Sabri Hamiti: Himni shqiptar

Sabri Hamiti
Sabri Hamiti

Nga Sabri Hamiti

Himni është këngë solemne, këngë e lavdit, vjershë që hartohet në frymë kombëtare, duke përfshirë përhershmëritë kombëtare në trajtë të dendur e simbolike.
Vetëm kur kjo i përmban këto esenca dhe njëherësh pranohet nga të gjithë si e tillë mbërrin nivelin e këngës simbolike e përfaqësuese të kombit. Poetët provojnë të shkruajnë vjershën e këtillë, duke zbuluar secili konceptin e vet poetik të vjershës kombëtare. Në shqip vjersha të tilla kanë shkruar Asdreni, Fishta, Noli e Lasgushi, leximi i të cilave na jep mundësinë të hedhim dritë mbi mundësinë e krijimit të këngës okazionale e simbolike shqipe si dhe të hetojmë koncepcionin e tyre krijues.
    Simbas dëshmisë së Lasgush Poradecit, Asdreni himnin kombëtar Rreth flamurit të përbashkuar e shkroi rreth vitit 1907 në Bukuresht, me kërkesën e Korit Kishtar Shqiptar, kor që po bënte punë kulturore atdhetare. Kjo vjershë për herë të parë u botua në Liri e ShqipërisëSofje, më 1912. Në fillim ky u bë himn i kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit. Po kënga u përhap në Shqipëri dhe u pranua si himn. Titulli që i dha Asdreni në botim, Betimi mi flamur (Hymn patriotik) është një koncept dhe një akt e fakt etnikisht shqiptar, sepse vetëm kryengritësit e Rilindjes shqiptare kishin betimin mbi flamur si parullë vepruese të përhershme. Ky himn nuk u përgatit me qëllimin e posaçëm që të shërbejë si himn kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit, por u pranua nga populli dhe nga kryengritësit dhe u këndua edhe me rastin e ngritjes së flamurit më 1912 në Vlorë.
Poezinë Hymni i flamurit kombtar Gjergj Fishta e shkroi më 1913, dhe kjo këngë u këndua për të parën herë nga nxënësit françeskanë nëpër rrugët e Shkodrës, ditën që Fishta me miq të vet kishte ngritur flamurin kombëtar në kumbonaren e Kishës së Gjuhadolit.
    Noli e shkroi vjershën Hymni i Flamurit më 14 nëntor 1926 dhe kjo u botua në një numër të Lirisë kombëtare të Gjenevës, numër që i kushtohej festës së 28 Nëntorit.
    Lasgush Poradeci e shkroi Marshin e djalërisë me përcaktimin zhanror (Himn Kombëtar) në vitet ’20 dhe e botoi në librin e poezisë Vallja e Yjeve në vitin 1933. Kjo në të vërtetë është një këngë për zemrën e djalërisë.

                                                        II

Betimi mi flamur i Asdrenit ka gjashtë strofa katërshe me rimë të alternuar. Strofa themelore e tij konceptualisht dhe figurativisht është e para:

                                     Rreth flamurit të përbashkuar
                                     Me një dëshirë’ e një qëllim,
                                     Të gjith’ atij duk’ iu betuar
                                     Të lidhim besën për shpëtim. 

Aty janë bashkimi, besa, shpëtimi dhe betimi, koncepte kombëtare, po edhe fryma kundërshtuese, kryengritëse që do të zhvillohet në pesë strofat e tjera. Në tërësinë e vjershës bien në sy theksime të veçanta që bëhen duke spikatur vlerat dhe vlerësimet kundërshtuese. Strofa e dytë lidhet me idetë drejtpërdrejt me strofën e fundit: tradhtari përjashtohet, se ik nga përbashkimi, kurse luftëtari i lirisë, dëshmori hyjnizohet, për të arritur edhe në nivel të shenjtërimit, në strofën e fundit. Edhe strofa e tretë këndon veprimin për lirinë; kurse dy strofa të tjera, katër dhe pesë, çështjen kombëtare e ngrisin në nivel tejkahor:

                                         Se zoti vetë e tha me gojë
                                         Që kombe shuhen përmbi dhe,
                                         Po Shqipëria do të rrojë;
                                         Për të, për të luftojmë ne!

