Asocimi i përsëritur i veprave të artit me trafiqet e paligjshme në mesin e muajit mars, i la shteg dyshimeve, për rrugët që kalon koleksionizmi në Shqipëri. Në datë 17 mars Policia e Tiranës, njoftoi finalizimin me sukses të operacionit policor “Cultural Heritage”.
“Sekuestrohen rreth 4.000 sende të dyshuara si pasuri kulturore të luajtshme.Vihet në pranga poseduesi i tyre. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cultural Heritage”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 61 vjeç, banues në rrugën “Ali Demi”, për veprat penale “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, dhe “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një apartament në pronësi të këtij shtetasi, në rrugën “Shyqyri Brati”, kanë gjetur rreth 4.000 sende të dyshuara si pasuri kulturore të luajtshme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale”, thuhej në të.
Ndonëse Njoftimi i Policisë së Tiranës, përsërit 2 herë radhazi, se, shtetasit Artan Koçiu iu gjetën 4000 sende të dyshuara si pasuri kulturore, përfaqësues të grupit të punës të ngritur për inventarizimin e identifikimin e tyre, nuk mund ta rikonfirmojë këtë sasi. Mes ekspertëve, po punojnë mbi çështjen specialistë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Galeria Kombëtare e Arteve si dhe Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.
“Nuk dihet nëse janë 4 mijë a 10 mijë. Kjo është e rëndësishme. Numri nuk dihet për aq kohë sa nuk është bërë inventarizimi i plotë dhe i saktë i çdo objekti. Edhe për inventarizimin ndiqet një logjikë e caktuar dhe ne si Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore kemi një metodologji për inventarizmin e këtyre objekteve. Kështu që unë nuk mund të përgjigjem për numrin e saktë të objekteve deri në përfundim të inventarit”, thotë Sokol Muça drejtor i IKRTK-së, pranë Ministrisë së Kulturës.
Etnografë, restauratorë e studiues të ndryshëm, siç bëhet me dije nga Ministria e Kulturës janë duke punuar për të hedhur dritë mbi origjinën e vlerën materiale e shpirtërore të objekteve kulturore të sekuestruara.
“Procesi i inventarizimit ka filluar para shumë pak kohësh, është bërë identifikimi i disa prej tyre. Identifikimi i tyre një proces që kërkon shumë kujdes, ndaj në të janë përfshirë ekspertë shumë të mirë që merren me ikona, pikturën, arkeologjinë etj. Por deri në momentin, që të dalë raporti final është një objekt që do të kërkojë kohë”, thotë ai.
Por, ndonëse grupi i punës, është ende në një fazë fillestare të verifikimit, ku ende nuk mund të na saktësojë se sa janë vepra arti mes sendeve të sekuestruara, në medie janë publikuar shifra, që përmbledhin vlerën monetare të tyre.
“Diskutimi i dytë që unë kam dëgjuar në medie, është se vlera e objekteve të sekuestruara shkon deri në 8 milionë euro. Dhe, kjo është absurde! Ka një metodologji edhe për përcaktimin e çmimeve së këtyre objekteve, por kjo nuk është kopetencë e ekspertëve që po punojnë. Puna e parë tani,është ajo e katalogimit dhe e përcaktimit nëse janë apo jo objekte që i përkasin trashëgimisë kulturore dhe cila është sasia e tyre. Si dhe identifikimi i prejardhjes, dhe verifikimi nëse janë pjesë e regjistrit të objekteve të humbura tek ne. Në një hap të dytë të dhënat i kalojnë edhe Interpol-it dhe Europol-it, për të saktësuar nga mund të vijnë, dhe a janë të vjedhura, të humbura etj.”
Në një kohë, që flitet për vjedhje të objekteve me vlerë, në ndihmë të identifikimit të sendeve që janë marrë brenda vendit, e të pronarëve të tyre, do të duhet të vinte edhe Regjistri Kombëtar i Pasurive Kulturore të Vjedhura. Pasi logjikisht, humbja e këtyre sendeve brenda kufijve, do të duhej të shoqërohej edhe me denoncim. Por edhe në këtë pikë, ekspertët hasin vështirësi.
“Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore ka si pjesë të tij, edhe Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore të Humbura dhe të Vjedhura. Ka një sërë objektesh aty, por problemi është se veçanërisht objektet e humbura në vitet ‘90 nuk kanë fotografi dhe kjo e bën shumë të vështirë procesin e identifikimit nëse ato kapen. Mund të kenë përshkrimin e ngjashëm me atë objekt, por kjo kërkon sërish verifikim.”
Nga ana tjetër shtetasi Artan Koçiu, për herë të dytë përballë bankës të të akuzuarit, kësaj here për vjedhje e trafikim të veprave të artit, jep një tjetër version të ngjarjeve, gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Penale të Tiranës.
“Nuk jam hajdut. Jam koleksionist. Veprat e artit i kam blerë në treg te zi. Jam restaurues me licencë,”- ka thënë Koçiu.
