“Kemi improvizuar në stilin e tij (v.j. Ibrahim Kodrës)”, kështu ka thënë Adrian Sadiku për punimin që ka realizuar së bashku me Emona Dedën, në një trafo të vogël që gjendet afër semaforëve, ku kryqëzohet rruga “Luan Haradinaj” me “Garibaldin”. Sadiku dhe Deda kanë përdorur stilin e mjeshtrit, që njihet edhe si kubisti i fundit.
“Jemi munduar që të gjejmë një balancë. Jemi duke e përdorur stilin e tij, ikonat të cilat i ka ai, dhe kemi improvizuar në mënyrë që ta zbukurojmë këtë kuti të rrymës”, ka thënë Deda.
Kaçanikasja 19-vjeçare studion për Pikturë në Universitetin e Prishtinës. Sipas saj, i gjithë qëllimi i punimeve që janë duke bërë në kuadër të projektit “T’i japim ngjyrë qytetit”, që ka nisur të shtunën, është që të sjellin art në rrugë dhe që i njëjti të jetë i qasshëm për këdo. Projekti është duke u implementuar nga organizata joqeveritare “Mural Fest Kosova” dhe është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, në kuadër të thirrjes së dytë për projekte kulturore për vitin 2019, transmeton ‘koha.net’.
Sipas Emona Dedës, për të realizuar punime të tilla u ka ndihmuar shumë fakti që në të kaluarën kanë bashkëpunuar edhe me artistë të huaj. Deda ka thënë se përmes tyre, në njëfarë forme, kanë mësuar disa trike për realizimin e artit në rrugë.
“Na ka ndihmuar shumë pasi që kemi parë sesi punojnë artistët e huaj dhe kemi mësuar edhe sesi të bëjmë edhe ne art në rrugë”, ka thënë ajo. Për dallim nga Deda, Adrian Sadiku artin e ka vetëm hobi, pasi që është duke studiuar për Inxhinieri. Por, dashuria për artin, sidomos kur ky i fundit zë vend në hapësira publike, e ka bërë që t’u bashkohet 20 pjesëmarrësve në këtë projekt. Ai ka thënë se kanë marrë komente pozitive nga kalimtarët gjatë kohës sa kanë qenë duke pikturuar.
“Ibrahim Kodra përdor shumë figura gjeometrike, sidomos katrorin, dhe ne e kemi parë që ky stil i tij po del shumë bukur për syrin në këto hapësira. Prandaj edhe po sjellim të njëjtin. Në anën tjetër, është një artist shqiptar dhe njerëzit të cilët kanë më pak njohuri për punën e tij mund të bien në kontakt me të”, ka thënë Sadiku, i cili është nga Ferizaj.
Në njërën nga tre trafot e tjera që gjenden afër Kuvendit Komunal, Deda ka përdorur elemente nga arti i mjeshtrit spanjoll Pablo Picasso, pjesëmarrësja Ermira Murati elemente nga artisti më me ndikim në historinë e artit perëndimor, Vincent van Gogh, e arti i Ibrahim Kodrës aty është shpërfaqur nga Debora Hetemi. Elementet që gjenden në trafot e tjera janë të ndryshme.
Drejtoresha e festivalit “Mural Fest”, Lebibe Topalli, ka thënë se e kanë parë të rëndësishme që trafove nëpër kryeqytet t’u japin pamje me të bukur. Sipas saj, përmes realizimit të grafitëve kanë larguar shkrimet jo të mira dhe shkarravinat. Por, në kuadër të projektit që ishte dashur që të përfundonte në mars, janë realizuar grafitë edhe nëpër hapësira të tjera. Realizimi i projektit ishte shtyrë për shkak të masave që ishin marrë nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.