Rrëqethëse: Më torturuan aq shumë sa nuk më njohu as nëna kur dola nga burgu…

Historia e Bahri Çepratit
Foto ilustrim

E arrestuan kur ishte ushtar për prishjen e portretit të Enver Hoxhës, që kishte ndodhur në repartin ushtarak, ndërsa ai ishte në fshat, me leje, për dasmën e vajzës së dajës. Më pas, e ridënojnë dhe kur del nga burgu, pas 11 vitesh torturash dhe punë të rëndë, në pragun e shtëpisë, nuk e njeh as nëna.

Më poshtë, kujto.al sjell historinë e plotë të ish-të dënuarit politik, Ylli Kanina:

Na tregoni diçka për vete

Unë kam lindur në 20 prill 1957 në një familje të mesme. Nuk jam rritur keq në atë kohë, nuk kam vuajtur deri në momentin e arrestimit. Fati im i zi ishte që të vuaja 11 vjet burg në atë sistem.

Si ndodhi që u arrestuat?

Unë kam qenë ushtar në një fshat afër fshatit tim. Shënkollas quhej në atë kohë, pastaj ia ndryshoi emrin sistemi në Fitore. Unë, dy vjet që isha ushtar, para se të arrestohesha, nuk kisha ikur kurrë me leje në shtëpi. Ikja gjithmonë pa leje, sepse 5 minuta ishte larg reparti nga shtëpia. Atë ditë që jam arrestuar, kam ikur me leje. Babai dhe mamaja nuk kishin muhabet me dajën tim.

Dajiu im për të mos mbyllur fare marrëdhëniet, më fton mua në dasmë. Atë ditë do shkoja në dasmë, ka qenë ditë e enjte 17 janar, 1977. Kur kthehem në repart, ditën e premte, më thonë “është prishur portreti i Enver Hoxhës”. Unë nuk isha. Unë me vete thosha: “shyqyr që nuk isha kur ishte prishur”. Këta e kurdisën. Arrestojnë një ushtar përpara, Ilmi Çollaku quhej.

Nga druri i madh që kishte ngrënë ai, e kishte humbur fare, thoshte çfarë i mësonin hetuesit. Ai kishte thënë që ishte dhe Ylli me mua: “Ylli më ruante, unë prishja portretin, por Yllit i kishte thënë komandanti i batalionit”. Siç e mësonin ata, thoshte ky. Pas një muaji nga arrestimi i tij, më arrestojnë dhe mua. Vjen komandanti i kompanisë, Xhelo Zamaj, e më thotë mua: “kush ishte teknik për qendrat e zjarrit?”. I them unë: “Unë isha”. Montoja qendrat e zjarrit në atë kohë, unë. “Mirë,-thotë,-transferojeni”. E hëngra, unë. “Të vete,-i them unë,-t’i marr 200 lekë babit?” “Jo,-thotë ky,-të dërgojmë ne me leje.”

Më shoqëron dhe ky mua deri në dalje të Fitores, aty priste xhipi, e kishte ngritur kofanon e makinës dhe unë i them: Të ikim me këtë xhipin deri në Bilisht?. “Jo”, thotë ai. Në atë kohë, dalin 4 veta dhe thonë: Në emër të popullit je i arrestuar. Unë automatikun e kisha në krah,  ma kishin lënë që mos të dyshoja. Unë nuk dyshoja, nuk kisha bërë gjë. Dhe më hedhin prangat. Kisha një ushtar me vete, ai që më denoncoi. Deri në Cangonj erdhi ai, aty e zbritën, I thanë: Ik me leje ti, merr nja pesë ditë.

Në fillim nuk më goditën fare. Më thanë: ke bërë këtë, ke bërë atë. “Jo,- u thashë,- nuk kam bërë.” “Mirë, thanë, ta tregojmë ne”. Pas dy ditësh, më kanë rrahur aq shumë sa po të isha qen do ngordhja. Unë nuk kisha çfarë pranoja, jo se nuk doja të pranoja.

Çfarë të kërkonin të pranoje?

Ata më thoshin: “Kush e prishi portretin e Enver Hoxhës?” dhe “do thuash si të themi ne, do thuash ne na ka urdhëruar komandanit i batalionit”. “More, nuk di gjë-u thosha unë”. Pastaj u thashë. Ata kërkonin detaje: “si të tha?, çfarë të tha?”.