Me shtëpinë që e kishte kthyer gati në një muzeum arti, ai pretendon se këto mijëra objekte i ka koleksionuar në mënyrë të ligjshme. Por nëse brenda kufijve, Regjistri i Pasurive Kulturore të Vjedhura e ekspertët mund të vijnë në ndihmë për të zbardhur çështjen, haludohet se disa nga sendet e sekuestruara mund të jenë marrë edhe në vendet fqinjë. Mënyra se si këto sende, janë futur në Shqipëri, pavarëisisht pengesave ligjore, mbetet ende një çështje e pazgjidhur, zbardhja e së cilës mund të çonte edhe tek lidhjet e tjera të Koçiut, apo tregjet e zeza që shesin vepra kulturore. Deri më sot, për këto vepra të sekuestruara, i akuzuari është vetëm një.
“Ligji i vitit 2018 ka përcaktime shumë të qarta për importin dhe eksportin e veprave të trashëgimisë kulturore. është ligjërisht e rregulluar, që nuk i lë shteg importit dhe eksportit në vijë të dukshme, por si për çdo mall ka rrugë të tjera. Por, edhe nëse e marim të mirëqenë pretendimin se këto objekte janë blerë në treg të zi, kjo ligjërisht nuk qëndron. Fakti që ke padije për ekzistencën e ligjit nuk të bën të pafajshëm.”
Përflitet për vepra arti që i përkasin objekteve kishtare, koleksionistëve a personave të tjerë fizikë, por ende nuk është qartësuar nëse, mes tyre, mund të ketë sende të humbura të Institucioneve tona Kulturore.
“Mund të ketë, edhe nga videoja që publikoi policia është e dukshme që ka objekte të një natyre dhe madhësie të larmishme, por duhet të presim sa të mbyllet procesi”.
Fakti që Muça lë të hapur mundësinë, se përkatësia e veprave të sekuestruara mund të jetë edhe e kishave apo e institucioneve tona të kulturës, do të thotë më së paku, që ka objekte me vlerë kulturore që mungojnë apo kanë humbur në to. Vepra të cilat do të duheshin të ishin shënuar në Regjistrin e Pasurive të Vjedhura.
“Ekzistojnë objekte të humbura të institucioneve në regjistër, ato i përkasin kryesisht viteve ‘90, viteve ‘2000. Por gjatë identifikimit do të kuptojmë nëse do ka ndonjë prej tyre mes objekteve të sekuestruara”.
Ajo, që Ministria e Kulturës njoftoi me siguri në 17 mars, ishte origjina prej Maqedonisë së Veriut të 20 ikonave të sekuestruara.
“Aktualisht Ministria e Kulturës ka një bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Interpolin dhe të gjitha institucionet kompetente ndërkombëtare, në sensibilizimin dhe luftën kundër trafikut të objekteve të trashëgimisë kulturore. Shumë shpejt Shqipëria do të rikthejë në Maqedoninë e Veriut edhe 20 ikona, të cilat pas sekuestrimit rezultuan të ishin me origjinë pikërisht nga shteti fqinj. I njëjti proces verifikimi dhe konfirmimi mbi origjinën e tyre do të kryhet edhe me objektet e sekuestruara së fundi”, thuhej në njoftimin e nisur për mediet.
Por, fakti është që Ministria e Kulturës, nuk qartëson në këtë njoftim se kur është bërë sekuestrimi i këtyre 20 ikonave. Dhe kjo shifër, na shpie 9 vite pas në kohë, kur, përfaqësues nga Maqedonia e Veriut, pretendonin se 20 vepra të sekuestruara në operacionin e famshëm “Ikona”, u përkisnin atyre. Mes të akuzuarve në atë kohë (Gjergji Thimio, Arben Spahiu), figuronte edhe Artan Koçiu, për të cilin u dha masa me 14 muaj arrest shtëpie.
“Procesi i sekuestrimit të tyre është realizuar në vitin 2013. Personi i dënuar për këtë ka qenë shtetasi Gjergji Thimio. U ndoqën në atë kohë të gjithë procedurat ligjore, dhe rasti është mbyllur në vitin 2016.
Me mbarimin e këtyre procedurave është bërë një kërkesë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, me pretendimin se një pjesë e tyre i përkasin objekteve të kultit. është ngritur një grup pune i përbashkët në atë kohë, kur ishin gjithsej 476 objekte të sekuestruara, nga të cilat ka rezultuar që 20 prej tyre i përkasin realisht Maqedonisë së Veriut. është bërë një proces shumë i gjatë dhe i detajuar me ekspertët e të dyja palëve.
Kemi shkuar madje edhe në terren ku është verifikuar vjedhja dhe prerja e tyre, sepse një pjesë e tyre ishin prerë. Gjatë verifikimit ka ndihmuar fakti, se kanë ekzistuar kartela shumë të sakta, për të bërë konfirmimet shkencore, dhe rezultoi që ato 20 ikona i përkisnin Maqedonisë së Veriut”.
