Ruani dinjitetin o burra, mos u koritni tani në pleqëri!

Letër e hapur e studiuesit të Shkencave të Administrimit, Roland Bejko, drejtuar artistit Viktor Zhusti

Përshëndetje Viktor, uroj të jesh mirë. Të jesh pro a kundër prishjes së teatrit është e drejta jote sigurisht. Po një gjë nuk kuptova unë, si ka mundësi që ti të firmosësh symbyllurazi një peticion të bërë kushedi në ç’zyrë pushteti pasi qeveria dhe bashkia kanë marrë vendime të njëpasnjëshme për prishjen e godinës. Është non sens.

Megjithëse ti nuk je jurist a burokrat që ta dish që këshilli i bashkisë në bazë të ligjit nuk e ka kompetencë të marrë vendime për prishje godinash, për më tepër teatrin. Dhe për më tepër akoma kur Qeveria i kaloi në pronësi vetëm truallin bashkisë dhe jo godinën. Dhe në këto kushte, për çfarë duhej ai peticion? Kujt i drejtohej postum? Qeverisë? Bashkisë? Po ato e kanë marrë tashmë vendimin e prishjes. Si artist i lexuar, të paktën ti e di që peticionet janë atribute të të “dobëtëve”, të pambrojturve, si një mënyrë për ti adresuar qeverisë, “të fortit” dmth, një kërkesë me një tis të hollë revolte dhe pakënaqësie, apo dhe një farë kërcënimi brenda…etj. Kështu që pasi qeveria e kish marrë këtë vendim, peticioni juaj nuk vlen më në dobi të zgjidhjes së konfliktit

Aa, vlen për diçka. Ngaqë Edi Rama me konen e vet të bashkisë e dinë që është një vendimarrje jo legjitime, dhe për ti dhënë legjitimitet moral aktit të tyre në sytë e opinionit publik, përdorën firmën tuaj, emrin dhe reputacionin tuaj prej artistësh, si meikap.