Nga Rudina Papajani
Dikush më thotë si duhet të qesh, si duhet të eci në rrugën time, si duhet të transformohem.
Ej zotrinj, e kuptoni që jam e lirë…Nuk i dua këto rregullat tuaja që po më mbysin.
A e dini që unë dua të eci pranë valëve sa agon, pikërisht atëherë kur bie ajo vesa dhe lag butësisht atë lulen e sapombirë. Kështu jam unë me këtë jetën e çmuar që zoti më fali.
E ndërsa dikush pëlqen luksin, paranë, unë dua të jetoj paqësisht, çiltërsisht, të qesh edhe atëherë kur jeta duket gri, edhe kur dikush i trembet çdo gjëje që i ngjet.
Nuk e dua këtë ftohtësinë e largët të internetit. Njerëzit që kanë harruar fjalën mall, shpirt, zemër.
Sikur ta dija që zoti më dëgjonte do i thërrisja: bëje të ligun të ëmbël.
Stuhinë mes tyre ktheje jetë, breshërin e fjalëve të hidhura ktheje gjethe të harlisura,
errësirën e shpirtit shembe si një dru i keq dhe në të mbill fatin e pamposhtur të diellit që agon.
Dikush më thotë të programohem, të marr nga unë çdo ditë të shpirtit tim,
të rrëmbej shpresën time, trenat e mallit tim dhe t’i arratisi në numra apo shifra të ftohtë llogarish.
Zotrinj unë s’jam roboti juaj, nuk jam manekine që ti qesh dhe më transformon sa herë të fillon humori jot i zi.
Oh po, ti se ndjen se unë kam gjak në deje, kam forcën dhe zemrën që as mali nuk e shemb sepse jam tokësore dhe jo lodra jote e vogël.
Kështu jam unë frymë e tokës, ajri i diellit që më ngroh, përherë do të jem malli dhe shpirti i një bote që nuk kthehet në numër robotik.
Sot më vjen mirë që gjurmët e jetës takohen me rininë që vërshon si lumë pranë një rrebeshi…
ObserverKult
Lexo edhe:
“KAM QENË I MARRË, O NËNË MË FAL…” POEZINË E TEODOR KEKOS E LEXON RUDINA PAPAJANI