Familja u detyrua t’i shiste pikturat e Safo Markos, ja cila ishte lutja e Arianitës…

Nga Gëzim Zilja 

Këto shënime i kam hedhur në maj të vitit 2010, kur kam qenë në shtëpinë e Petro Markos. Në një hyrje dy dhoma e një guzhinë e para viteve 90-të, jetonin Safua, e shoqja shumë e sëmurë, Jamarbëri, i biri dhe ky i sëmurë dhe e bija Arianita që na priste.

Të më falë Arianita, por nuk mundem të mos them një të vërtetë të dhimbshme. (Mbas dhjetë vitesh) dhe të nxjerr një sekret, për të cilin isha betuar që do ta mbaja si të tillë për shumë kohë.

Shkova me një shoqen time dhe të Arianitës, sepse kjo do të shiste nja dy piktura të Safos, e detyruar nga gjendja jo e mirë ekonomike. Kisha qenë edhe një herë tjetër në shtëpinë e saj, thjesht për të parë pikturat e Safos (para se të bëhej ai emision aq i bukur televiziv dhe ekspozita në vitin 2008) që për mendimin tim janë një pasuri kombëtare.

Pasi pamë një pjesë të tyre, sepse jo të gjitha janë të varura në mure, iu luta të më shiste ndonjë gjë sado të vogël. Boll të kisha një pikturë të Safos, në shtëpinë time. Arianita buzëqeshi hidhur, më pa në sy dhe tha:
“Jo! Në çfarëdo situate që të ndodhem, këto vepra të mamasë, unë nuk do t’i shes. Ajo i ka krijuar thjesht për të bër art, jo për t’i shitur. Le të ngelen pasuri e familjes.”

Dhe tani po shkonim të blenim dy piktura. Ç’kishte ndodhur, që betimi ishte shkelur dhe amaneti nuk ishte mbajtur?

Në holl ishin ekspozuar disa piktura nga të cilat ne kishim të drejtë të zgjidhnim vetëm dy, që me këmbënguljen tonë të madhe u bënë tre. Ishte e vështirë të zgjidhje sepse të gjitha ishin të përkryera. Shuma që na kërkoi ishte modeste në krahasim me vlerën reale të tyre.

Meraku i vajzës së Petro Markos, ishte që t’i shiste në njerëz të besueshëm e që lajmi të mos merrte dhenë se po i shiste për bukën e gojës. Kur ne po i gëzoheshim pikturave të blera dhe po mendonim për transportin, vura re që Arianita po qante me dënesë. U tronditëm pa masë dhe e pyetëm:

“Pse po qan, çfarë ke, çfarë të ndodhi? ”
Përgjigja e saj më la pa frymë dhe nuk mund t’a harroj kurrë:

“Po më duket sikur po jap një pjesë të shpirtit tim. Sepse unë nuk dua t’i shes ato. Ju e dini që isha betuar.”

U përpoqëm ta ngushëllonim duke i thënë: “Në shtëpitë tona hyjnë plot njerëz që njohin artin, kulturën, kështu ato do të shikohen edhe nga shumë të tjerë e do të çmohen e vlerësohen më shumë.”

Vajza e Petro Markos, duke më parë me sytë e thellë, ende të bukur. Ku pasqyroheshin thellësitë e detit Jon me gjelbërimin e përjetshëm të Bregut, e lotët nuk po pushonin për asnjë çast tha diçka tjetër:

“Do t’u kërkoj një gjë, por iu lutem të mos ma merrni për keq! I mbani mirë, dhe i vendosni në vende të dukshme.”
Pastaj ashtu, sërish  midis lotësh shtoi:
“A mundem ndonjëherë të vij t’i shoh!?”

Për një çast m’u duk vetja si një kusar a bandit, e jo si një blerës pikturash e dashamirës arti. E ngushëllova veten se do t’i mbanim ato piktura ashtu si duhej dhe sigurisht që kishin për t’i parë shumë njerëz të tjerë që e duan. Dhe e kuptojnë artin e pikturës.
Pamja e Arianitës, te dera e shtëpisë nuk ka për të m’u hequr kurrë nga mendja. Na përcolli me shikim, pa luajtur nga dera. Derisa zbritëm në katin e parë. Me sa kuptova i dukej se kishte bërë një tradhëti, një pabesi, që fshehurazi nënës së vet. Kishte thyer amanetin dhe i kishte shitur tre piktura.

Pashë në portretin e saj të lodhur fisnikërinë dhe shpirtin human të pathyeshëm, trashëgim nga ajo familje e shquar e Petro dhe Safo Markos dhe kuptova se në familjen e Petro Markos, qëndronte tashmë si heroinë e vërtetë, Arianita.

Dy të tjerët kishin nevojë për shërbim. Safo, e dërrmuar nga jeta, lëngonte e sëmurë në shtrat; Jamarbëri trupmadh , ende i pa kërrusur, i bukur si kreshnikët e përrallave, por mjerisht thuajse i alkolizuar.

Ai vetë zgjodhi rrugën e poezisë dhe të jetës së ndershme, por diktatura ia theu ëndrrat. Dhe shpresat në burgjet e saj mesjetare. I prekur nga ajo që pashë shkruajta diçka në gazetë si një thirrje për ta ndihmuar familjen.

Pak shpresa kisha se me atë shkrim do të lëvizte ndonjë gjë andej nga zyrat e shtetarëve, (ashtu ndodhi) që e kishin mundësinë të lidhnin pensione. Apo të jepnin ndihma të vazhdueshme për këto raste. As se do të prekte ndonjë zemër prej guri të parallinjëve të atëhershëm të tenderave. Të trafiqeve, të kontrabandës e rryshfeteve,  as të OJQ-ve dhe OJF-ve.

Të parët do të thoshnin se nuk ka ligj, se duhet të dalë një ligj i ri, se ai ligj duhet të përfshijë edhe të tjerë, se duhet të japë urdhër ndonjë i madh etj, etj. E njoh mirë këtë race të fëlliqur nëpunësish që për interesin e tyre kthejnë përmbys edhe ligjet e parlamentit.

Të dytët po dihet se ç’do të thonë, që është krizë dhe nuk ka para. Të tretët nuk di ç’të them veç që numri i tyre shtohet e shtohet si fara e sinapit.
Familja e Petro Markos vazhdoi të jetojë në varfëri dhe nuk di sot (Safo dhe Jamarbëri nuk jetojnë më) se çfarë ka ndodhur me pikturat e Safo Markos.

Por di shumë mirë që shpirtrat e Petro Markos, Safos. Dhe Jamarbërit vërtiten e vërtiten ditë e natë rreth pallatit ku jetuan, pa gjetur prehje e qetësi.

Ndoshta është koha që para pallatit ku jetoi e punoi, në anë të bulevardit “Zogu i Parë”,  ku bashkia plot zell “rilindas” po ia nxjerr brinjët. Dhe po zhduk çdo gjurmë të historisë, të ngrihet shtatorja e shkrimtarit të madh Petro Marko.

ObserverKult

LEXO EDHE: PETRO MARKO: ARRESTIMI I DJALIT, GJËJA MË E RËNDË E JETËS SIME