Sabri Hamiti: Át Zef Pllumi njëqindvjeçar

Át Zef Pllumi

“Át Zef Pllumi njëqindvjeçar”, nga Sabri Hamiti


Më 28 gusht shënohet njëqindvjetori i lindjes së shkrimtarit të njohur shqiptar, Át Zef Pllumi. Ai është autor i veprave: “Rrno vetëm për me tregue”, “Antipoezi për shekullin e njëzetë” , “Françeskanët e mëdhaj”, “Ut Heri Dicebamus (Siç thonim dje)”, “Para nji mijë vjetve” (ngjarje të dheut të Arbnit)”, “Frati i Pashallarvet Bushatli të Shkodrës”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Historí kurrë e shkrueme”, “Dhetë vjet liri”, “Saga e fëmijnisë”.

“Rrno vetëm për me tregue” është libër për burgun e llogorin, që shpalon faqen e fshehur të diktaturës komuniste shqiptare. E ushqyer nga disidenca doktrinare që ia kundërvë dashurinë dhunës, nga disidenca politike që ia kundërvë lirinë robërisë, vepra bëhet një libër i dëshmisë dhe i mësimit. Kjo është një kryevepër e llojit në letërsinë shqipe dhe një vepër me rëndësi të përbotshme në fushën e logorografisë.

Át Zef Pllumi e pranon rolin e misionarit, por kthehet në misionar të rebeluar. Rebelimi i tij fundamental në veprën “Rrno vetëm për me tregue” është rebelim kundër “harresës”. Nëse mund të falet diçka, asgjë nuk duhet të harrohet.

Át Zef Pllumi në “Françeskanët e mëdhaj” ka krijuar një vepër monument për monumentet e kulturës shqiptare. Vepra e tij është edhe një dëshmi (dokument), edhe vlerësim (monument), dhe, në fillim e në fund, një vepër autobiografike, si të gjitha veprat e tij, duke dëshmuar përfundimisht që nuk është vetëm një shkrues (skriptor), por edhe krijues (autor) i letërsisë shqipe.

Vepra “Frati i Pashallarvet Bushatli të Shkodrës” është një utopi në trajtë të ukronisë. Si çdo utopi, që lindet në të tashmen, për të ikur në të kaluarën apo në të ardhmen, edhe kjo duke dëshmuar një të dëshirueshme në të kaluarën, kërkon një të dëshirueshme e të mundshme në të ardhmen. Që do të jetë përmbledhtas: “harmoni e liri për shqiptarët, në Shkodër e kudo”.

“Saga e fëmijnisë” është një letërsi e pastër personale, madje autobiografike, në të cilën autori kthehet në botën e pafajshme të fëmijërisë, për të pushuar përfundimisht në një botë, ku nis gjithmonë filli i ëndrrës së re për jetën e individit, si dëshmi, dhe jetën e njerëzimit si metaforë. Kjo duket thirrja e fundit, e artikuluar në trajtë të lutjes, për mirësinë e dashurinë njerëzore.

Meditimin e vet për historinë e vërtetësinë e saj e tronditi me titullin “Historí kurrë e shkrueme”, madje duke e vënë në krizë besimin në shkrim. Se shtoi Zef Pllumi, shkrimet janë të pabesueshme të rrejshme, tregimet (e kujtesës) janë të besueshme e autentike. Më pas në veprën e tij “Para njí mijë vjetve” e ka kohën si garant të së vërtetës universale, ndërsa të vërtetën personale e zbërthen në dy variante: (Ngjarje të Dheut të Arbënit) e (Tregime të Dheut të Arbënit). “Ngjarja” garanton të vërtetën, ndërsa “Tregimi” fakton derivimin e personalizuar të saj.

Të gjitha veprat e tij janë referenciale, me pak fantazi dhe me pak sajime. Kryevepra e tij “Rrno vetë për me tregue” është dëshmi, libri “Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës”, është tregim historik, “Françeskanët e Mëdhaj” është shkrim rezonues e personal, kurse “Saga e fëmijnisë” është autobiografi.
Me kryeveprën e vet “Rrno vetëm për me tregue”, Át Zef Pllumi krijoi veprën më të rëndësishme të llogorologjisë shqiptare, ndër më të njohurat në vendet e botës komuniste, të krahasueshme me veprat e Shalamovit apo të Solzhenicinit.

ObserverKult


Lexo edhe:

AT ZEF PLLUMI: E KEQJA NEVE NA VJEN PREJ VETVEDIT, PREJ NJANI – TJETRIT, PREJ SHQIPTARËVE…