Vis-à-vis
(Riprodhimit të këtij shënimi, shkruar moti, i dhanë të drejtë “ripranverimi”, disa përurime librash që ngjanë gjatë këtij, viti në Prishtinë, sidomos).
Bajram SEFAJ
Krejt çfarë synohet të thuhet në këtë shënim të shkurtër, mund të përmblidhet në një fjali të thjesht është: sa keq është kur flitet kuturu!
Por, kësaj radhë nuk është fjala për të keqen e fjalës kuturu në përgjithësi. Jo, larg asaj. Në shënjestër është fjala kuturu që, mjerisht, përsëritet aq shpesh, gati-gati saherë që ngjanë përurimi i ndonjë libri letrar apo çfarëdo publikimi tjetër. E kjo, për fat të mirë, (promovimet e librit), po ndodhin aq shpesh ndër ne, sidomos në Tiranë, në Prishtinë, por edhe në qendrat e tjera më të mëdha të Shqipërisë dhe të Kosovës së pavarur.
Në këto përurime (urime!), mblidhen (tubohen) shumë njerëz, supozohet të jenë, të gjithë, dashamirë të librit. Ata janë dasmorë. Janë miq të autorit dhe të librit (krijimit) të tij shpirtëror. Sa mirë. Kur nderojnë edhe autorin edhe veprën, njëkohësisht. Nuk ka më mirë se kur gjenden përballë njeri tjetrit, autori me lexuesin e tij. Kjo nxitë etjen që në këto përurime të këtë sa më shumë të pranishëm. Sa më shumë dasmorë. Sa më e madhe dasma aq e më i madh gëzimi, më e madhe hareja, solemniteti. Asgjë më bukur se kur salla e promocionit është plotë më pjesëmarrës në solemnitet. Kur në heshtje ndiqen fjalët (e zgjedhura) e atyre që flasin për autorin dhe veprën e tij, që përurohet. Është ky rast i mirë, mbase edhe jetik që, autori ta njohët më përseafërmi. Të mësohet për të, të dihen për të edhe ato që nuk janë ditur, aq sa duhet…
Deri këtu çdo gjë është në rregull. Në rregull vazhdon të jetë deri në çastin kur referuesit për veprën në përurim, të mbarojnë fjalën e tyre.
E keqja fillon në çastin kur referusit, ose udhëheqësi i ceremonisë vetë, ua jep fjalën lexuesve të pranishëm, pjesëmarrësve në përurim. Kur janë të lirë të shfaqin mendimi, vlerësimin e tyre të lirë për veprën në përurim, kur lirshëm mund t’i shtrojnë pyetje autorit, me shumë: pse kështu e ashtu, e pse jo kështu e ashtu. e të tjera, e të tjera.
Është bërë gati-gati dukuri e rëndomtë, sikur të kishte fituar legjimitet të shëmtuar që, kur mikrofoni të “ec”, sa në një kënd, sa në tjetrin kënd të sallës (ku rrjedh ceremoniali i përurimit), goja e metaltë e mikrofonit të përçojë të njëjta fjalë: librin, që po e përurojmë, nuk e kam lexuar, por, mendoj se është i mirë. Vlerësimi “libri është i mirë” – do të kishte vlerë dhe logjikë nëse flitet për pamjen e tij, për dizajnin, për përgatitjen grafike e teknike estetike, e jo kurrsesi kur është fjala për vlerat përmbajtjesore, artistike, tekstuale, tematike…
Nëse librin në fjalë (që e përurojmë sot!) ndërkohë nuk ke pasur as kohë, as mundësi, ta lexosh ndërkohë, nuk është kurrfarë mëkati. Ulu, rri urtë e dëgjo. Dëgjoi fjalët (e urta) të referuesve, dëgjoja zërin edhe autorit. Përfito. Pasurohu me dijeni e njoftime. Pasi ceremonia të përfundojë, me libër në dorë avitu platformës se konferencës, atje ku është autori, merre nënshkrimin e tij, që është një lloj kushtrimi a amaneti, që atë libër do ta lexosh, herët a vonë. E jo të flitet kuturu (kuku!) për një libër që, jo vetëm të palexuar, por edhe të pa hapur kurrë. As të shfletuar, më së paku!
A është e nevojshme, a është fare e nevojshme të përsëritet e njohura porosi: për libër të palexuar, për film a shfaqje teatrore të paparë, për koncert a spektakël tjetër të pa ndjekur, për ekspozitë (çfarëdo qoftë ajo), të pa parë, nuk bën, jo, jo, nuk bën të flitet. E folmja kuturu në përgjithësi është gjë e keqe, e në rastin në shqyrtim, fjala kuturu është e çoroditëse dhe shumë herë e dëmshme.
ObserverKult
Kliko edhe: