
Nga Agim Vinca
Lajmin për vdekjen e Sabaudin Zhutës ma dha Emin Azemi në një bisedë telefonike që pata me të sot, më 19 gusht 2025. “A dëgjove për Sabën?”, më tha Emini. “Çka? Ka ikur?!”. Më erdhi keq ta përdorja fjalën vdekje, por e dita menjëherë se përse është fjala. “Sapo u ktheva nga Struga mbrëmë, i thashë Eminit, dhe po ta dija do ta kisha shtyrë udhëtimin për të qenë i pranishëm në përcjelljen e tij të fundit”…
Por askush s’e di kur ia beh ajo, “deka”, si thotë Fishta te “Lahuta”.
Sabai, Sabaudini, Ag Veleshtari, si e quaja unë, emër që e kisha përdorur edhe vetë si pseudonim ndonjëherë, nuk është më. Na la!
Kishte dëshirë ta përkthente shqip emrin e tij, Sabah, që është sinonim me emrin Agim, por unë e cytja ta përdorte trajtën e shkurtër, Ag, të shoqëruar me mbiemrin Veleshtari. Kënga “Veleshtare, moj kokone” do t’i shkonte shumë ceremonisë së tij mortore, por edhe më shumë ajo për Sul Zhutën, Osman Kicën e Dilaver Vincën, heronjtë e vendlindjes, sintezë e bukurisë dhe trimërisë.
Ky ishte thesari shpirtëror i vendlindjes, bashkë me ato që shkruam e kompozuam ne që erdhëm pas tyre. Ishte dhe, besoj, vazhdon të jetë, me gjithë zhgënjimet që po pësojmë në kohën në të cilën jetojmë, teksa po ikim, një nga një, në amshim.
Për herë të fundit jam takuar me Sabain rreth dy muaj më parë te restoranti “Symphony” në Prishtinë, pronë e shokut të tij nga shkolla e mesme e muzikës në Prizren, Isak Bajraktarit.
U ngrit nga tavolina tek ishte me dy-tre të tjerë dhe u ngjit lart tek unë që po pija kafe me një koleg timin. Folëm bashkë një copë herë.
M’u duk i dobësuar dhe i zbehtë si asnjëherë më parë. Më tha: “Kam humbur 20 kilogramë!”. E inkurajova, siç e do rendi, por e pashë se nuk ishte mirë…
Ky qe takimi ynë i fundit, fizik, por jo edhe komunikimi i fundit. I vetëdijshëm për gjendjen e tij jo të mirë shëndetësore, para se të shkoja në Strugë, në ditët e para të korrikut, i bëra një mesazh:
“I dashur Sabah, të përshëndes nga Prishtina! Nga java e ardhshme do të jem në Strugë. Do të doja të takohemi te Relax-i dhe ta vazhdojmë bisedën për artin, muzikën, letërsinë, për jetën, dashurinë…. Të flasim për vendlindjen tonë të përbashkët, Veleshtën e fëmijërisë sonë dhe këtë të sotmen, që po firon përditë pak e nga pak, si them në një poezi timen, të cilën ti e pate pëlqyer shumë. Të uroj shëndet dhe durim! Yti, Agim V., alias Ag Veleshtari”.
Ma ktheu. Më falënderoi, duke më shkruar se ishte në Shkup dhe se po merrej me spitale (e mjekime). Por ende kishte fuqi dhe sëmundja s’e kishte mposhtur. Shpresa vdes e fundit!
“Të falemnderit Agim i dashur. Me shum knaqsi do shifemi e do rrijm gjat në Strugën pitoreske; mbase sa të bëhem nga shëndeti ma mirë…
Paç shëndet e mirëqënie! Saba Zhuta Shkup”.
Kur bëra promovimin e librit “Populli i pandalur”, më 26 korrik, në Strugë, u mëdysha a t’i dërgoja ftesë apo jo. Isha në dilemë. E konsultova një mikun e tij nga Shkupi, me të cilin rrinte shpesh te Relax-i. Ai më tha: “Dërgoja“ dhe unë ashtu bëra.
Edhe pse gjendja i qe rënduar, më falënderoi për ftesën dhe më uroi për librin. “Po munda, do vij me shum knaqsi”, më shkroi, duke më përshëndetur me “Të fala” dhe dy shenja në fund të tekstit: simbol i duarve të bashkuara dhe i shishes me verë a shampanjë. 🙏🍾
Vjet u takuam disa herë te këndi i tij i preferuar, kafeneja buzë liqenit, ku Drini plak nis udhëtimin e tij. Struga vlonte nga njerëzit e makinat, ndërsa ne vazhdonim bisedën pa na shkuar mendja se kjo do të ishte vera e fundit që rrinim bashkë.
Tërë jetën e kaloi si mësues muzike, arsimtar e profesor, duke i edukuar nxënësit dhe studentët me hiret e muzikës, që estetët e konsiderojnë si më sublimen në mesin e arteve të bukura.
Mocarti, Vivaldi, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi dhe mjeshtër të tjerë të artit muzikor, shqiptarë e botërorë, ishin mësuesit e tij shpirtërorë.
Nga Kosova kishte miqësi me Rafet Rudin, dirigjent dhe kompozitor.
Lamtumirë, Sabah!
U prehsh i qetë në truallin e vendlindjes sonë të përbashkët, Veleshtës legjendare, që e deshe, që e deshëm aq shumë dhe do të vazhdojmë ta duam edhe në varr!
Prishtinë, 19 gusht 2025
ObserverKult
Lexo edhe:
AGIM VINCA: KËSHTU FLISTE ZIJADINI






