Rrëqethëse: Murat Basha me 12 burra kënduan himnin kombëtar para se të ekzekutoheshin

Ishte 7 qershori i vitit 1945 kur regjimi komunist kishte marrë vendimin për ta pushkatuar Murat Bashën, nacionalist atdhetar, oficer i lartë i mbretërisë. Kur komunistët i lidhen me tela për t’i pushkatuar, Murat Basha dhe 12 djemtë e tjerë ia nisën të këndojnë himnin kombëtar. Prej asaj dite, të gjithë ata që niseshin për t’u pushkatuar, niseshin drejt vdekjes me vargjet e himnit kombëtar.

Dita e pushkatimit të 13 burrave antikomunistë, është rrëfyer nga Xhemal Alimehmeti, i cili kishte qënë në një dhomë në burg me Murat Bashën dhe të tjerë deri në momentin që i morën për t’i ekzekutuar.

Dëshmia:

”Ishim 14-15 vetë në dhomë, Murat Basha i qetë, po bisedonte me z.Xhemal Kusin…unë shifsha i çudit, si rri kaq i qetë, sepse i kishin lajmëru që në orën 10.00 do i merrshin me i pushkatu…Erdhën policët dhe ushtarët e togës pushkatimit, i nxorrën në korridor dhe i lidhën dorë për dorë 2 nga 2. Murati thirri Fagun (Mustafa Vrapin) që ishte me i riu vetëm 19 vjeç dhe i tha ”Hajde lidhemi bashkë”… Mbasi i lidhën 2 nga 2 i lidhën dhe me nji tel me gjemba të gjithë bashkë nga fillimi në fund… Në këtë moment ndigjohet zani i Murat Bashes. ”Na e bani hallall burra”…”Rroftë Shqipnia. Rroftë Mbreti”. Të gjithë u përlotëm, por disa edhe qanin me dënesë, të gjithë dolëm te dritaret e dhomave, duke pa….Dolën në oborr, aty ndodhi diçka e tmerrshme. Nëna e Fagut (Mustafa Vrapit) ishte ne oborr, kishte ardhë me taku djalin, kur e pa që po e çojshin me e pushkatu, filloi me ulërit me të madhe dhe thoshte: ”Mos ma vrisni djalin….” Një ushtar ju afru dhe e goditi me kondak të pushkës, ajo ra pa ndjenja. Fagu kur pa nanën u ligshtu, atëherë Murat Basha i futi krahun dhe i thotë; ”Fag mbahu se je burrë, mos u dorëzo, ti je më i fortë se komunistat, Ne nuk ligshohemi nga plumbi dhe vdekja…” Ndodhi e pabesueshmja Murat Basha filloi me këndue Hymnin Kombëtar, mbas dy tre sekondash edhe shokët e tij….e pasoi gjithë Burgu, ishte sa tragjike edhe madhështore, të shifshe ata burra që po shkonin drejt vdekjes duke këndu…..I çun drejt bregut lumit. Mbas pak u ndigjun krismat e armëve…. Nga ajo ditë, në burgun e Tiranës, kush shkonte me u pushkatu, këndonte Hymnin Kombëtar dhe kjo traditë mbeti prej Murat Bashës”, rrëfeu disa vite më parë, Xhemal Alimehmeti./kujto.al

—————

Lexo edhe:

Historia e memaliotit që i shpëtoi jetën Enver Hoxhës

ObserverKult