Një prekje e tillë konceptuale dhe nacionale me përjetësinë bëhet në strofën vijuese, në të cilën njësohet kuptimisht veprimi, simboli e atdheu, që do të thotë i gjithë programi:    
                                         

                                           O flamur, flamur, shenj’ e shenjtë,
                                           Te ty betohemi këtu,
                                           Për Shqipërinë’ atdheun’ e shenjtë,
                                           Për nder’ edhe lavdimin’ e tu.


Në këtë nivel kënga e himnit hyn njëmend në sferën e lavdit, përkushtimit të tërsishëm deri në nivel identifikimi; po edhe në nivel të shenjtërimit, që është një shkallë sipërore e lavdimit. Në këtë mënyrë kënga e Asdrenit nis udhën e ngritjes nga kënga tokësore në një këngë qiellore, të përjetshme, si lavdimi i therorisë për atdhe. Krijimi i kultit të heroizmit, i cili është provuar më parë në nivelet jetësore atdhetare.
     Hymni i flamurit kombëtar i Gjergj Fishtës ka dhjetë strofa katërshe me rimë të alternuar dhe refrenin që përsëritet mbas secilës strofë, që me tërësinë e vet ka tetëdhjetë vargje dhe si e tillë vështirë mund të këndohet e tëra në destinimin e saj për këngë simbolike kombëtare.
Po analiza e tërsishme e tekstit të këtij himni, të kësaj kënge okazionale kushtuese simbolike, mund të krijojë mundësinë që të kapen temat themelore të këtij poeti dhe mënyra e krijimit të tij poetik. Mbasi vetë natyra e himnit ka tendencë sintetizuese poetike të temave kombëtare.
    Dominantë e simbolizimit të himnit të Fishtës janë feja dhe atdheu që në, një trajtë e lutjes, në mënyrë të sintetizuar dalin në vargun e fundit të tij:

                                         Ndihmo Zot, për Atdhe e Fe!

Një figuracion i tillë religjioz a fetar që bëhet esencial do të dalë edhe në disa pika të tjera të teksturës së vjershës.
Strofa e parë, nëpërmes të cilës edhe mbahet ky himn, ka në thelb një krahasim hyjnor:

                                    Porsi fleta e Ejllit t’Zotit
                                    Po rrehë Flamuri i Shqypnis,
                                    E thrret t’bijt e Kastriotit
                                    Me u mbledhë tok nder çetë t’ushtrisë.


Pra në këtë shtresim themelor të himnit janë bashkuar dy figura trashëguese që përjashtojnë kohën e çastit dhe përqafojnë një përjetësi. Këto dy degëzime figurative do të dalin në variante të zhvilluara dhe në figurime të nuancuara edhe në strofa të tjera:
 

                                Si pol veshet t’Perëndisë
                                Kah na ban hije prej qiellit


Kurse një zhvillim të bekimit simbolik dhe njerëzor të shqiptarëve Fishta do ta ngrisë në nivelin e tokës së premtuar për të zgjedhurit shqiptarë:

                                Mbi njatë Flamur Perendija
                                Me dorë t’vet Ai e ka shkrue:
                               “Per Shqyptarë do t’jet Shqypnija
                                Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!’’

Janë bërë këtu bashkë bekimi dhe mallkimi hyjnor, një prosede i provuar me denduri edhe në vjersha të tjera atdhetare të Fishtës. Është këtu figura e tokës së bekuar e dhënë nga vetë zoti, garancë e një konvence hyjnore që shkon përtej bindjeve individuale.
        Tema tjetër e zhvilluar në himnin e Fishtës është kryengritja dhe qëndresa shqiptare, që merr konotacione kohore, historike e tejhistorike, po që përfundon rëndom në figurën identifikuese të luftës së Kastriotit, si identitet i brendshëm kombëtar, po i njohur dhe i pranuar edhe nga të huajt.
    Edhe në këtë vjershë solemne të Fishtës shpërthen zemërimi për armiqtë që rrezikojnë lirinë e shqipes dhe në këtë pikë artikulimi i pezmit e i heroizmit shqiptar del nëpërmjet theksimit të figurave popullore të rindërtuara: njëqind vjet të shkrirë me gra e me fëmijë para se të lejohet të pushtohet Shqipëria. Një therori e tërë kombëtare. Kjo vijë e simbolizimit fishtjan artikulohet më qartë kur del e aktualizuar:

                                Ma mirë dekë me u shue nen hije
                                 T’Flamurit t’onë në fushë t’mejdanit,
                                 Se me rrnue nji jetë robnije.
                                 Për nen sukuj t’huejë t’Ballkanit.

Pra aktualizimi tematik e bën më të fortë figurën poetike dhe më ndikues tekstin simbolik. Të kësaj natyre të aktualizimit të brendshëm janë figurat themelore të refrenit, i cili si përsëritje duhet të përmbushë një mbamendje kombëtare. Refreni i himnit të Fishtës:

                       Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
                       Si dy rrfe qi shkojn tue djegë!
                       A ngadhnjyesë a t’gjithë deshmorë!
                       Trima, mbrendë! me dorë! me dorë!


artikulon domosdonë e bashkimit kombëtar, sepse njëherësh ka guximin të theksojë një ndarje me vetë emërtimet esenciale figurative: janë toskët e gegët dhe dy rrëfetë që shkojnë tue djegë. Fishta kishte guximin për të njohur dallimet dhe thërriste për kapërcimin e tyre; këtë e tregon edhe përpunimi i vargut të tretë të refrenit, që në variantin e parë të himnit dukej: Bini, Lekë, bini, Malcorë!
Përgjithësimi është bërë për droje nga regjionalizimi që do të thotë kërkesë për të krijuar vjershën vërtet kombëtare.
    Hymni i flamurit kombtar i Gjergj Fishtës është vërtet një këngë kombëtare me të gjitha karakteristikat e poetit Fishta, ku ndër shpërthimet lirike gjithnjë ngritet dramatizmi, kurse ndjenja e një zemërimi gjenetik e përshkon vargun; hetohet një gjatësi epike e shpjegimit të figurës, qoftë e pranishme në nuancime; kurse përfundimisht mesazhi që jep kryqëzimin e idesë atdhetare dhe të idesë fetare, gati duke i identifikuar ato në valën e himnizimit dhe  të hyjnizimit të tyre.
    Hymni i Flamurit i Fan.S Nolit dallon nga dy të parët për aq sa dallon gjithë shkrimi i tij poetik. Ç’e dallon këtë shkrim nga lirizmi i Asdrenit dhe nga epizmi i Fishtës, është para së gjithash një forcë retorike në artikulim të tekstit dhe një tendencë për sintetizime tematike dhe për krijimin e figurës sintetike.
          Vjersha e Nolit ka gjashtë strofa katërshe dhe vetëm dy prej tyre artikulojnë drejtpërdrejt çfarësinë e këngës së lavdit e të identifikimit të drejtëpërdrejtë, këto janë strofa e parë dhe strofa e fundit. E para duke dhënë domethënien e shenjës, kurse e fundit duke e dhënë domethënien e vizionit.
                               

                        O flamur gjak, o flamur shkabë,
                        O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
                        Lagur me lot, djegur me flagë,
                        Flamur i kuq, flamur i zi.

Është kjo një thirrje e drejtpërdrejtë e identifikimit me simbolet nacionale, të cilat zbulohen në figura të dashurisë njerëzore; duke gjetur kështu ngjyrimet e flamurit për të theksuar gjenezën dhe historinë e këtyre shenjave si produkte të jetës kombëtare. Në këtë vështrim himni i Nolit është i zotëruar nga retorika dhe ideologjia kombëtare, madje dhe në kërkimin e origjinës së figurave. Çfarësinë e figurës kombëtare, duke e përqafuar si trashëgimi, Noli e ngrit në histori që nga antika e këndej; në këtë rrafsh flamuri reziston të huajt. Në nivel të ideologjisë fetare, po kjo shenjë kombëtare bashkon fetë për të përfunduar në formulimin e përgjithësuar. Njerëzi. Në rrafshin e heroizmit të brendshëm si konstantë të identitetit kombëtar, Noli njeh Skënderbeun dhe Malon ( Ismail Qemalin) si flamurtarë të parë kombëtarë.
    Në këtë udhëtim historik të mundimshëm e të lavdishëm flamuri simbol i shqiptarisë ka krijuar ngjyrat e veta dalluese që tani ka realisht; një gjenezë e figurës poetike dhe shenjës kombëtare. Flamuri në zjarr e në zi ndezet e zihet në vizionin poetik të Nolit për të dhënë një formulim real-poetik:

              O fushë –kuq, o shkabë-zi

Strofa përfundimtare e himnit të Nolit, në të vërtetë është një projekt qytetërues i shqiptarëve. Diçka që mund të quhet projekt i ardhmënisë, se këtu dëshirohet të ngritet një relacion i ri në vetvete së brendshmi, dhe në të tjerët  në kontakt apo në vizion:

           Përpjetë pri-e Shqipërinë,
           Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë
           Diell për vllanë, yrnek për fqinë
           Për botën ëndr’ e qjell i ri
 

Përlindja shqiptare si vizion i shqiptarit të qytetëruar, qytetar i botës, pjesëtar i një shoqërie shembullore.
    Pra, himni i Nolit, si projekt vjershe, është më i ndërliqshëm se artikulon trashëgiminë, realitetin  dhe idealitetin kombtar. Kjo do të bëhet një këngë e vizionit kombëtar dhe e vizionit human; diell për veten, shembull për fqiun, ëndërr për botën, një idealitet i bukur poetik e kombëtar.
     Marshi i djalërisë (Himn Kombëtar) i Lasgush Poradecit është një përpjekje për të krijuar esencat kombëtare të një energjie të brendshme të lirisë e cila përqëndrohet në djalërinë. Ky kërkim bëhet me variante të kombinimit të figurave tashmë të përkufizuar kuptimisht në lirikën e këtij autori: është kjo loja e kombinimit të Yllit me Zemrën, të cilat shenjojnë esenca njerëzore dhe ngritjen e tyre në përmasa tejkohore e simbolike; sepse ylli i Shqipërisë si koncentrat simbolik lind pikërisht nga zemra e djalërisë, si therori, si përkushtim. Ky relacion do të shqiptohet edhe në trajtë të sintetizuar e simbolike: yll në ball e zjarr në gji.
Një Shqipëri fizike e Lasgushit gjithmonë do të jetë e përplotësuar me një Shqipëri metafizike dhe kjo ngjet edhe këtu, ku qielli me shkaba preket nga malet me dragona; kurse për t’u përplotësuar figura e zonjës shqiptare aty shfaqet dhe artikulohet edhe trimi i dheut, bashkë me besën e shenjtëruar.
   Vizioni poetik i Lasgushit për thelbin kombëtar, në trajtën e vargjeve të deklaruara mund të duket në këtë vjershë kështu:
              
Ha!dh’e bukura liri,
               Këtu mbretëroj përpjetë;
               Mbretëroj: e plot mëri,
               Bëri në rrezik të zi
               Prej kujtdo një trim me fletë.

              Lithni besën për Atdhe,
              Ju me gjak të Kastriotit!
              Lithni-e shpejt e bëni be:
              Be që vret posi rrufe
              Para Kombit-para Zotit!


Në vizionin  e Lasgushit liria është një mbretëri e përjetshme dhe një koncentrat që prodhon shndërrimin, pushtimin e ideales, të forcës dhe të shpirtit. Kjo është një alkimi poetike, si alkimi shpirtërore kombëtare, ku rreziku i zi lind prej kujtdo qoftë një trim të vërtetë. Është kjo një variantë origjinale e trimërisë dhe e heroizmit në vizionin e në kërkimin poetik të Lasgushit. Kurse lidhja shqiptare, edhe e djalërisë së koncentruar që tanimë del e simbolizuar si yll i ri, bëhet me simbolet tradicionale, besën për atdhe me gjakun e Kastriotit; kurse lidhja bëhet një betim i përnjëhershëm para kombit dhe para zotit.
     Himni i Lasgushit është një himn para së gjithash poetik, duke ruajtur skemën e njohur lasgushiane të krijimit të figurave, të pamjeve e të vizioneve kombëtare, që përherë përfundojnë me artikulimin e kualitetit të veçantë të brendshëm: të dhembjes e të lavdit të vetvetes.
      Nga tekstet e himneve të shqyrtuara këtu, e dimë që himni i Asdrenit tashmë është himn kombëtar i Shqipërisë; dimë që himni i Gjergj Fishtës këndohet dhe intonohet ende në mesin e shqipëtarëve, kurse nuk njohim një përpunim muzikor të himnit të Fan Nolit e as të Lasgush Poradecit. Kemi parasysh që himni si këngë kombëtare cilësinë e vet identifikuese e simbolizuese e krijon njësoj me tekstin dhe muzikën. Ne këtë herë u morëm vetëm me tekstet e himneve shqiptare.

*Shkëputur nga libri Sabri Hamiti: “Tema shqiptare”, Rilindja, 1993

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

SABRI HAMITI: IBRAHIM RUGOVA