Rrugëtimi i gazetarit drejt lexuesit

Nga Teuta Dhima

“Rrëfimet e një qyteti” është përmbledhja e dytë me shkrime që gazetari Gëzim Kabashi sjell për lexuesin, pas asaj titulluar “Me artistët e qytetit”, (botim i shtëpisë botuese “Jozef”, 2023). Në një paragraf të shkrimit që shoqëron librin e parë, Kabashi shkruan: “Uroj që ky libër të ndiqet nga një i dytë!” Dhe ja ku jemi, por ndryshe nga pjesa e parë e këtij libri, ku një pjesë e mirë e artistëve të qytetit u bënë bashkë, në librin që po vjen, rrëfimet kanë përmbajtje të ndryshme, por ndajnë të njëjtin qëllim: të dokumentojnë, të kujtojnë dhe të nderojnë njerëzit që në mënyrën dhe në kohën e tyre, kanë dhënë një kontribut në jetën e qytetit të Durrësit dhe jo vetëm.

Ky libër është fryt i një udhëtimi gazetaresk që nuk ka ndjekur thjesht lajmin e fundit dhe të bujshëm për të tërhequr lexuesin, por ka zgjedhur të ndalet pranë atyre që kanë kontribuuar në heshtje, në profesionin dhe pasionin e tyre, për të ndërtuar fytyrën qytetare të një komuniteti.

Do të gjeni në këto shkrime: artistë që kanë formësuar kujtesën estetike të qytetit; mjekë që kanë mbajtur gjallë shpresën në çaste të vështira; sportistë që kanë përfaqësuar dinjitetin dhe përkushtimin përtej kufijve të fushës. Të gjithë këta protagonistë nuk janë zgjedhur për famën, por për thellësinë e përvojës së tyre.

Me një vëmendje për t’u admiruar dhe një dashuri të qartë për njeriun dhe fjalën, gazetari Gëzim Kabashi sjell jo thjesht profile, por rrëfime që flasin me zërin e tyre. Jo vetëm dëshmi, por lidhje midis kohës së kaluar dhe asaj që po vjen, midis lexuesit dhe komunitetit të tij.  

Çdo shkrim i këtij libri të frymëzon për të dëgjuar më thellë, për të parë përtej titujve dhe për të vlerësuar atë që shpesh mbetet në hije: njeriun, në përmasën e tij më të vërtetë.

“Më pëlqen fjala rrëfim,” – shprehet Kabashi. Dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse. Titulli “Rrëfimet e një qyteti”, e personifikon qytetin, i jep zë, ndjenja dhe kujtesë sikur të kemi para nesh një njeri që po rrëfen historitë e veta. Përmbledh brenda tij ngjarje të shumta që lidhen me jetën urbane: ngjarje historike, kujtime personale, fate njerëzish të thjeshtë, transformime arkitektonike apo sociale. Secili rrëfim është një fragment nga jeta e qytetit, një kthesë, një kujtim kolektiv.

Një titull metaforik, që e sheh qytetin si një libër të hapur me shumë zëra, ku çdo rrugicë, ndërtesë apo kujtim ka një histori për t’u treguar. Vetë fjala rrëfime krijon një ndjesi ftese për lexuesin, për një bisedë personale dhe jo vetëm për një tregim formal dhe informues. Nuk do të mungojë përfshirja e tij dhe kureshtja për të zbuluar një sërë gjërash që nuk i ka ditur dhe po i zbulon përmes këtij libri.

“Rrëfimet e një qyteti” nuk do të lexohet vetëm nga durrsakët, por edhe nga lexues të tjerë që e kanë një qytet të tyre të zemrës dhe nëpërmjet ndjesive që do të përjetojnë, ata do të ndihen pjesë e asaj për të cilën rrëfehet.   

Gazetari Gëzim Kabashi i jep rrëfimit të tij një karakter universal, pasi tani nuk është vetëm historia e tij, dëshmia e tij, por edhe e të tjerëve. Ai e kthen lexuesin në një bashkëudhëtar emocional nëpër kujtimet, zërat dhe ndjesitë e qytetit. Rrëfimet e sjella në këtë libër janë botuar më parë në gazeta të ndryshme, por të grupuara në një libër, ato marrin vlerë dokumentare dhe historike duke u bërë kështu një arkiv i zhvillimeve, ngjarjeve, duke u ruajtur përtej jetës së përditshme të shtypit periodik. Ato vijnë si një mozaik idesh, opinionesh, këndvështrimesh dhe lexuesi merr një panoramë të qartë të temave dhe qasjes së autorit mbi çështjet që ai ka trajtuar. Në rastin tonë, Kabashi ka një stil të pasur dhe mjeshtëri gjuhësore, duke bërë që libri të vijë si një formë e reportazhit, eseistikës apo publicistikës narrative, ku njihesh jo vetëm me informacionin, por edhe me vlerat letrare dhe artin e të shkruarit.

