Rudina Çupi: Shpresa është një ninullë e keqe

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.

_____________________________________

Flasim përhanshëm me poeten Rudina Çupi

Nga: Xhemazije Rizvani

U linda më 1975 në Durrës. Rudina është një grua (që është dhe autore). Si grua më pëlqen natyra, udhëtimet, puna, fëmijët, cilësia, zgjedhjet, ligjërimi, dashuria, mirënjohja, vlerësimi, kënaqësia, shija e mirë, arti… Si autore, reflektimi, ligjërimi, biseda e mirë janë “ushqimi” i preferuar po aq sa leximi.

Krijimtaria ime e para-pak-kohshme kanë qenë vajzë e vetme: poezi me librat “Shkopsitje”, “(®)”, “ Të gjitha të drejtat janë të rezervuara” . Por çdo gjë që shkruan mbart frymë. Puna e përditshme me librin: me përkthimin, redaktimin, mësimdhënien, leximin më ka shtyrë drejt rrugëve të reja, si libri didaktik për mësuesin apo libri didaktik dhe letrar për fëmijët. Të gjitha këto më përmbushin, janë si enët komunikuese që paçka se japin e marrin me njëra-tjetrën, mua më lënë në nivel, në atë nivel që quhet zhvillim.

Çfarë të bind se dashuria është mbi gjithçka?

Dashuria?
Të mbush me cicërima xixash që ngjiten përpjetë
Një gjilpërë që të futet në mish
të gudulis
me perin më të hollë të kenaqësisë
e kalon nga mishi në shpirt….
Lugë e futurë në gotën e qumështit të nxehtë që të mos plasë
Ne ngjajmë si shkopinj restoranti kinez
me instinktin sa një kokërr orizi në mes

Pse është e pakryera kohë e poetëve?

Artistët = kur i lidh, ikin; kur i zgjidh, rrinë. Kjo është formula për lirinë e artistëve, që përbën edhe embrionin e krijimtarisë së tyre. Krijimi është sport individual, unik dhe original. Poeti në veçanti ka në një raport të zhdrejtë me kohën dhe me habitatin e tij: ironinë (e brendshmen dhe të jashtmen). Shkrimtarët, e kryesisht poetët – këta njerëz të mëdhenj nga brenda e të vegjël nga jashtë – janë bartës-beteje-me-dy këmbë, të betejës mes ndërgjegjes gërryese dhe egos nxitëse. E kanë vazhdimisht të vështirë të ruajnë ekuilibrin mes veprës së vet dhe vetes. Ka dhe raste kur e ndiej se këto kapen përdore, por ka raste kur nuk di të dalloj nëse jeta dhe vepra ime kanë marrëdhënie respekti apo dashurie. Ato ruhen dhe druhen nga njëra-tjetra. Ia kanë frikën. Kështu që ka gjithnjë të pakryer në jetën e një shkrimtari, si në raportet me veprën, ashtu edhe në atë me kohën ku jeton, por dhe me të tjerët dhe tërësinë e të ngjashmëve si ai.

Si zbutet zemërimi yt?

Duke shkruar me shpejtësi kilometrike gjërat më të guximshme që po t’ia thuash dikujt në sy mund ta humbësh përgjithmonë; ose duke ngarë makinën nëpër rrugë të harruara, me shumë natyrë përreth e me muzikë të mirë, ose duke biseduar me një mik të mirë rreth një tryeze restoranti me drita të ulura të mos më dallohen lotët, ose nën çadër, në intimitetin që të fal ajo gjysmë-mbulesë si kube e afruar mbi kokë duke reflektuar nën shi… varet nga dita.

Cilët janë shkrimtarët tu të preferuar?

Veprimtaria e përditshme më lidh me shkrimtarë të kohëve moderne të cilët të argëtojnë, por shije të mirë dhe frymëzuese më lënë vazhdimisht shkrimtarët e letërsisë për fëmijë, si Roahl Dahli, Antoine de Exupéry, Michael Ende, Astrid Lindgren… të cilët nuk futen te klasikët e mirëfilltë. Ata kanë një lloj ndjeshmërie të dlirë, fantazi të kulluar dhe shumë pak përlyerje të kohës, saqë mbeten gjithnjë mbresëlënës… Kur them mbrësëlënës e them duke i mëshuar fjalës, pasi sa më shumë të rritesh në moshë, aq më të konsumuara i ke antenat ndjesore për të pëerceptuar mrekullimin apo admirimin, e aftësia e gjykimit ia zë vendin si grami, gjëra këto që ta ngushtojnë ndjeshmërinë për t’iu gëzuar kënaqësisë për të pasur për zemër një shkrimtar. Por ka shumë zëra femërorë të botës së poezisë që më lënë mbresa, me një krijimtari që të mbetet në mendje dhe një shije të mirë krijimtarie.

Po poezitë që i keni më për zemër?

