Bardhyl Londo: Nostalgjia
E mora në duar kokën tënde,
prushi i gjakut pëllëmbët m’i dogji.
Në sytë e tu si në një ëndërr rashë
dhe më s’u zgjova.
Në sytë e bukur si loti.
Me gishtat e dridhur të dashurisë
emrin tënd shkërmoqa germë për germë.
Të thirra e dashur,
Të thirra motër,
Të thirra nënë.
Ti hesht, e bukur, e tejdukshme,
natyrshëm siç mbin bari.
Oh, hapi ata sytë e zinj,
hapi, të vijë
behari.
Hapi ata sy
më përrallore se fantazia e Zhyl Vernit,
dy lëndina ku rritet lirizmi.
Në retinën e tyre si në ekranin më të ndershëm
Veten më mirë kuptova,
ty,
njerëzimin.
Je tepër e lashtë për të të thirrur Evë,
je tepër e bukur për të të thënë Zhuljetë.
Sa kohë kemi që duhemi? Dy mijë,tre mijë vjet?
Me ty e kam lindur Prometeun,
me ty shekullin e njëzet.
Po ty
të zuri gjumi?
Shtrihu.
Ti më mësove të vërtetën e madhe:
DASHURIA ËSHTË NJË MONUMENT
MBROHET NGA NJERIU!
ObserverKult