
Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Sadik Krasniqi.
Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
-Për këtë takim, kurrë nuk e di me saktësi, por e di që takimi i parë me letërsinë nuk ka ndodhur përmes librave, por përmes një forme tjetër, përmes një personi që nuk ka ditur të lexojë e as të shkruajë. Ky është personi më i dashur për çdonjërin, është pra nëna. Ajo, siç thashë më parë, nuk e dinte fare shkrim-leximin, por dinte të rrëfente bukur, madje me imagjinatë. Rrëfente për ndodhitë e përjetuara, por edhe për ato të dëgjuara. Rrëfente me pasion të theksuar, madje këndonte lehtë ngjarje epike. Kurrë më mirë dhe më poetikisht nuk e kam hasur më vonë dhe në asnjë libër Luftën e “Fushës së mëllenjave” dhe heroin e kësaj beteje, duke ecur me kokën e tij nën sqetull dhe duke i verbuar njerëzit me nëmën e tij: “Unë pa kry e ti pa sy!”. Çfarë imagjinate për këtë Sfinks unikal që gjymtonte e shëmtonte njerëzit, pas asaj beteje të mallkuar. Nëna tregonte nganjëherë edhe duke rimuar, ngjashëm me poezinë madje herë-herë edhe i këndonte këto rrëfesa. Kur më vonë, ne katër fëmijët e mbijetuar nga të tetët e saj, u rritëm, hymë në shkollë, filluam të lexojmë e shkruajmë, ajo heshti. E kjo heshtje çuditërisht u thye sërishimi në moshën e saj të vonshme pas të nëntëdhjetave, ajo sërishmi deklamonte dhe këndonte disa vargje që kurrë nuk i kam hasur në libra ose këngë. Krejt kjo që e rrëfeva për nënën time, tek unë ende mbetet enigmë e pashpjegueshme, por që jam i sigurt se ky “art” i nënës sime më la mbresa të thella në zonat e errëta të trurit tim e që unë me bindje e konsideroj si kontaktin dhe reflektimin e parë me letërsinë.
Kur ratë në “grackën” e saj?
-Në “grackën” e parë të letërsisë rashë befasishëm e magjishëm, gjatë aktit të leximit të një libri që e solli në shtëpi vëllai im i madh. Sa më kujtohet ishim në pushimin veror pas klasës së dytë dhe posa kisha filluar t´ua lidh kuptimin shkronjave, mora në dorë këtë libër, të cilin edhe pse e lexova të tërin, e gjitha çka më mbeti në kujtesë nga ai, ishte një imazh i vetëm dhe titulli i tij i çuditshëm. Imazhi ishte shtruarja e shtratit (ose sfungjerit) të birit, nga një nënë e përvuajtur. Përshkrimi ishte i ndjeshëm dhe i përmallshëm, kjo rangë e nënës më la mbresa të thella, saqë e lexova dy herë i përlotur. Tek më vonë e kam ditur se libri me atë titull të çuditshëm, nga i cili në mbamendje kisha vetëm një sekuencë, ishte romani “Pirgu i lartë” i Teki Dervishit. Si nxënës i shkollës së mesme dhe gjatë studimeve, kam lexuar shumë vepra të këtij shkrimtari të madh, por këtë roman s´e kam shfletuar dhe ndoshta kurrë s´do ta lexoj, nga një frikë, se leximi i dytë do të ma shpërbëjë atë mbresën e përvajshme për atë nënë të bekuar. Rashë pra në “grackë” të letërsisë, pa ditur se ç´është letërsia, me betimin se edhe unë një ditë kam për të shkruar për nënën time.
Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
-Dorën në zemër, edhe pas pesë librave të botuar dhe katër të gatshëm për të parë dritën, njëri në përpilim e sipër me vëshrime kritike për opusin tim, ndoshta heshturazi e ndjej vetën si krijues, por zëri s´më del jashtë ende për këtë titull. E imja është të shkruaj e ta ndjej atë që shkruaj, të bëj letërsi me shpresë se do lexohet nga lexuesit dhe do të isha i lumtur sikur lexuesit e mi ta ndjejnë se kanë lexuar diçka të bukur dhe të veçantë nga një krijues që meriton të quhet shkrimtar.
A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj?
-Te unë, të shtruarit e pyetjes shumëdimensionale nuk është “pse shkruaj”, por “si shkruaj. Të bësh shkrim letërsie do të thotë të shprehesh përmes letrës për gjëra, çështje dhe fenomene, për të cilat nuk mund të bisedosh me bashkëbiseduesin e rëndomtë dhe në rrethana përditshmërie. Andaj Niçe thotë:” Kemi artin, që mos të vdesim nga rëndomësia”. Krijuesi gjithmonë e ka parasysh recepientin, për të cilin e bën artin. Mundohet ta befasojë e ta mahnitë atë me diçka të veçantë e të thënë bukur. E di se pyetja “pse shkruaj” mund të imponohet nga mllefi dhe revolta për situatën aktuale të vërshimit të antivlerave kudo dhe me të gjitha mjetet e mundshme, megjithatë ka dhe do të ketë gjithmonë vlera të mirëfillta estetike. Arti ka arritur t´i mbijetojë edhe kohërave të kobshme me luftëra të tmerrshme, kjo na jep kurajo për amshueshmërinë e tij.
Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
-Natyrisht, sot intenca e krijuesit të mirëfilltë është origjinaliteti, i cili arrihet vetëm përmes një ligjërimi të veçantë. Në poezi përpiqem të krijoj figurshmëri poetike jo me konstante simbolike, por me metafora kontekstuale apo personale. Ligjërimi im poetik është procede e një konstrukti të kontrasteve metaforike, kjo vërehet edhe në titujt e librave të mi si: “Ofshamë në urnë”, “Oazë palmash të djegura”, “ Ag muzgu”, “Parajsë e nëmur” dhe “Pëndritje hijesh” (libër në ardhje). Përdori elipsën dhe vargun e lirë pa shenja pikësimi. Synoj të jam i kapshëm për lexuesin semantik dhe i vërejtur edhe për atë semiotik. Në prozë mundohem të posedoj abstraksionin, absurden, fiksionin, oniriken, metamorfozën, enigmën, misterin, fantastikën, mistikën etj. Në shkrimet diskursive përqendrohem më tepër në analizë të strukturës së figuracionit poetik.
Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
-Me shkrimet e mia, përpiqem të them atë që nuk thuhet dhe kuptohet aq lehtë. Synoj që dianoia ose mendimi im të jetë transcendencë nocionesh dhe sentencash që asociojnë në ide. Këto ide synoj t´i mvesh me nuanca ndjenjësie e ndjeshmërie me shpresë për ndonjë qasje të mundshme interpretimi e përjetimi në formën homeopatike dhe alopatike.
Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
-Se çfarë më ka mbetur ende për të thënë, varet shumë nga trajta letare e të shprehurit. Poezia vjen vetë, me motive dhe tema që vetëformohen. Ato janë shumë të larmishme e formohet me një natyrshmëri të çuditshme. “Poezia është magji që, për një çast dhe pas një fjale të vetme, bën të shfaqet në botë”, thoshte Gyjo. Ndërsa Whistler definonte: ”Arti ndodh”. I tillë është edhe arti i poezisë sime. Poezia ime natyrisht sillet si hije e përndritur në orbitën e dy kryetemave të eternitetit universal të Tanatosit e Erosit. E di se nuk e them i pari e as i vetmi, që kur e shkruaj ndonjë poezi mendoj se do të jetë poezia e fundit! Ndërsa në prozë e di që kam për të thënë ende dhe goxha shumë poashtu edhe me shkrimet diskursive, ngase para vetit kam një stivë librash për të cilët ndjej se duhet shkruar.
I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
– Sa i përket këtij koncepti, unë pajtohem me mospajtimin e Borgesit për pikëpamjet e romantikëve se muza frymëzon poetin ose krijuesin, ai madje këtë besim e bestytni për muzën frymëzuese e quan fakt paradoksal. Si i gjithë domeni estetik i këtij gjeniu të letërsisë, është mahnitës dhe monumental edhe mendimi për procesin krijues që fillon: “si fanitje e një trajte, të një ishulli të tejmë, që mund të marrë ose trajtën e një tregimi ose atë të një poezie”. Sot procesi i krijimit varet nga shumë faktorë, ai proces është bërë racional, është perceptim, hulumtim, ndikim, intertertekstalitet, interreferencë, gjithanshmëri e para së gjithash kërkon intelektualitet. Ndërsa për besimin e përvuajtnisë së punës së pareshtur si domosdoshmëri në procesin krijues, na dëshmon sentenca e një nobelisti i cili thotë: ”Që të shkruaj bukur, më duhet të mërzitem shumë”.
Sa jeni sistematik në të shkruar?
-Neve që na ra hise të largohemi nga vendlindja nga rrethanat dhe shkaqet e ditura, në nënvetëdije na është skalitur jeta si rriskë kohe dhe duke qenë gjithmonë po me këtë nënvetëdije në “unterwegs” (në udhëtim e sipër) pas profesioneve dhe zanateve për “bukën e gojës”, siç thoshte Franc Kafka, nuk patëm komoditet për koncept apo sistem të aktiviteteve intelektuale, në të cilën hynë krijimtaria artistike. Andaj në mërgim kemi vërshim librash me poezi, pak prozë e fare pak romane.
Them se, nëse ne kemi krijuar diç të mirë dhe me vlerë, e kemi bërë ngase e kemi dashur letërsinë dhe artin e jo që patëm komoditet për krijimtari. Natyrisht se ka përjashtime, fatmirësisht në diasporë ka krijues shqiptarë, në nivel me letërsinë e vendeve ku jetojnë, por edhe në nivel evropian. Ata sikur patën fat më të mirë dhe u orientuan me kohë në shtigjeve krijimtarisë.
Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
-Po, dhe me shumë pasion, madje do të kisha sakrifikuar shumë gjëra që i kanë kanë hyrë në hak krijimtarisë sime dhe do të isha shumë më i lumtur vetëm si shkrimtar dhe veç me letërsinë.
ObserverKult
Lexo edhe:
BUQETË POETIKE NGA SADIK KRASNIQI: MELODIA E MËRZISË