhe po shkoja për në shtëpi, pashë se edhe burri im po vinte në shtëpi se e kishin liruar. Në vitin 1967, koha ekzakt nuk më kujtohet, unë isha grumbulluar me ekipin kombëtar të atletikës, sepse do të shkonim në Kampionatin Europian në Hungari.
Dy ditë para se të niseshim, erdhi në Korçë Tahir Malo, i cili do të na shoqëronte. Në këtë kohë u komunikuan edhe emrat e personave që do të shkonin jashtë. Në këtë listë nuk ishte emri im. Për këtë gjë unë fillova të qaj dhe menjëherë u nisa për në Tiranë. Për të ardhur në Tiranë më ndihmoi Tahiri.
Sa erdha këtu, unë kërkova takim me Feçor Shehun duke sqaruar oficerin e postbllokut se si e kisha punën. Ai mori në telefon Feçorin, i cili tha që unë ta prisja. Si prita pak, erdhën dy punonjës të Ministrisë e më çuan në zyrën e vizave që është në rrugën ku është hotel “Drini”.
Atje më qetësuan duke më thënë se ty do të ta japim pasaportën. Njëri nga ata ngarkoi shokun tjetër që të bëheshin shpejt e shpejt dokumentet e mia, pasi të gjitha dokumentet e pjesëtarëve të tjerë të ekipit qenë përfunduar.
Mbasi kaluan tri-katër orë, mua ma dhanë pasaportën në postbllokun e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga të gjitha këto, kuptova se Feçori bëri çmos që unë të shkoja jashtë shtetit…
Feçor Shehun e kam takuar për herë të fundit gjatë kohës që ishte ministër i Punëve të Brendshme e, me sa më kujtohet, ka qenë rreth një vit më para se ai të shkarkohej si ministër. Ky takim ka ndodhur kështu: Ishte kohë vere dhe unë doja të vija nga Durrësi në Tiranë.
Meqenëse treni ishte nisur, unë dola në rrugën e plepave për të gjetur makinë. Dikur kaloi një makinë “Fiat” e shoferi më mori. Rrugës ai ecte me shpejtësi të madhe. Gjatë rrugës na parakaloi një veturë gaz. Sa na parakaloi, dikush dha sinjal që të ndalonte makina ku isha unë. Shoferi ndaloi menjëherë.
Nga makina që na ndaloi doli Feçor Shehu dhe urdhëroi që të zbrisnim. Ne zbritëm dhe Feçori filloi t’i fliste shoferit se pse ecte me shpejtësi. Pastaj kur më pa mua, i tha shoferit të makinës ku isha unë që të ikte, kurse mua më tha se do të rri me ty deri sa të të gjej makinë.
Në këtë kohë unë isha mbështetur pranë një muri që ishte anës rrugës në një kthesë diku në rrugën Tiranë- Durrës. Feçori u afrua afër meje dhe duke parë që unë kisha veshur një fustan pa mëngë, filloi të më fërkonte krahun e më tha: Pina, qenke bërë si dash! Kur pashë këtë dhe konstatova që ai binte era raki, u largova pak.
Pas pak aty kaloi një kamion frigoriferik që vinte nga Tirana në Durrës. Feçori e ndaloi dhe e pyeti ku shkonte. Shoferi i tha se po çonte peshk në Durrës. Ç’është kjo punë, peshk nga Tirana në Durrësin e peshkut?! -i tha Feçori.
Pastaj, duke i folur shoferit të frigoriferit, i tha: E di ti atë fjalën e urtë që thotë për peshkun që qelbet nga koka. Edhe këtu te ne peshku është qelbur nga koka. Unë u çudita si i tha këto fjalë ai që ishte ministër i Brendshëm, sepse e kuptova që ai këto fjalë i thoshte për udhëheqjen e Partisë. Pas kësaj ai u largua dhe unë gjeta një makinë tjetër dhe erdha në Tiranë.
Dëshmitarja Pina D.
Hetuesit Florian Kolaneci, Pelivan Luçi
(Lapsi.al)
———————————————-
Lexo edhe:
Tmerret e komunizmit: “Vdekjen e vëllait 3-vjeçar, nuk do ta harrojë sa të jem gjallë…”
ObserverKult