“Rreth flamurit të përbashkuar…” Qeveria rikthen këndimin e himnit çdo javë në të gjitha shkollat

Me dorën në zemër e të veshur me ngjyrat e flamurit kënduan vargjet e Asdrenit.

Kështu do të nisë çdo javë mësimore në të gjitha shkollat e vendit.

Nxënës të klasës së katërt, në shkollën Mihal Grameno në Tiranë thonë se e kanë mësuar himnin kombëtar qysh në kopsht.

“Që në parashkollor, ndërsa në klasën e dytë e kam mësuar tamam. Në kopsht unë kam mësuar dy strofa,” thonë ata.

Vendimi i qeverisë së Shqipërisë është mirëpritur nga të gjithë por ka nga ato nxënës që do të donin ta nisnin mësimin normalisht.

“Jo sepse duam të nisim mësimin direkt, jo të këndojmë njëherë,” tha një prej tyre.

Më të mëdhenjtë në moshë pranojnë se shumë prej bashkëmoshatarëve nuk kanë njohuri mjaftueshëm mbi historinë e kombit.

Ndaj e cilësojnë me rëndësi kujtesën e himnit dhe mesazheve të tij çdo javë.

“Sidomos ne adoleshentët sot që jemi shumë të fiksuar ndaj teknologjisë, ta këndojmë himnin çdo ditë dhe të tregojmë dashurinë dhe respektin që kemi për shtetin shqiptar dhe për ata trima që me mund çliruan vendin.

Shqipëria është një vend që ka çdo gjë: historinë, klimën, gjeografinë e saj dhe pse jo t’i shfrytëzojmë në maksimum,” thanë ata.

Dashuri për atdheun e jo braktisje është mesazhi i tyre.

“Është fatkeqësi e madhe për kombin tonë sepse emigracioni është interes personal, ndërsa të qëndrosh në Shqipëri e të punosh për vendin tënd është e jashtëzakonshme,” tha një nxënës.

Për Diana Barën, mësuesen e Historisë këndimi i himnit zgjon tek të rinjtë ndjenjën e atdhedashurisë.

“Ja vlen të përmendet pasi është një poezi e shkruar nga Asdreni, mjaft patriotike. Zgjon tek nxënësit dhe brezat ndjenjën e atdhedashurisë e patriotizmit. Të kemi përulje dhe respekt për ata që dhanë jetën për kombin e këtë flamur,” tha ajo.

Në përvjetorin e 555 të ndarjes nga jeta të heroit kombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut qeveria vendosi që të rikthejë vendimin për të nisur javët mësimore me këndimin e flamurit./oranews.tv

ObserverKult


Lexo edhe:

KUSH ISHTE SHQIPTARI QË REGJISTROI I PARI HIMNIN KOMBËTAR?

Lindi në Korçë më 30 shtator 1876, muzikanti e atdhetari i njohur shqiptar, Spiridon Ilo.

Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për ndërtimin e pllakave të gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare, por regjistrimi më i rëndësishëm mbetet ai i Himnit Kombëtar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult