Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari Sabit Rrustemi.
Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
Pa dashur t’i lë “nën hije”, një numër të konsideruar përrallash, të cilat i kisha dëgjuar nga njerëzit e familjes dhe të afërmit tanë , në Shpinë e madhe, siç i thoshim, pasdarkave, sidomos kur vinin hallat e mia në t’pan’ (pushimet e tyre dyjavëshe në gjini), apo nipat e baballarëve të cilët ishin bukur në moshë, kontaktin e parë të mirëfilltë e kam përjetuar në klasën e gjashtë, kur hyra në bibliotekën e shkollës fillore “Vëllazërim “ në Zhegër dhe pashë një mal librash, titujt të cilave as i kisha dëgjuar. Por, fati që ishte aty një arsimtar i gjuhës shqipe, Latif Latifi, tashmë i ndjerë dhe më udhëzoi ta merrja librin “Posta e porositur” të Mark Krasniqit.
Nga ajo kohë e largët thuaja ( 1971 ) e këndej, për mua, ambienti më i dëshiruar ka qenë biblioteka e asaj shkolle, të cilën e vizitoja thuaja javë për javë, anise mësuesi Latif ma pat tërhequr vërejtjen se si shumë jam dhënë pas librave të bibliotekës e, mund t’i harroja librat e lëndëve mësimore.
Brenda dy javëve të vjeshtës së vitit 1971, unë përpos atij libri që përmenda, lexova dhe librat “Në prehër të gjyshit” nga Anton Çetta si dhe “Kthimi në fëmijëri” nga Ali Huruglica.
Këto libra, bashkë edhe me rrëfimet që dëgjoja në shtëpinë tonë, sidomos kur na vinin mysafirë, e na pa ta s’mbesnim thuaja asnjë natë, pashmangshëm më nxitën drejt letërsisë, në të cilën tash jam hyllur i tëri dhe s’po mund të dal më prej saj.
Kur ratë në “grackën” e saj?
E thashë, që kur u njoha “me miqtë e mi memecë” ( varg i Musa Ramadanit), në bibliotekën e shkollës. Bile, aq shumë u mishërova me librin e bibliotekën sa, mezi prisja të vinte baba prej kurbetit (punonte në Vjenë të Austrisë si punëtor krahu që nga pranvera e vitit
1969-të) dhe të dilnim në Gjilan, jo për t’më blerë rroba, por, libra, libra …
Ishte një librari aty ku sot janë të vetmit semaforë të qytetit dhe për pak kohë, më njihte mire dhe ai librashitësi, i cili m’i afronte gjithnjë librat që do duhej t’i kisha. Për kurreshtjen tuaj dhe të lexuesve, librat e parë që i kam blerë në atë librari, e cila në vitet 90-ta u tjetërsua, ishin “Bagëti e bujqësia” dhe “Lulet e verës”, të Naim Frashërit.
Brenda periudhës 1972 – 1999, unë krijova bibliotekën time me mbi 3500 libra, të cilën ma dogji lufta e fundit. Po, për fat, e kam ringjallur prapë, po, me tituj të tjerë…
Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
Ishte fundi i vitit 1980, kur unë arrita ta përgatis dorëshkrimin tim të parë poetik , KU I LA LISAT ERA, ( atëkohë titullohej KORZO E LIRË ) dhe e dorëzova në Redaksinë e botimeve të “Rilindjes” që, eventualisht të merrej për botim gjatë vitit 1981. Njëkohësisht, pas një muaji e sa, kah fundi i janarit të vitit 1981, dorëzova dhe në Redaksinë “Zëri i riisë”, një dorëshkrim me tregime.
Për ta përforcuar ndjenjën time prej shkrimtari, për të dy dorëshkrimet mora vlerësime të mira dhe ato u përfshinë në listën e librave që do duhej të botoheshin brenda atij viti. Por, ndodhën demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës gjatë mars – prillit të vitit 1981, ndodhi dhe publikimi i tregimit tim në revistën FJALA, me titull “NËN MASKËN E MYSAFIRËVE”, i vetmi tregim i pabotuar nga ato që ishin pjesë e dorëshkrimit, MË FLISTE NJË ZË, për të cilin kishin kthyer vlerësime me shkrim dhe dy recensentët e angazhuar nga redaktori Shaip Beqiri, shkrimtari i çmuar i Kosovës, Anton Pashku si dhe kritiku letrar, Ali Aliu dhe… u përmbys gjihçka, për së paku nëntë vite.
Pas gjithë atyre katrahurave që përjetova gjatë viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar, në verën e vitit 1990, në listën e shkrimtarëve, u shënua dhe emir im.
Ndërsa nga viti 1992 – shkurt 2006 isha dhe pjesë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nga e cila u tërhoqa në mënyrë demonstrative, ngase për kritikun e shquar të letrave shqipe, dr. Ibrahim Rugovën – presidentin historik të Kosovës, i cili për tri mandate udhëhoqi atë Shoqatë, nuk u mbajt as edhe një minutë heshtje.
Por, edhe pse e braktisa Shoqatën… shkrimtar, prapë mbeta.
A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?
