Rritet interesi i vizitorëve për muzetë e Beratit

Muaji gusht shënon një rritje të numrit të turistëve që kanë zgjedhur të vizitojnë Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik të Beratit. Sipas të dhënave të këtyre institucioneve, nga data 1 deri me 16 gusht vihet re një rritje e numrit të vizitorëve në krahasim me muajt paraardhës, qershor e korrik. Po ashtu, përveç vizitorëve vendës, që përbëjnë 49 për qind të të gjithë vizitorëve, të huajt janë kryesisht polakë, bjellorusë, çekë, ukrainas dhe francezë.

Qysh prej qershorit në nivel simbolik do të paguajnë biletat vizitorët e monumenteve në Shqipëri gjatë sezonit turistik. Ky është një prej hapave të Qeverisë për të kthyer vëmendjen te trashëgimia kulturore, pas masave kundër pandemisë.

“Kemi dalë me një paketë të re ofertash që vihen në vijim edhe të bisedave të bëra me të gjithë tur-operatorët, edhe për t’ju gjendur më afër, sepse mendojmë se ky është momenti kyç që t’ju gjendemi pranë, pasi mendojmë fort që në këtë vit të kemi gjithmonë e më tepër një turizëm lokal, e ndoshta do të kemi më pak turistë të huaj, megjithatë dhe në momentin që do të kemi turistë të tjerë të huaj, ne do t’u përgjigjemi me shërbime të reja në sitet tona”, kishte thënë ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Sipas saj, ulja e çmimit të biletave për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike është një ndihmë e madhe ekonomike, duke iu përgjigjur kështu kërkesave të agjencive turistike.

“Kemi arritur që vitin e shkuar të kemi mbi 1 milion vizitorë dhe mendojmë që me këtë politikë të re dhe ato site që nuk kanë qenë të vizituara, të bëhen sa më shumë pjesë e paketave tuaja. Kemi biseduar së bashku për disa muze, sikur dhe për Muzeun e Gjetheve që ka qenë një nga pikat ku dhe vetë tur-operatorët kanë thënë që u duket pak jo i aksesueshëm për paketat e tyre. E kemi arritur tashmë në një çmim thuajse simbolik dhe këtë e kemi bërë dhe për shumë site dhe mendojmë që kjo është zgjidhja e duhur për t’ju gjendur pranë në këto momente”, kishte thënë ajo në qershor. Më pas, gjatë korrikut shteti ka dhënë 5 mijë bileta falas për vizitorët e muzeve dhe lokaliteteve arkeologjike.