Pastaj, aty ishte gabimi im, u thashë: “Unë, atë ditë, kam ikur me lejë, martoja çupën e daiut” dhe ia shpjegoja, por ata vajtën e grisën fletën e lejës dhe unë figuroja që isha në repart. Më thoshin ato që kishte thënë ushtari, siç i kurdisnin ata. Si arrestuan komandantin e batalionit, më nxorën dhe në ballafaqim me atë. Ore nuk kam bërë gjë,- u thosha.

Sa zgjati hetuesia?

Hetuesia zgjati 4 muaj.

Si të trajtuan?

Unë mund të them vetëm që edhe qen po të isha, do kisha ngordhur. Unë vetëm që isha djalë i ri, 20 vjeç, që i mbijetova asaj torture.

Çfarë torturash kanë përdorur?

E lagnin dyshemenë me ujë dhe nuk na jepnin asnjë kuvertë të mbuloheshim. Rrinim në këmbë dhe ujin e hollë e bënim në pagure. Vinin tre policë, hapnin derën, na rrihnin të dyve dhe iknin. Përse na rrinin, nuk e dinim. Thoshin: “Kur të vesh nesër te hetuesi, dil me mendje tjetër”. Unë e quaja spiun atë burrin tjetër, ai më quante mua. Të dy e kishim frikë njëri-tjetrin. Të dyve na rrihnin.

Kush ishte hetuesi yt?

Hetuesi ishte Shyqyri Duro. Ne nuk pranuam asgjë përfundimisht, janë dokumentet. Komandanti i batalionit, nuk mund të them, edhe mund të ketë pranuar diçka sepse e dënuan më pak sesa mua. Unë ushtar isha, komandanti i batalionit ishte me universitet. Atë ish-të burgosurin që rrija unë e dënuan 10 vjet, mua 9, komandantin e batalionit 8. Unë isha fëmijë në krahasim me komandantin e batalionit.

Ku u bë gjyqi?

Gjyqi u bë në Repartin e Kufirit, Korçë.

Cila ishte aktakuza?

Prishje e portretit të Enver Hoxhës.

Ku ju dërguan më pas?

Pasi qëndruam nja një muaj në Korçë pas dënimit, na çuan në burgun e Tiranës. Pas burgut të Tiranës, më çuan në Spaç, në Mirditë.

Na trego pak për Spaçin, për kushtet e punës dhe të jetesës

Sot, nuk mund ta imagjinoj asnjëri si ka qenë. Ne na nisnin në punë 8 orë, sepse vinte turni tjetër, por në qoftë se nuk do të bënim atë që kërkonte në normë ai, ne, druri ose biruca, na priste. Punë mizore, as skllevërit nuk e bënin në kohën e skllavërisë.

Ka pasur raste aksidentesh?

Aksidente di unë që kam nxjerrë një shokun tim nga Erseka, Napoleon Kolecin. Na lajmëruan ne për ta nxjerrë. Napoleonin e nxorëm të gjallë. Rasti i dytë që kam parë, Edmond Sejko, i biri Teme Sejkos që e kam nxjerrë vetë me dorën time. Edhe atje kam parë një torturë. Ai e vuante mbi kurriz, por dhe unë e kam hequr sepse isha djalë i ri dhe akoma kur e kujtoj, them më mire “mos rroj”.

Po raste të tjera vuajtjesh?

Të them tjetër rast që kam vuajtur. U arrestuan në Spaç 22 veta, 11 profesionistë, 11 nacionalistë. Kur u arrestuan këta, donin dëshmitarë. Që të mos dyshonin kë do thërrisnin, thirrën tërë kampin. Në mes tyre, isha dhe unë. Kur më thirrën lart, ishte një hetues nga Ministria e Brendshme, quhej Irfan Shaqiri, nuk e harroj. Kam hyrë në dhomë, gjej dy veta. Ai më tha kush ishte, unë nuk e dija.

“Të kam thirrur,- tha,- që të shpëtoj”. “Përse do më shpëtosh?”, i thashë unë. Sepse në atë kohë, ishim të pjekur ne, kishim ngrënë dru, i kishim hequr të gjitha. “Që të liroj,- më tha,- do më tregosh disa gjëra!”.

