Walter Isaacson ka ndjekur studimet në Harward University më pas në Oxford University. Ka shkruar disa libra, disa prej tyre janë dhe biografitë e Steve Jobs, Ajnshtajn, Benjamin Franklin etj. Ka qenë president dhe CEO i Aspen, CNN dhe Time. Aktualisht jep mësim në universitet dhe jep kontributin e tij në Voice of America.
Nga Jesus Ruiz Martilla/ El Pais
Në librin tuaj të fundit, ju duket sikur doni të nxirrni në pah më shumë, lidhjen që ekziston mes shkencëtarëve, përpos diskutimit që patën Robert Gallo dhe Luc Montagnier për shembull, në luftën e tyre kundër Sidës; ka ndryshuar ndonjë gjë apo jo?
Në këtë rast, kur të gjithë po mundoheshin të gjenin kurën kundër Sidës, po mundoheshin të gjenin enzimën e duhur dhe të zbulonin si funksiononte-zbulim që nisi me shkencëtarin spanjoll Francisco Mojica nga universiteti i Alicantes- misioni i tyre i parë ishte të gjenin se si funksiononte kjo enzimë e më pas a përshtatej dot me trupin e njeriut. Rreth vitit 2012, u mblodhën disa shkencëtarë, të cilët përpos misionit të mposhtjes së Sidës, donin me patjetër të ishin në faqet e para të gazetave dhe të ishin të parët. Por përsa i përket koronavirusit, luftën e kemi bërë të gjithë së bashku.
Pra, duhet të shfaqej COVID-i që ne të vepronim ndryshe?
Unë jam i mendimit që konkurrenca është e mirë, përmirëson. Gallo dhe Montagnier ndoqën një konkurrencë jo dhe aq të mirë sepse donin si e si të merrnin meritat, por çmimin Nobel si përfundim e morën Jennifer Doudna dhe Charpentier.
Të dyja si Doudna ashtu dhe Charpentier e dinin që do të ndryshonin rrjedhën e historisë së njerëzimit?
Përveç këtyre të dyjave, edhe Mojica e dinte që të zgjidhësh misterin e Crispr, nuk ishte thjesht të zgjidhje një kuriozitet. Por në librin tim, flitet pikërisht se sa rëndësi ka ai kurioziteti i parë i treguar. Ata shkencëtarë nuk mendonin vetëm për rëndësinë e zhvillimeve teknologjike. Në 2012, një çast mjaftoi për të ndryshuar çdo gjë. Shkencëtarët zbuluan që kishin në duart e tyre diçka që do mund të ndryshonte gjenet dhe si rrjedhojë dhe jetët tona.
Që ka ndryshuar jetët tona, kjo është e padiskutueshme, si fillim, në çfarë përqindje ka ndihmuar në zbulimin vaksinave kundër COVID?
Jennifer e kuptoi menjëherë rëndësinë e ARN-së, ne të gjithë e dimë që si fillim njihej vetëm ADN. Vaksinat bashkë me sistemin që ndërhyn gjer në gjene janë zhvilluar njëkohësisht me ARN, duke e lehtësuar ndikimin në qelizë më drejtpërdrejtë.
Funksionet fizike dhe intelektuale, gjithashtu në librin e Aldous Huxley “Një botë e lumtur”, janë bërë shkak i debateve në të cilat shkencëtarët, pa teklif, janë bërë protagonistë.
Pasi u shpik teoria e manipulimit të gjeneve, Jennifer, përjetoi një ankth të tmerrshëm. Dikush iu afrua në laborator me gjasme që të kuptonte se çka bënin. Ajo ishte aq e përqëndruar saqë as nuk e kishte dëgjuar të hynte, veç kur ngre kokën shikon që ishte Hitler. Kur e kuptoi se sa në rrezik ishte, filloi të merrte masa thuajse drastike.
Përsa i përket origjinës së gjithësisë, a jemi ne njerëzit hyjnorë duke qenë se nuk po na rikrijojnë dot nga fillimi?
Origjina na shpie te miti i Prometeut, Adamit dhe Evës. Gjithsesi nuk duhet të harrojmë se jemi thjesht një ndër milionet e qenieve që janë mbi dhe. Jemi transformuar, falë talentit e mençurisë sonë. Ah sikur të ishim mjaftueshëm të mençur, që të dinim të merrnim vendime të mençura mbi çdo çështje.