Janë ato kushtuar dy vajzave të mia, të titulluara “Fëmija im ujor” dhe “Ti je kryengritja më e bukur që kam”, si poezia “A ke thithur ndonjëherë dorëzonjë”. Ndër poezitë e mendimit, ato të metaforës apo të peizazhit, këto janë më të ndjeshme, ndaj i kam për zemër. Po edhe ato të qasjes së vetë poezisë, të hulumtimit të vetvetes prej gruaje, të raporteve burrë-grua me lirinë, që më ngucin si hosten që të shkruaj vargje si këto: Burri e mban kokën nga Lindja, e sheh bitën me barrë / Gruaja i mban këmbët rrëzë vend-lindjes dhe sheh me dhimbje Horizontin / që ka ndërruar si mbiemri i saj.

Libri më i bukur që keni lexuar?

Ka shumë libra që unë i mbaj gjatë në duar, lë shenja e simbole, e në faqet e fundit shkruaj poezi të frymëzuara. Këta i shënoj në fletën e parë me pesë yje: pjesa më e madhe e tyre është poezi. Nuk di të veçoj prej tyre.

A jetohet me letërsi?

Ndryshe nga çdo profesion tjetër që të dhuron karrierë apo pagë të llogaritshme, artistët – edhe si idealistë që janë – me termin “të shpërblyer për punën e tyre” kuptojnë edhe vlera që nuk përfundojnë me një varg zerosh, por me një varg përgëzimesh apo fame (arti është një pulë që bën vezë të arta, jo një pulë që pjell përditë). Por nëse flasim në terma ekonomikë, të paktët që e shesin veprën e vet 5 mijë deri në 10 mijë lekë të vjetra (prej të cilave vetëm 10% janë të tyret) janë shkrimtarët / poetët, që janë edhe shuuumë më modestë se kaq, pasi në çështjen e “shpërblimit” nuk kanë as pulën, as sorrën (as vlerësimin moral e as atë material / monetar) e madje shumë prej tyre jo vetëm që nuk marrin, por japin: e paguajnë vetë botimin e librit dhe më pas e falin atë, me dëshirën e brishtë që të lexohen / të kenë lexues.

Pranimi i kësaj i ka shndërruar në persona vunerabël, ndaj të cilëve duhet pasur më shumë keqardhje, sesa vlerësim (ose gjykim), duke e bërë kështu shkrijimtarinë një profesion të mëshirueshëm, të cilit, të paktët që i hedhin ndonjë qindarkë në dorën e zgjatur të lypjes janë lexuesit (dhe e keqja është se ndryshe nga lypësi real që i gëzohet qindarkave teksa blen diçka të mbushë barkun e të sigurojë vazhdimësinë e ekzistencës, njeriu i letrave nuk mund t’ia lejojë vetes mosmbushjen e shpirtit e të pranojë se ka përfunduar në derexhenë e ekzistencës).

Njeriu i letrave trajtohet si “jetim”, mbi të cilin nuk bie vetëm fatkeqësia e mosfunksionimit të sistemit (letrar dhe tregtar), por trajtohet edhe si bartës i përgjegjësisë kryesore se ai bën diçka ta çojë veprën e vet te lexuesi (punë edhe para-se-të-dalë-në-treg dhe pasi-të-dalë-në-treg). Ai e ndien veten “jetim” teksa kupton se është vetëm në prodhim-tregtimin e veprës letrare (është “produkt kulture” dhe si e tillë kërkon një punë në ekip dhe se ai vetë është vetëm njëra hallkë (botuesi, media, kritika, ministri kulture janë të tjerat dhe ai duhet të bëjë edhe punën e këtyre “të mëdhenjve”). Po e patë një poet duke folur me vete, ka shumë gjasa se është duke mallkuar veten që nuk prodhon kos, pasi tashmë produkti i tij do të ishte duke u reklamuar në çdo rrugicë të qytetit me moton shekspiriane: “Kosi hahet apo pihet?”, pasi autori vetë produktin e tij fillimisht ia blen (shtëpisë botuese), e pastaj e shet me çmim shumice (librarit), pasi ka dëgjuar nga të dyja palët: “poezia nuk ecën”.

I takon Ministrisë së Kulturës që, ashtu siç kujdeset për turizmin kulturor, të fusë në listë edhe kujdesin për “turizmin shpirtëror” dhe shprehja “Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës” të vihet jo vetëm mbi libra, por në shumë aspekte të jetës letrare.

Përse shkruani ju?

Shkruaj që të jepem: për të provuar deri ku më shpie guximi e liria; shkruaj të shfryhem, të eglendisem, të qëndismoj fjalët në vargje, të nxjerr prej vetes estetika të reja; të përshfaq mësimet e përvojës, të ndjell lexuesin, të luaj me ritmin si në një valle, të gjej lidhje prej fijesh merimange me letërsitë e të tjerëve, të shpreh bashkëkohësinë, të zgjeroj këndvështrimin e befasinë, të shpreh lirizmin dhe fortësinë e fjalës dhe, mbi të gjitha, të përdor mjetet e shqipes për të krijuar fjalë të reja që rrojnë vetëm në perandorinë e tekstit letrar e mbi të gjitha të mbaj në zhvillim stilin tim… lista e gjatë e arsyeve pse shkruaj lidhet ngushtë me natyrën e secilës poezi. 