“Çfarë të tregoj?”,. i thashë. Edhe më pyeti për këta 22 vetat. “Është hera e para dhe e fundit, i thashë, unë nuk njoh njeri nga ata”. Në atë kohë, e kishin bërë me llogari ata, diçka shtypi ai dhe hyri operativi, një Kosta, Kosta nga Fieri. Kur hyri ai, pyeti: Ta shënoj për Tiranë?. “Jo, tha ky, nuk e ka bërë vendin akoma”. Më nxorën përjashta. Pas tre ditëve, më thërret tellalli. Unë gjithmonë përgatitesha, merrja pak duhan me vete, ose vishja një triko, sepse e dija që do më arrestonin.

Atë ditë ma hodhën prapë se prapë sepse prisja një takim me babanë dhe thashë mos më ka ardhur babai, ta takoj. Kur shkoj atje, dy hetues dhe kryetari i Degës, më thonë: Në emër të popullit, je i arrestuar.  U thashë: “Për ç’popull flisni? Ç’punë ka populli me mua, unë jam i burgosur.” “E paske gjuhën e gjatë”, më tha kryetari i Degës.  “O po këtë e dija unë, u thashë, por më gjetët të papërgatitur”, sepse një cigare kisha në paketë. E pija cigaren me të dredhur.

Dhe isha me këmishë, sepse ishte 3 gusht, nuk kisha triko me vete. Më hodhën prangat, me duart prapa, më futën në xhip, një hetues majtas, një djathtas, kryetari i Degës përpara. Nisemi. Duke ikur rrugës, nisin muhabetin. Ndërkohë kryetari i Degës, u jep nga një cigare, këtyre dhe një për vete. “Ti e pi?”, më pyet. “Jo nuk e pi”,- i thashë. Nxjerr një çakmam me gaz ai, shumë të bukur.

“Ma ka sjellë një shok nga Italia”, tha. Edhe mua nuk ma mbajti barku: “Kush bën agjitacion, kush dënohet.” Nga Spaçi, në Rrëshen nuk kanë folur asnjë fjalë. Atje më kontrolluan, më futën në hetuesi. Atje ka qenë një hetues, Vangjel Lezho, i vetmi hetues që kam pasur të mirë. Ishte një hetuesi shumë e shëmtuar. Më pyet: “Çfarë ke bërë?”. “Asgjë”,-i thashë. “O po ti kështu do thuash, atje jeni bërë profesorë ju. Por unë do të dënoj, nuk kam çfarë bëj.

E di që nuk ke bërë gjë, por o dënohesh ti, o unë”. Por unë nuk e haja këtë që thoshte ai. Më jep një cigare, nuk e pranoj. E u kapëm aty me fjalë, thërret policin ai. Më thotë: Do të dënohesh 10 vjet burg. Megjithatë ishte i vetmi hetues, që nuk më ka kapur me dorë. Unë i thashë: dënimin e dytë e pranoj, të parin nuk e pranoj sepse nuk kam bërë gjë, por tani e kam sharë qeverinë sa i kam luajtur fenë.

Sa vjet burg bëre?

Unë kam bërë gjithsej 11 vjet burg.

Ku e bëre pjesën tjetër të burgut?

Pas Spaçit, më dënuan dhe më çuan në Ballsh. Pas Ballshit, më çuan në Lezhë, nga Lezha, në Qafë-Bari. Më të tmerrshmit për mua ishin Spaçi dhe Qafë-Bari.

Sa qëndrove në Qafë-Bari?

4 vjet. Kur u bë revolta e Qafë-Barit, nëse ka tmerr, atje e kemi parë.

Si e kujton revoltën?

Për mua ishte trillim i policisë sepse nuk kishte rrugë tjetër atje. Fiks si ndodhi unë nuk mund të them sepse isha në punë në atë kohë. Unë punoja saldator kovaç. Kur dola t’u hidhja ujë veglave, shikoj që ishte bërë gardh me ushtarë, po kujt i vajti mendja? Kur zbritëm poshtë ne, na i hiqnin këpucët 500 metra larg, në një dorë këpucët, në një dorë çorapet, poshtë ishte toka e ngrirë dhe ne i hiqnim zvarrë çizmet pa i veshur. Kur të shikonte polici, të godiste.

