Fuqia jote peshon tek unë, sepse mban të mbledhura grusht në këtë moment, si rastësisht, rrënjët e mia, rininë adoleshenciale.
Në një ngjitje mëngjezi të shpejtë shkallësh të gjimnazit, të shoh përkrah me hapin tënd të vendosur. Kërkon të më arrish, me një vështrim të gjelbërt ulliri, e ndërsa më buzëqesh, provon ti hapësh gishtrinjtë e mbledhur grusht e me ton sfidues më pyet: – E di se çfarë mbaj këtu.
– E nga ta di? – përgjigjem. Ti, kujtesa ime, më vështron ëmbëlsisht në sy.
– kam tantellën e bardhë mbi jakën e përparëses së shkollës. Vetëm ti e mbaje atë lloj jake.
Mbetem e shtangur.
Në habinë time, papritur, vijëzohet një tra ekuilibri ku qëndroj e ulur përballë me hijen. E shikoj në sy dhe i kërkoj radhë se kush do të flasë e para.
Vendos t’I jap radhë, se ashtu më intereson. Dua të di se kush isha unë, ajo, hija e dikurshme, apo kjo që mendoj që jam tani?
E marr si një privilegj këtë bashkëbisedim, mbasi kanë kaluar tridhjetë vjet, që kur ju jam larguar këtyre shkallëve, të cilat i hipja e i zbrisja me ëndrrat e strukura në xhep. I mbaja të fshehura mirë aty, sepse e quaja veten të marrë po ti shpalosja, në ato kohëra të trembura e të mërdhira. Ato ëndrra ishin si varka të vogla letre që notonin në ujin e pakët e ku, kujtohesha herë pas here ti shtoja volumin, si për ti ngacmuar që duhet të notonin. Ndjeja frikë që ti njihja vetes nocionin e të qënurit e bukur.
E bukur? Kur ndonjëherë ja kam belbëzuar këtë nocion vetëvetes?
Në çast, zvogëloj përmasat e mia të ekzistences. Ndjehem e vogël. Jo i them vetes, nuk jam unë! Mungonte kuraja e tregimit të pranisë së një zogu në zemër, i cili kërkonte të hapte flatrat. Të niste fluturimin kureshtar mbi botën, si në rrëfimet e Omerit. Ndjeja frikë të hapja krahët e të recitoja vargjet e dashurisë që krijoja si Zhuljeta për Romeon, në katin e katërt të shkollës, në këndin e bibliotekës. E kush ishte Romeo?
Kthej sytë nga hija. Bishti i trarit lëviz. Unë ulem poshtë dhe ashtu e vockël afër tokës pres tregimin e saj. Hija, më buzeqesh ngrohtë.
– Romeot nuk ishin pak, ishin kudo, por ishin të padukshëm. Ti dhe frika jote nuk i pranonit. Të kujtohet një X i klases A? E pra, ai linte kokën . Kalonte çdo ditë poshtë ballkonit të shtëpisë, por më kot. Mbaje sytë e ngulur mbi libër e kuptoje vetëm personazhet e fshehur mbi letër.
Të kujtohet Y-ni i klases B që ishte i shkëlqyer në mësime? Edhe ai të kërkonte dorën shpesh për të kërcyer mbrëmjeve. Por ti shikoje larg me veshtrim të humbur se di se ku.
Të kujtohet, R, N, A, që të kërkonin t’ju shkruaje poezi e të cilat akoma sot e kësaj dite i ruajnë si relike ndër fletët e ditareve?
– Jo, – përgjigjem e tund kokën e çuditur. Po unë, ku paskërkam qënë, e pyes?
Hija tund kokën.
– Të dhanë dhe nofkat si mendjemadhe, mospërfillëse, egërsirë. Çfarë kujtoje? Se duke qenë e prekur në biografi duhej të ndjeheshe e përveçme nga të gjithë? Superiore? E paprekshme?
Vrikthi, marr forcë dhe ngrihem lart mbi tra. E bëj që hija të zbresi afër tokës. Përmëndem nga kujtimet.Është njolla e biografisë ajo, që më ndoqi si një gojë e shqyer kuçedre. Aty gjej arësyen e mosbesimit ndaj gjithçkaje që më rrethon. Ka kaluar kaq kohë, por gjurma e flakës së kuçedrës ka lënë shenjë akoma sot. Ka djegur nën lëkurë.
Ngre sytë dhe shoh me guxim në sy hijen. Përlotemi e nisim të vallëzojme të dyja si në një vals mbi valët e Danubit. Unë me përparësen me jakën me tantellë dhe ajo e veshur me frak të bardhë.
Mbrapa krahëve, dëgjoj llozin e një dere që shtyhet me përtim, si për të nxjerrë jashtë edhe dëshirën e fundit të ëndrrës adoleshenciale, atë puthjen e nxehtë të gjimnazistes, që nuk dijti kurrë si ishte e të mbetej e vyer në kujtesë./ObserverKult