Nga Sadedin Mezuraj
85 vjet më parë, në Torre Pellice në Torino, mbylli sytë Migjeni. Por me Fjalën dhe Frymën e tij poetike i ra mespërmes shekullit për të mbrritur deri në ditët tona , po aq i freskët, tronditës dhe novator sikurse u shfaq me shkrimet e para qysh nga viti 1934.
Eshtë nga rastet e rralla kur për një libër- sepse poezitë dhe prozat e Migjenit gjithë- gjithë një libërth janë- të jenë shkruar aq shumë libra, monografi, studime, artikuj përkujtimorë. E megjithatë, Migjeni mbetet Sfinksi i letrave shqipe, i parrokshëm brenda një metode, rryme apo kanoni estetik.
Në rrekjen e parreshtur pêr të rrokur estetikën e krijimtarisë së tij, e kanë quajtur realist kritik, simbolist, ekspresionist, avangardist, pesimist, dekadent, korpuskular, realist sintetizues dhe pa brigje, ekzistencialist kritik, ateist, revolucionar etj etj.
Po, Migjeni ishte revolucionar në përmbysjen e traditës letrare dhe themelues i modernitetit në poezinë shqipe.
Për të gjithë ata që u shkolluan në regjimin komunist, Migjeni u ngulit në mendje si “Poeti i mjerimit” , por pa e ditur se këtë përcaktim lapidar e kishte bërë ai, kritiku brilant, aso kohe ( 1944) i sapo diplomuar në filozofi, ai pra, antikomunisti i thekur Arshi Pipa.
Migjeni është poeti i lirisë. Migjeni është zëri i njeriut të revoltuar të Kamysë.
Me dhembshurinë për të mjerët dhe të margjinalizuarit, Migjeni qëndron afër Krishtit. Migjeni si misionar predikoi Ungjillin e zgjimit të vullneteve të ndrydhura. Vizionet e tij për Botën e re, për të ardhmen janë të dyzuara. Lëkundet mes mesianizmit të Marksit ( o si nuk kam një grusht të fuqishëm…) dhe Mbinjeriut të Niçes.
Protesta e tij kundër padrejtësive sociale dhe mjerimit mbetet pa praxis, pa veprimin transformues.
Edhe pas njê shekulli, Migjeni mbetet i pashmangshëm. Edhe pse kritika zyrtare sot mëton ta margjinalizojë. Qarqe të caktuara letrare dhe politike nuk ja falin Migjenit antiklerikalizmin radikal.
Niçe ishte radikal në deklaratën ” Zoti vdiq”. Migjeni është i dyzuar dhe shpall dyshimin racional: Perëndi! Ku je? Por as Niçe e as Migjeni nuk ishin ateistë në kuptimin marksist. Migjeni grisi velin e hipokrizisë morale dhe fetare dhe i vendosur u nda nga doktrina teologjike: Mjerimi nuk don mëshirë/ Mjerimi don të drejtë.
Migjeni u bë zëri protestës i Njeriut të Mjerimit dhe zbuloi dimensionet e Mjerimit si pamja madhore e ekzistencës njerëzore.
Çdo gjeneratë e re në Fjalën dhe Frymën e krijimtarisë së Migjenit, në thënien dhe domethënien e saj, gjen shtysat e motivimit në betejat për Liri, Drejtësi, Dinjitet. E sa kohë këto beteja emancipuese të shoqërisë nuk janë mbyllur, Migjeni mbetet i pashmangshëm .
Migjeni mbet thumb i ngulun në trurin e njeriut që mendon, që lufton për liri dhe dinjitet njerëzor.
Migjeni është shqetësues dhe tronditës për ata që mbjellin iluzione të gënjeshtërta për këtë botë ” si më e mira e të mundshmeve ” apo për ” botën e përtejme” të shelbimit të shpirtit .
Migjeni është i rrezikshëm dhe prandaj rreken ta margjinalizojnë përmes heshtjes ose qasjeve biografizuese dhe sociologjizmit vulgar.
ObserverKult
———————
Lexo edhe:
SADEDIN MEZURAJ: UNË DHE TI FRYMË I FALËM KOHËS…
Poezi nga Sadedin Mezuraj
Ditët u rrotulluan në karuselin e stinëve
Kaq i gjatë dhe iku kaq shpejt ky vit,
Të padukshme janë për shqisat e të tjerëve
Gjurmët që koha na lë në shpirt.
Për të fshehur ankthin e kohës që shkon
U shpikën këto festa -spektakël plot shkëlqim,
-Me dashuri dhe verë- shpirtin le ta dehim,
“Parajsa e përtejme” është thjesht një premtim.
Bëj një arithmetikë të thjeshtë, fillestari
Mbledh kohën e përbashkët dhe ditët me mungesë
Rezultati: metafizikë platonike malli,
Dymbëdhjetë muaj plus një stinë e pestë.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult