Kishte të drejtë, Homeri? A e ka rrëfyer ai, atë që duhet? Këto pyetje, janë ngritur nga shumëkush në kohë të ndryshme dhe përgjigja, ende mbetet objekt debati… Por, tanimë mund të themi se shumë prej ngjarjeve që tregohen tek “Iliada”, si rrethimi dhe rënia e Trojës, janë pjellë fantazisë. Megjithatë, ka edhe diçka të vërtetë.
Përfundimi i një epoke
Për shembull, rënia e Trojës është ngjarje e vërtetë. Ajo u shënua në Epokën e Bronzit të Vonë (1300-1200 para erës sonë), kur sistemi politik dhe ai ekonomik në rajonin e Mesdheut po transformohej dhe tensionet, migrimet masive dhe luftrat e brendshme, sollën kalimin në Epokën e Hekurit.
Tranzicioni, nuk qe i lehtë. Shumë qytete të pasura, si Troja, Mikena apo Tirinto, u shkatërruan dhe u braktisën, ndërsa historia e tyre u tregua për shekuj me radhë. Vetë Homeri (ose kushdo tjetër, pasi ka nga ata që dyshojnë nëse ai ka ekzistuar vërtet), 400 vjet më vonë rrëfeu rënien e njërës prej atyre fuqive.
Qyteti tregtar
Sipas arkeologëve, Troja ngrihej jo shumë larg Çanakalasë së sotme (Galipoli) në Turqi, në grykën e Ngushticës së Dardaneleve. Ajo numëronte rreth 10.000 banorë dhe ishte një qytet shumë i pasur. Grekët e lashtë e quanin Ilios, ndërsa për hititët, populli i luftëtarëve që e kishin nën kontroll, ishte Vilusa. Për të dy popujt, dominimi i këtij qytetit kishte rëndësi strategjike mbi menaxhimin e tregtisë midis Mesdheut dhe Detit të Zi.
Gjithmonë në luftë
Gjithsesi, asnjë dëshmi historike nuk e konfirmon që Vilusa ra në duart e mikenasve, siç na tregon Homeri. Shkurt, nuk ishin akejtë, me në krye Agamemnonin (biri i mbretit të Mikenës), ata që e shkatërruan.
Megjithatë, zbulimet arkeologjike të shekullit të kaluar, kanë konfirmuar ekzistencën e një sistemi politik kompleks në Trojë, të ngjashëm me atë që përshkruante Homeri. Sipas disa teksteve të zbuluara në kryeqytetin hitit (Hatusha), Vilusa ishte një qytet i fuqishëm, nën drejtimin e mbretit Alaksandu, që mund të korrespondonte me princin trojan, Paridin, emri i lindjes i të cilit, sipas Homerit, ishte Aleksandër.
Përgjatë dekadave gërmimesh, janë zbuluar skelete, maja shigjetash dhe gjurmë të shkatërrimit masiv, që gjithashtu flasin për një fund të dhunshëm të qytetit dhe banorëve të tij e ndoshta, për një luftë tjetër.
Nuk ishte faji i një gruaje…
Nuk ishte Helena, gruaja e mbretit të Spartës, Menelaut, ajo e cila, pasi u rrëmbye nga Paridi i Trojës, shkaktoi luftën e fundit në Ilio. Arkivat hitite, tregojnë se grekët, kryen një seri fushatash ushtarake në Turqinë Perëndimore, duke bastisur gjithçka e rrëmbyer njerëz, që më pas shiteshin si skllevër.
Situata shkaktoi tensione të pashmangshme, ndoshta edhe luftë, kjo e konfirmuar nga një dokument, që aludon mbi një traktat paqeje të nënshkruar rreth vitit 1200 para Krishtit, midis grekëve dhe hititëve, për Trojën, transmeton ‘konica.al’.
Kali i Trojës
Disa nga faktet që lidhen me “Iliadën”, mund të jenë trilluar ose thjesht, keqkuptuar. Ka një debat të hapur mbi mitin e Kalit të Trojës, rrengu i akejve për të pushtuar qytetin. Në vitin 2016, një arkeolog nga Universiteti i Marsejës, Françesko Tiboni, zbuloi në një studim se “kali” mund të ketë qenë në fakt, një lloj anije fenikase shumë e zakonshme për kohën, e quajtur hippos (kali), për shkak të figurës së zbukuruar. Nga këtu, rrjedh miti, apo edhe keqkuptimi i përkthyesve.
Sa vite në llogoret e luftës?
Edhe kohëzgjatja e asaj fushate të përgjakshme ushtarake, është po ashtu, objekt debatesh. Tek “Iliada”, thuhet se ulje-ngritjet dhe rrethimi zgjati 10 vjet. Por, për disa studiues, ai mund të ketë zgjatur shumë më tepër, ndoshta për disa breza, aq sa të linte një ndikim të madh edhe në imagjinatën e tyre.
Përfundimisht, është e vështirë të thuhet nëse të paktën disa nga heronjtë, bëmat e të cilëve na i tregon “Iliada”, kanë ekzistuar vërtet. Por. në vitin 2010, profesori Atanasio Papadopulos nga Universiteti i Janinës. në Greqi, bëri një zbulim.
Ai tha se, gjatë gërmimeve 16-vjeçare në veri të Itakës, duke gjetur mbetjet e asaj që ata besonin se ishte pallati i Uliksit, Odiseut, duke sugjeruar kështu që disa nga protagonistët e poezive homerike, janë realë.
Nuk përjashtohet mundësia që gërmimet e reja, të zbulojnë detaje të tjera të rëndësishme, por sot për sot, nuk mund të themi më shumë së kaq. Ajo për të cilën, bien të gjithë dakord, është vlera e madhe e kësaj poeme, sa edhe poeti i madh italian Xhakomo Leopardi, ka thënë se “gjithçka është përsosur që nga koha e Homerit e më vonë, por jo, poezia”.