Ç’kanë magjike ditët?

Magjia është xixëlluese dhe xixat janë gjërat më të vogla të shndritshme. Kështu edhe ditët e kanë magjinë te aroma, te përqafimi, te fjala e mirë e një lexuesi, te befasitë e bukura që nuk i pret, te lulet dhe gota e verës, te intimiteti, te soditja e te reflektimi përgjatë shëtitjeve, por sidomos te dashuria… asgjë nuk ka superfuqinë e saj.

A ka të ardhme të gjatë libri?

Po, por nuk ka për të qenë asnjëherë produkt supermarketi… jo më kot ekzistojë libraritë si dyqane të posaçme të një produkti kaq sipëran, ama, për fatin e keq, libraritë dhe bibliotekat do të vijnë gjithnjë duke u pakësuar, sepse leximi mbetet proces-thesar vetëm për njerëz me shpirt elitar (me shije “aristokrate”) dhe shumë shpejt do të sillemi me to si me papirusin: diçka e vyer e së shkuarës. Shtëpitë që kanë mobilien “bibliotekë” do të jenë gjithnjë e më të rralla e do të mbeten rudiment. Mbase nuk është kaq vranët për leximin si proces, pasi forma të tjera virtuale do të mbushin përditshmërinë.

Arti dhe gratë janë fajtorë të mëdhenj? Pse?

Krijuesit janë një, po nuk janë të parët.
Arti dhe gratë janë fajtorë të mëdhenj, sepse krjuesit nuk duhet të dorëzohen:
Kur gratë panë sesi ia përdorën / bijtë për luftëra e bijat si fajtore / filluan ta ekonomisin krijimin (…) Njerëzit krijuan çifte jo-bir-bërëse / dhe bota është lehtuar, përnjëmend… / Por arti dhe gratë janë fajtorë të mëdhenj…
Çdo gjë është lehtësisht e pushtueshme ose e rrënueshme kur krijuesit dorëzohen… Krijuesit e jetës, krijuesit e artit, mbërështuesit e shpirtit me dorëzimin e tyre i hapin rrugë sunduesve, kaosit, shpërbërjes… Ata kanë misionin e Prometeut, vuajtjen: për shkak të dhurimit të zjarrit / artit, i cili është po aq i rënësishëm sa dhurimi i gjakut / jetës. Nëse ata mposhten prej dhimbjes, zjarri platitet e fashitet.

Cilat të vërteta i ke mësuar vonë?

Të vërtetat… Shumë gjëra që na kanë mësuar kanë qenë interpretime të njëanshme të të vërtetave, sipas midesë së atij që i ka servirur. Vjen një moshë dhe të vërtetat të feksin në sy me të njëjtën forcë të pakundërshtueshme si ajo e diellit që agon e mbush bitën me dritë.

Pse është shpresa ninullë e keqe?

Çatitë e dinë se shpresa është një ninullë e keqe, / se ëndërrimi është hashash për të mos ndier dhimbje…
Ja pra, se shpresa të mban lidhur, të vë shqisat në gjumë, duke të të frenuar rebelimin apo kryengrehjen e duhur që i duhet zhvillimit për të të rritur.

Cili lexues të motivon më shumë, fëmija apo i rritur?

Shkrimtari ndihet disi si “Rosaku i Vogël i Shëmtuar” në këtë realitet shpërfillës dhe gati mospranues – vlerësime të tilla e bëjnë të ndihet një mjellmë.

Kujt do t’ia dedikoje më të bukurat vargje?

Atyre që dua, atyre që jepen, atyre që zhvillohen….

Ç’të bën njeri me Nj të madhe?

Të qenët i vërtetë, mirënjohës, bujar, dashamirës, por edhe i qëndrueshëm, i mëvetësishëm, i pavarur dhe i guximshëm…. shkurt: një njeri që ndikon.

Çfarë mësuat në karantinë?

Se gjërat e vogla vlejnë, se vërtet heshtin, janë aty për të të shërbyer, por vajmedet nësë nuk ua vë veshin… Ky virus luftphej me pastërti, me ajër të pastër dhe me vitaminë D…. a i kemi vlerësuar ndonjëherë kaq shumë? 

Ç’është më lehtë se të merresh me poezi?

Shumë gjëra. Të gëzohesh për shembull!

Cili është kryemëkati?

Të mos bësh marrëzira. (Edhe… të mos jesh për dikë. Të mos jepesh. Të mos japësh vëmendje. Të mos shohësh qartë.)

ObserverKult