A jemi të tillë?
Besoj se kemi qenë nëse do flasim për shpikjen e disa makinerive që e kanë ndryshuar botën. Kemi qenë dhe në lidhje me bombën atomike që pavarësisht se aty është, ne nuk e kemi përdorur më shumë se dy herë në gjithë historinë e njerëzimit. Nëse duam të përdorim këto njohuri për të krijuar një qenie njerëzore, duhet të tregohemi më të kujdesshëm. Ndaj dhe Jennifer ishte e alarmuar dhe kjo është padyshim dhe një nga arsyet pse e kam shkruar këtë libër.
I përmendni disa herë zbulimet shkencore në librin tuaj?
Më ka interesuar gjithmonë kjo fushë. Në rastin e Ajnshtajn-it përshembull, ai u mundua t’a shmangte prodhimin e armës atomike dhe pse ishte ai që e shpiku. Ndërsa shkencëtarët e tanishëm, kanë ngritur diskutimet mbi kufijtë e tyre, pra deri ku duhet të shkojë gërmimi në gjenetikë veçanërisht.
Në shekujt XX dhe XXI lind triniteti më i mrekullueshëm i kohërave: atomi, gjenet dhe bitet.
Besoj se janë tre zbulimet që do përcaktojnë fatin e njerëzimit. Në gjysmë e parë të shekullit XX shkenca ishte më e përqëndruar tek fizika, pjesa e dytë tek teknologjia, interneti dhe informatika; së fundmi dhe tek gjenetika, e cila sigurisht do të na e përmirësojë jetën përmes kurave mbi vaksinat, kancerin. Gjenetika dëshmoi se është më e rëndësishmja sidomos me kurën kundër koronavirusit.
Në biografinë që keni shkruar mbi jetën e Steve Jobs, ju përmendni se pasi të kishte arritur diçka, atëherë bota do të ishte një vend më i mirë. A është bota një vend më i mirë?
Unë besoj se mjetet e komunikimit na kanë përmirësuar, por rrjetet sociale kanë hapur probleme, sepse kanë shtuar ndasitë, e kanë plagosur demokracinë dhe kanë shkaktuar zënka pa thelb.
E gjithë kjo kënaqësi na shpie në instiktet tona më bazike? A nuk është pak paradoksale?
Rrjetet aq sa na kanë lidhur aq dhe na kanë polarizuar. Ka disa shpjegime, si fillim mediat, suksesi i tyre varet nga numri i klikimeve dhe fatkeqësisht zënkat dhe diskutimet rrisin numrin e klikimeve. Jo pak e përdorin këtë aksiomë për hir të klikimeve pavarësisht ndasisë që shkakton.
A bënë mëkat ata që dizenjuan botën virtuale, pra Zuckerberg, Gates?
Ndoshta po, sepse pothuaj nuk e konsideruan fare këndvështrimin moral. Besoj të gjithë e kemi të qartë se sa i rezervuar dhe i kujdesshëm ishte Steve Jobs me jetën e tij private përshembull. Nuk mund të lë pa përmendur dhe ndryshimin e madh që ekziston mes shkencës dhe rrjeteve sociale, nëse shkenca i kalkluon mirë të gjitha pasojat që do ketë një zbulim, investigim i ri, rrjetet sociale nuk i marrin parasysh fare pasojat në fushat sociale, kulturore, politike etj.
Ju ishit gazetar dhe tani shkruani biografi. Tek cili rol e gjeni më shumë veten?
Të shkruarit e një biografie, praktikisht konsiston në udhëtimin drejt vendlindjes së personit, njohjen nga afër të rrënjëve, këndvështrimet nga të afërm e miq. Unë jam gazetar “old school”, nuk punoj dot me axhendën e përcaktuar, e lë punën të rrjedhë.
Çfarë është për ty një lider?
Lider për mua është dikush që ka aftësinë të bashkojë. Jetojmë në kohëra ku njerëzve iu pëlqen të ndajnë. Bashkimi është çelësi dhe këtu dallon një lider, qoftë në politikë, shkencë, teknologji. Lider është dikush që ndërton që në themele një ekip ideal për parashtrimin dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve.
Shkrimi u përkthye në shqip nga Albana Murra
ObserverKult