Profesor Ruzhdi Ushaku: Portreti intelektual dhe shkencor i ditëlindjes së tij
Nga: Begzad Baliu
Profesor Ruzhdi Ushaku lindi në Ulqin më 1 maj 1938. Shkollën fillore e kreu në Ulqin (1953), Normalen në Prishtinë (1957), ndërsa Degën e Romanistikës të Fakultetit Filozofik në Sarajevë (1964), studimet e magjistraturës në Fakultetin e Filologjisë në Beograd (1972) dhe studimet e doktoratës po në Beograd (1979). Ka kryer një varg studimesh dhe specializimesh në Francë dhe qendrat frankofone.
Është autor i veprave Kërkime filologjike (1981), Hipotetične reèenice sa SI u savremenom francuskom jeziku književnih tekstova (1983), Paralele të ligjërimit poetik (1986), si dhe vëllimeve Ulqini në gjurmët e shekujve (1991), Hulumtime etnolonguistike (2004), Studime onomastike (2006) etj. Jeton e punon në Prishtinë.
Profesor Ruzhdi Ushaku është sintaksologu, morfologu, leksikografi, onomatologu, ballkanologu, komparativsti, diakronisti, homerologu e frankofonisti, i cili me veprën e tij, studimeve shqiptare ju ka dhënë përmasat ballkanike dhe mesdhetare; i cili me metodat dhe konceptet shkencore, si pak studiues, bashkëkohës të tij, dijes shqiptare i ka dhënë frymën evropiane. Me të gjitha këto dhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me metodën, gjuhën, kulturën dhe sidomos durimin e kërkimit, Profesor Ruzhdi Ushaku radhitet ndër ata filologë shqiptarë, të cilët me metodat më bashkëkohore të kërkimit kanë prekur epokën homerike të gjuhës, traditës, historisë dhe kulturës shqiptare. Sigurisht kjo është arsyeja pse veprës së tij, në vazhdimësi i janë referuar studiuesit nga radhët e shkencëtarëve shqiptarë e të huaj.
Profesor Ruzhdi Ushaku është njëri prej personaliteteve të shquara në studimet shqiptare, ballkanike dhe ndërkombëtare, i cili e ka ndërtuar një sistem dijeje komplementare në studimet filologjike shqiptare, mbi të cilin sot mund të krijohen rrafshe të reja në studimet albanologjike. Studiues i përkushtuar dhe i formuar në institucionet më të larta akademike e universitare të Prishtinës, Sarajevës, Beogradit, Parisit etj., ai sot përfaqëson njërin prej personaliteteve të veçanta shkencore të përmasave vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.
Gjatë një periudhe gjysmëshekullore prej mësimdhënësi dhe profesori universitar ai ka ligjëruar dhe mentoruar kandidat magjistrature e doktorate në shumë universitete vendore e ndërkombëtare, nga Universiteti i Prishtinës deri te Universiteti i Parisit; ka botuar dhjetëra vëllime shkencore e didaktike, duke përfshirë këtu edhe kryeveprat: Enigma e Aristofanit, Paralele të ligjërimit, Hulumtime etnolinguistike, Ulqini nga dritaret e kohës, Ulqini në gjurmë të shekujve, Enigma e Valdanosit etj.; si dhe, ka mbajtur kumtesa në mbi 80 konferenca shkencore kryesisht me karakter ndërkombëtar. Gjatë kësaj periudhe është nderuar me dhjetëra mirënjohje duke përfshirë edhe Mirënjohjen e nderit nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Së fundi ai i është përkushtuar shumë studimeve mbi pasurinë arkeologjike, folklorike, etno-kulturoe, në të vërtetë trashëgimisë materiale e shpirtërore të shqiptarëve në hapësirën e Malit të Zi. Kjo është edhe arsyeja pse sot mund të thuhet se më parë se sa individët dhe partitë politike ta bënin betejën intelektuale për fatet e sotme të shqiptarëve në Mal të Zi, betejën e madhe intelektuale dhe shkencore për origjinën dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore të shqiptarëve në Mal të Zi dhe në ish-Jugosllavi e ka bërë Profesor Ruzhdi Ushaku me veprën shkencore të tij.
A nuk janë këto disa prej arsyeve të mjaftueshme, që vepra e tij është botuar jo vetëm për lexuesin shqiptar po edhe për lexuesin e huaj në gjuhën malazeze, serbe, franceze, italiane, angleze e madje dhe japoneze.
ObserverKult
Lexo edhe: