Sa kushtoi Lufta e Parë Botërore, dhe si e ndryshoi ajo botën

Më 11 nëntor 1918, 102 vite më parë, hyri në fuqi një armëpushim që i dha fund luftimeve të Luftës së Parë Botërore. Më vonë, një traktat paqe do të nënshkruhej zyrtarisht duke i dhënë fund luftës, por as Armëpushimi, dhe as Traktati i Versajës nuk mund t’i jepnin fund vuajtjeve të shkaktuara nga Lufta e Parë Botërore, dhe as nuk mund të parandalonin Luftën e Dytë edhe më të madhe Botërore, që do të pasonte.

Kostot e asaj lufte janë të rënda, por jo të sakta. Fuqitë Aleate humbën mbi 5.5 milionë të vrarë në luftime, ndërsa Fuqitë Qendrore humbën mbi 4.3 milionë të vdekur në luftime. Është e lehtë të llogarisësh humbjen e jetës për një ushtar dhe familjen e tij, dhe me pak më shumë sforco mund të imagjinohet produktiviteti i humbur dhe kontributi për shoqërinë që mund të kishin dhënë miliona jetë të humbura.

Ndërkohë lufta shkaktoi mbi 12.8 milionë të plagosur nga Aleatët, dhe gati 8.4 milionë nga Fuqitë Qendrore. Shumë nga jetët e të plagosurve u shkatërruan për shkak të plagëve të tmerrshme, amputimeve, verbimit etj.

Akoma më i vështirë për t’u vlerësuar, janë miliona e miliona veteranë dhe familjet e tyre që pësuan plagë mendore dhe emocionale. Edhe vdekjet civile janë gjithashtu të lehta për t’u cituar, me rreth 4 milion. Por vlerësimet më të vështira janë ato që vijnë nga kequshqyerja gjatë Luftës, dhe mungesa e bujqësisë së përshtatshme, si dhe varfërisë kombëtare që sollën vitet e reduktuara të prodhimit të ushqimit dhe borxhit kombëtar. Shëndeti mendor i popullatës ishte një problem madhor për shkak të Luftës, por përpjekja për të bërë ndonjë lloj analize të hollësishme mbi këtë faktor është një mision i vështirë në mos i pamundur.

Ndërkohë Lufta e Parë Botërore, nuk është sigurisht arsyeja e vetme e Revolucionit Rus që rrëzoi Carin, dhe që çoi përfundimisht në krijimin e Bashkimit Sovjetik, por ajo sigurisht që kontribuoi në skenarin që bëri të mundur formimin e Bashkimit Sovjetik.

Edhe rritja e Adolf Hitlerit dhe ithtarëve të tij nazistë, mund t’i atribuohet drejtpërdrejt Luftës së Parë Botërore dhe traktatit të ashpër të paqes që e pasoi, së bashku me varfërimin e Gjermanisë dhe vështirësitë që përjetoi populli gjerman.

Lufta e Dytë Botërore zakonisht mendohet si një zgjatje e “biznesit të papërfunduar” të Luftës së Parë Botërore, dhe “farat” e Luftës së Dytë Botërore u mbollën me siguri nga Lufta e Madhe. Lufta e Dytë ishte vërtet serioze në aspektin e gjakderdhjes, me diku midis 60 dhe 80 milion të vdekur që i atribuohen Luftës së Dytë Botërore, mes të cilëve 50 milion ishin civilë.

Ndërkohë, Lufta e Ftohtë tepër e kushtueshme që pasoi Luftën e Dytë Botërore, mund t’i atribuohet në një mënyrë Luftës së Parë Botërore. Por ndikimi më i madh negativ që Lufta e Parë Botërore pati mbi qeniet njerëzore, erdhi vonë në luftë dhe zgjati 2 vitet e ardhshme:i ashtuquajturi Gripi Spanjoll.

Me një botë të keq-ushqyer dhe me kushte higjeno-sanitare të mjera rreth fushave të betejës, nuk është për t’u habitur pse shpërtheu në atë formë ajo pandemi. Në këtë rast, ajo vlerësohet se vrau midis 50-100 milionë njerëz në vitet 1918-1920, shumë më tepër sesa u vranë në Luftën e Parë Botërore nga armët. Disa vlerësime e rendisin pandeminë e Gripit Spanjoll të viteve 1918-1920 si më vdekjeprurësen në histori, duke

lënë në hije edhe Vdekjen e Zezë të viteve 1347-1351 për nga numri i viktimave.

Një kosto tjetër vdekjeprurëse e Luftës së Parë Botërore, dhe që shpesh neglizhohet, është dëmtimi i mjedisit i shkaktuar nga përdorimi i gazit helmues dhe miliona mina të pashpërthyera, dhe mjeteve të tjera të shpërndara në fushat e betejës.

Edhe sot, fermerët dhe punëtorët e ndërtimit ndonjëherë zbulojnë gazin mustardë që është vdekjeprurës dhe mbetet toksik për shumë dekada, madje me shekuj, dhe nuk prishet si helmet e tjera, arseniku dhe kimikatet e tjera.

Njerëzit vriten dhe gjymtohen nga minat dhe predhat e artilerisë që hedhin ende në erë,edhe mbi një shekull pasi ato janë vendosur. Vetëm rreth Ipre në Belgjikë, 260 civilë janë vrarë nga bombat e pashpërthyera të Luftës së Parë Botërore, që prej përfundimi të luftës, dhe 535 civilë të tjerë janë plagosur ose gjymtuar në të njëjtën zonë. Vetëm në vitin 2013, 160 ton municione u gjetën dhe u ç’aktivizuan nga zona e Ipre. Shumëzojeni atë me mijëra e mijëra fusha të tjera beteje në të gjithë botën, dhe do të merrni një panoramë të tmerrshme./bota.al

LEXO EDHE: Blitzkrieg, lufta ”rrufe” e Gjermanisë që tronditi botën