Si jo, bile, me ikjen e viteve edhe më shpesh. Dhe, pa dashur t’i përsëris të tjerët, qofshin shkrimtarë nacional apo dhe botërorë, të cilët iu kanë përgjigjur po kësaj pyetje, mund të them: Shkruaj sepse ndjejë nevojë të shprehem, ndjej nevojë ta them ate që e mendoj dhe e vlerësoj si të arsyeshme për ta thënë, qoftë si poezi, si prozë apo dhe shkrim publiicistik. Dhe, më kryesorja për mua, dua që të ndikoj përmes asaj që shkruaj tek të tjerët. Të lë gjurmë përmes asaj që shkruaj sepse, e di se pararendësit tanë kanë lënë gjurmë apo emër, edhe pa shkruar gjë, por, vetëm përmes asaj që kanë folur, thënë… dhe janë ruajtur fjalët e tyre përmes mbamendjes së njerëzve.
Tash, përmes librave, kjo është edhe më e lehtë, ama kur ke çka shkruan, kur ke çka lë… sepse, jo gjithçka është gjurmë apo mbahet mend. Vetëm ajo që ka peshë, ka kuptim dhe është një shembull i mire për t’mësuar pasardhësit diçka prej saj, mbahet mend, jeton.
Prandaj shkruaj dhe përmes shkrimit shpalos atë botën time të brendshme që s’kam mundur apo dhe nuk më është dhënë rasti t’ua them me fjalë.
Shkrimi është dëshmi jete edhe pas vdekjes. Por, edhe një borxh yni ndaj pararendësve tanë por edhe për pasardhësit!
Çka ju bën të veçantë si shkrimtar?
Kësaj pyetjeje do duhej t’i përgjigjen të tjerët për mua, sepse mund të jem edhe subjektiv, i njëanshëm … dhe të shes dushk për gogla.
Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
Edhe kjo iu përket të tjerëve, sidomos studiuesve të letërsisë, interpretuesve të tekstit, atyre që përfaqësojnë mendimin kritik. Sepse, çkado që të them unë për veten, s’vlenë asgjë. Nuk mund të dal jashtë vetes e të flas për shkrimet e mia. Detyra ime është ta shkruaj atë që e ndjejë, sipas mënyrës sime, pa i përsërritur të tjerët, mundësisht dhe, domosdoshmërisht jo si e kanë thënë ata apo ato… por, si e them unë. Do t’isha shumë i lumtur sikur t’ia kisha arritur këtij qëllimi. A ia kam arritur, dikush tjetër që s’jam unë, do duhej ta thotë.
Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
Shumë pak kam thënë e shkruar nga ajo që e kam ëndërruar apo dhe planifikuar, nisur që nga Shpia jonë e madhe, që tash ka mbetur veç emër, nga “mahalla e Hajdinve”, fryma e së cilës ende na mban vertikal, e deri te shpërfaqja e shumë legjendave që “flejnë” të patrazuara gjerë e gjatë Karadakut (pa shkuar më larg) e deri te “ TOPONIMIA E PREHJES” që droj se do më mbetet pa e rishkruar, ngase m’u dogj në të 99-tën … pa hyrë “pyllnajave” të dendura me plot bëma të pathëna nëpër kohë, deri te kjo lufta e fundit… por t’jemi shnosh!
I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
I besoj asaj që ndjej, që dua dhe që e ëndërroj në çdo sekondë të kësaj jete, pa le të jetë muzë, përvujtëni, martirizim apo dhe flijim.
Sa jeni sistematik në të shkruar?
Mezi e kam përmbledhur veten në këto dy dekadat e fundit për të qenë sistematik dhe pak më i diciplinuar vetëm sa i përket poezisë së dashurisë. Dhe kjo, falë rrjetit social, “Fejzbukut” dhe miqve të shumtë që më nxisin përmes këtij rrjeti.
Sa e sa herë e kam qortuar veten që po vonohem për t’iu rikthyer prozës dhe, prapë më zuri e vona…
Sikur t’më braktiste dashuria ndaj poezisë për një kohë, do të gëzohesha pa masë, jo për veten time, po për “një mal tregimesh” që më mbeten ende të pashkruara, për mungesë të një “sistemi” në të shkruar.
Unë s’mund të shkruaj vetëm pse dua të shkruaj. Kohën për të shkruar nuk e diktoj unë por, një dhunti e brendshme e cila shfaqet tek unë bash kur nuk e pres hiç.
Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
Pa dyshim, dhe ate, me “fajin” e Nanës sime, e cila më mësoi për ta imagjinuar atë botën që e dëshiroja e nuk e kam, njëjtë sikur atë vashën më t’mirë të “shtatë mëhallëve”, të cilën mund të ma ketë sjellur që moti e unë, nuk po e besoj. Si po e shoh, paracaktuesi i fatit tim,si “bukë të përditshme” të gjallnimit, ma dhuroi letërsinë, S’do të doja ta ndryshoj, e nisa apo jo edhe njëherë nga fillimi.
E rëndësishme për mua është që ta përmbushi si duhet këtë mision me të cilin tashmë jam familjarizuar.
Rrezja e Çepurit / Zhegër, 15 mars 2024
ObserverKult
Lexo edhe:
SABIT RRUSTEMI: LEGJENDA PËR VORRIN E AJN(SH)ES
SABIT RRUSTEMI: TI ISHE ËNDRRA IME
SABIT RRUSTEMI: QË T’KETË KUSH PËR T’NA PËSHTYRË
PYETËSORI I PRUSTIT: SABIT RRUSTEMI