Kur me miken të ndahem një natë, atë perde magjie s’e dua,
N’atë odë të errët, ësht’ e gjatë ajo natë për mua.
Gjithë t’urtët e dinë sesi mendjen humb një njeri,
Kush u çmend dashurie, edhe shpresa iu shua.
As nerënxën s’e sheh, kush dalldiset dhe dorën e pret,
S’kishte faj Zylihaja, asnjë sharje, qortim, s’ke ç’i thua!
Që edhe plaku i rreptë mos humbasë në shpirtin e tij,
Me një napë fytyrën mbuloje. Sa e ëmbël, e re je për mua!
Si një gonxhe e bardhë trëndafili më je, me shtat qiparis,
E lakueshme, e brishtë, e derdhur, – të dua!
Pas çdo fjale që nxjerr, goja ime gjë tjetër s’do thotë!
Kur s’je ti, s’ka më jetë, dhe gëzimi mbi dhe m’u shkretua!
Gjer n’agim sy nuk mbylla, tërë natën e gdhiva,
Te Suraja vështrova, nga dritarja, kur dita u zgjua.
Dhe qiriri i ndezur me natën e gdhinë të dy gjer n’agim,
Me mejtim, adhurime për ty, kështu gjumi u dbua.
Kujt t’i qahem për vojtjet që kam? Sheriati me ligj dashurie
Të dënon, që më vrave, në shpirt më godite, mua!
Zemrën ti ma grabite në një lojë mizore premtimesh,
Edhe fisi i Sa’dit ra në mallin e hasmit-më thua.
S’ësht’i vetëm Saadiu që shpirtin ia vret, ia rrënon,
Ka besnikë të tjerë…Po zbutu!
Për mëshirë hyjnore shpirti yt u gatua!
Përktheu: Vexhi Buharaja
ObserverKult