Atje na futën në mes të mensës dhe pallatit, në oborr. Na kanë mbajtur 8 orë. Fati im, djali i xhaxhait të babait tim ishte officer. E pashë dhe e njoha. Dhe i thashë atij dhe më nxorën që aty bashkë me një shok timin që nuk jeton më.

Tmerr ishte kur lexonin emrat e të arrestuarëve. Nuk më hiqet nga mendja kur arrestuan doktor Drago Vujosheviçi. E morën Dragon. Ai kujtoi mos i kishte rënë të fikët ndonjërit atje. Me stetoskopinnë dorë. Kur i thonë: “je i arrestuar”, i bie stetoskopi nga duart. Ishin rreshtuar 100 policë, nuk të zinte këmba në tokë. Me shqelma të çonin te makina, atje ishin 20 të tjerë, me shqelma të hipnin në makinë.

E kujton momentin kur ke dalë nga burgu?

Ishim në Tiranë. Ne ishim specialistë, na lëviznin. Vjen zv.ministri dhe e donte të mbaruar objektin, këndin sportiv Dinamo. Atë e kemi bërë ne, nga themelet. Ilir Mustafaraj ishte zv.ministër dhe na tha: nëse e mbaroni gjer të enjten tjetër suvanë, do ju liroj të gjithëve. Unë isha pak më i ri, punoja çik më shumë. Dhe i thotë Hajredin Frateri: këtë e kam specialist të mirë.

Dhe u angazhuam ne, të dënuar ordinerë dhe politikë bashkë dhe mbaroi. Na kanë liruar 5 veta, por pas 8 muajsh, jo menjëherë. Ne na lanë pa qethur, po talleshin shokët. “Hajde, shkojmë qethemi”, thashë, sepse na quanin spiuna. Atëherë kur jemi qethur, atëherë na kanë liruar. Kur shkova në shtëpi, kam takuar nja dy rrugës, nuk më njihnin fare. Më dukeshin rrugët shumë të ngushta, thosha: “prej këtej jam unë, apo më bëjnë sytë?” Shkoj te porta.

Një komshiu im, gjettë rrahmet, më pa, e mori me mend sepse isha me kokë të qethur dhe zbret. I thashë: “më bëj një nder, shko brenda dhe thuaju që sot do vijë Ylli”, që mos t’i binte të fikët mamasë. Kur hyn ai, nuk ishte mamaja, kishte shkuar për radhën e qumështit. “Nuk ka njeri”, thotë ky. Një grua nga radha e qumështit i thotë mamasë: të ka ardhur tët bir. Mamaja më tregon mua që një 500-she kishte dhe ajo i ra në kovë dhe “ika unë”, tha. Kur kaloi mamaja atje, nuk më foli mua.  Unë thashë: “fat prej qeni paskam, as nëna të mos më flasë”.

Mamaja e humbi fare, hyn brenda dhe i thotë babait: Na ka ardhur djali! “Po ç’djalë moj?” Doli babai. Më takoi. Dolën vëllezërit. Vetëm qamë. Babi tha: Tani të vdes. Ata qentë nuk e realizuan që të vdisje ti. “Mos fol ba, i thashë, sepse akoma janë nëpër këmbë.” Hymë brenda, ishte mëngjes.

Ime më dridhej. I thashë babait: Të lutem hape çik te Zëri i Amerikës, radion. “Jo”, tha. Mamaja tha: “Ky nuk paska vënë mend”. Po e hapi. Doli te dritarja dhe thoshte: “Ule dhe pak”. Kishte frikë, por unë e dija çfarë po ndodhte. “Po dëgjo bre babë, i thosha, unë ç’e dua këtë jetë? Ti ç’e do?”

Çfarë muaji i 1989-ës ka qenë?

Më 28 prill 1989 jam liruar.

Si e ke përjetuar ardhjen e pluralizmit demokratik?

Ti imagjinoje si mund ta prisja unë. Nuk më zinte gjumi fare. Kishte ardhur liria për mua./kujto.al

*Pjesë e arkivës së familjes Doko

—————————

Lexo edhe:

Erdhi në Shqipëri për të shpëtuar ndërroi jetë në spitalin e burgut

ObserverKult