Të dy librat e tij e kanë kthyer gazetarin në një autor të mirëfilltë, dhe lajmin e tij në një formë më të qëndrueshme. Në çdo faqe të këtyre dy librave vjen në mesazh për lexuesin i cili do t’u qëndrojë brezave: atë të rëndësisë dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së kujtesës kolektive. Ata janë pasqyrë e në kohe, e një stili dhe përvojave jetësore që iu flasin lexuesve.

Rrëfimet janë ndarë në kapituj tematikë për ta bërë leximin më të rrjedhshëm. Brenda çdo ndarjeje tematike, ka një tjetër ndarje alfabetike.

Ndarja tematike ndihmon për të vendosur një strukturë të brendshme mes shumëllojshmërisë së materialit, që nënkupton një vazhdimësi tematike, pa humbur unitetin. Kështu, janë veçuar shkrimet për personalitete të fushës së mjekësisë, sportit, kulturës dhe artit, historisë dhe kujtesës, si dhe ato që lidhen me jetën qytetare dhe trashëgiminë profesionale.

Ky organizim u bë jo për të renditur njerëzit sipas rëndësisë, por për t’u dhënë lexuesve mundësinë që të ndalen më gjatë në temat që i prekin më shumë, dhe për të zbuluar përmes secilës prej tyre, pulsin e një qyteti të gjallë. Brenda rrëfimeve përfshihen edhe intervista duke i ofruar lexuesve një formë të përzier të shkrimit publicistik, ku ndërthuren elementët narrativë me ato dokumentarë ose dëshmues.

“Zëra përtej qytetit” është një ndarje më vete brenda këtyre rrëfimeve. E përbashkëta e tyre është se janë botuar të gjitha në gazeta lokale, në media kombëtare apo në BIRN (Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese), ku vazhdon të punojë aktualisht.

Shkrimet nuk mbeten vetëm brenda kufijve gjeografikë të qytetit, por trajtojnë ngjarje, personazhe, problematika, që shkojnë më tej.

Në këtë mënyrë gazetari Gëzim Kabashi, është bërë dëshmitar i kohës së tij. Me të dy librat, ai i ka dhuruar qytetit një kujtesë të shkruar, ku spikat mirënjohja për njerëzit që kanë jetuar në këtë qytet dhe kanë dhënë kontributin e tyre. Përmes vëzhgimit, syrit të mprehtë dhe ndjeshmërisë së fjalës, ai ka sjellë për lexuesin atë që jo pak herë mbetet e padukshme, pas një profesioni, apo pas një emri. Këtij kontributi të vyer të gazetarit në kulturën qytetare, i bashkohen edhe dokumentarët të cilët iu kushtohen personaliteteve të shquara, përmendim: “SHËN GJERGJI’ ME TRI PASIONE TË MËDHA”, kushtuar regjisorit, shkrimtarit, përkthyesit, “Nderit të Kombit”, Gjergj Vlashi; “VANGJEL TOÇI, ARKEOLOGU VIZIONAR I QYTETIT ANTIK”, kushtuar zbuluesit të monumenteve të Durrësit dhe Krijuesit të Bibliotekës së qytetit, nismëtarit për ndërtimin e Muzeut Arkeologjik në Durrës, Vangjel Toçit; “KLERIKËT MIQ TË DURRËSIT”, kushtuar: Myftiut Mustafa Varoshi, At Erazmi  Jorgo, Ipeshkvit Jul Bonati dhe Ipeshshkvit Vinçenc Prendushi, të cilët para së gjithave ishin miq, pastaj drejtues.  

Gëzim Kabashi, ka krijuar një arkiv jo vetëm profesional, por edhe emocional, një dhuratë për komunitetin të cilit i ka shërbyer e vazhdon t’i shërbejë me shpirt, një kujtesë të gjallë për qytetin ku përzihen: emra, kujtime, zëra dhe rrëfime. Lexim të këndshëm!

ObserverKult


Lexo edhe:

GAQO TASHKO, SHKENCËTARI QË MIDIS DY DASHURIVE ZGJODHI SHQIPËRINË