Nga Ervina Toptani
Sa herë pres biletën për t’u kthyer në shtëpi, netë të tëra nuk më zë gjumi nga gëzimi. Shtëpia është gjithmonë atje ku është mami e babi, ku porta nuk mbyllet kurrë se mos ndoshta vjen goca një mëngjes a një mbrëmje të vonë e s’mund ta gjejë derën mbyllur.
Sigurisht të gjithë ne të larguarit nga Atdheu kemi ikur për arsye nga më të ndryshmet, për të gjetur njëfarë zgjidhje për shumë probleme që na është dukur se diku gjetkë do të shikonim dritë. Ndërkohë jeta rrjedh shpejt, prindërit plaken, pamundësia fizike i mundon çdo ditë e më shumë e ne sado zgjidhje gjejmë në tokë të huaj i shtojmë vetes mallin e pafund e ajo “gropa” në fund të stomakut qëndron si gojë e pambyllur që nuk mbushet me asgjë përveç dashurisë së njerëzve të dashur.
E vuaj tmerrsisht, prej vitesh largimin. Vij sa herë mundem dhe e bëj surprizë ardhjen time për prindërit pothuajse gjithmonë që të mos i le në merak. Kalon në një frymë çasti java që jam me ta e largimi më bëhet i pamundur.
Do ta gjej derën përsëri hapur herën tjetër?
Do munden të dalin të më përcjellin tek dera të dy?
Nuk e di ku e gjej forcën që para tyre të mos derdh lot e ta mbaj veten të buzëqeshur që ata të mos e kuptojnë që zemra ime thyhet njëmijë copash sa herë u puth duart ditën e ndarjes. Ai përqafimi me kokën time zhytur në gushën e mamit e pastaj të babit për t’u nginjur me aromën e jetës që s’më mjafton kurrë është dhimbje shumë e madhe për mua.
Nuk u mësova dot asnjëherë ta lë Shqipërinë në Shqipëri por e marr me vete ne çantën e dorës, në portofolin ku kam fotot e fëmijëve e të prindërve, e marr me vete në zemrën e thyer nga malli, e kam futur në irisin e syrit prej ku shoh dritën.
Kushedi sa shqiptarë të tjerë e vuajnë mallin njësoj si unë e sa shumë të tjerë e kanë vuajtur po njësoj përpara meje. Mbetem çdo ditë që zbardh e çdo mbrëmje që ngrys me të njëjtin refren në mendje: nesër është dita perfekte për t’u kthyer përgjithmonë në shtëpi. E si unë kushedi sa shqiptarë të tjerë…
ObserverKult
Lexo edhe:
ERVINA TOPTANI: MË DHEMB NË SHPIRT ENDE DHIMBJA E TYRE E PATRETUR