Pra, flitet për veprat e sekuestruara në vitin 2013, të cilat ende nuk janë dorëzuar në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht verifikimit të prejardhrjes së tyre. Ministria thotë, se 20 ikonat do të kthehen në vend të tyre shpejt pa dhënë një datë fikse.
“Ne tani jemi në procesin e përgatitjes së marrëveshjes dypalëshe. Në të vërtetë ato nuk janë përgatitur akoma. Jemi në procesin e negocimit dhe jemi me shpresën se do ta mbyllim procesin e rikthimit të këtyre ikonave në vendin e origjinës shumë shpejt. është një proces që as Shqipëria as Maqedonia e Veriut nuk e ka kryer më parë kështu që kemi parë edhe eksperiencat e vendeve të tjera”.
Por, përpos 20 ikonave të Maqedonisë së Veriut, në vitin 2013, pati deklarata kontradiktore sa i përket numrit të veprave të sekuestruara. Ndonëse fillimisht, u deklarua se sasia e objekteve ishte 1147, më tej u fol për 476, ndërsa Gjergji Thimio, kishte të tjera pretendime.
“Nuk ishin 1170 objekte sa deklaroi policia zyrtarisht ditën e sekuestrimit, as edhe 476 objekte sa deklaroi ministrja e Kulturës me grupin e ekspertëve, as edhe 174 objekte sa lanë përfundimisht me procesverbalet e policisë. Por muzeu im ka patur mbi 3 mijë objekte”, deklaroi asokohe Thimio.
Pavarësisht këtyre përplasjeve, Muça sqaron, se çfarë bëri shteti shqiptar me këto vepra.
“Objektet e tjera në momentin e përfundimit të procesit, përsëri me grup pune u bënë pjesë e inventarit të objekteve të kulturës së shtetit shqiptar. I kanë kaluar muzeumeve të ndryshme në Shqipëri. Të gjitha ato objekte që nuk kanë pronësi, janë katalogizuar dhe janë bërë pjesë e Regjistrit të Pasurive tona kulturore”.
Por, si absurd, në një kohë që koleksionistët janë individë të apasionuar pas objekteve të së kaluarës e i ruajnë ato me kujdes të veçantë, në këto raste diskutimi shtrohet mbi vjedhje, e madje edhe me metoda të dhunshme. Vetë Muça, në vitin 2013, ka shkuar për të verifikuar nga afër në Maqedoninë e Veriut për të verifikuar origjinën e ikonave, dhe ka parë se si ishte vepruar për vjedhjen e tyre. Thotë se skenat me të cilat u përballën me grupin e punës janë turpëruese dhe jonjerëzore.
“Në përgjithësi kemi hasur përdorimin e forcës, të sharrës të daltës. Jemi gjendur para një skene krimi, sepse të shohësh një ikonastas me përmasa deri në 5 metra në katror, të prerë është një absurditet. Kemi më shumë se 30 vjet që kemi kaluar sistemin komunist dhe shohim këtë pasuri edhe shpirtërore të trajtuar në mënyrë jo të moralshme.”
Bashkëpunëtor në këto vjedhje, apo blerës në tregun e zi, në shumicën e rasteve, zotëruesit e këtyre sendeve me vlerë janë të vetëdijshëm për masat ligjore që parashikohen për këto shkelje.
“Aktivitete të këtij lloji dënohen nga 3 deri në 10 vjet. Kur ka bashkëpunim nga 5 deri në 10 dhe njerëzit kur merren me aktivitete të paligjshme e dinë dhe se sa mund të dënohen, por përsëri e bëjnë. Ka një arsye sepse ndoshta ka një kërkesë.”
Shtetasi Artan Koçiu është sërish përballë drejtësisë. 9 vite me vonë me akuzën e dyfishtë të vjedhjes dhe trafikimit të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore. Në pritje të vendimit të Gjykatës, atij i është dhënë sërish masa me arrest shtëpie.
Nga ana tjetër mbetet fakti, se 20 prej ikonave të sekuestruara po mbushin një dekadë e ende nuk janë çuar në destinacion edhe për shkak të procedurave ligjore e burokrative. Në skenarin më të mirë, nga precedenti i operacionit “Ikona” , tek ai i “Trashëgimisë kulturore” që përfundoi në muajin mars, shteti do të duhej të vepronte me ritme më të shpejta.
“Është një proces që do të zgjasë. E gjitha varet nga intensiteti i punës. Ato mbeten në ruajtje deri në procesin e mbylljes të të gjitha procedurave ligjore. Deri në dënimin ose jo, të personave që janë kapur në lidhje me këto çështtje”.
Në mungesë të identifikimit të pronarëve të mundshëm, siç ndodhi edhe 9 vite më parë, opinioni publik, pret të dijë se si do të veprohet me objektet e trashëgimisë kulturore të sekuestruara në mars të vitit 2022.
“Pas vendimit të Gjykatës, do të kuptohet se çfarë do të ndodhë, nëse objektet janë të trashëgimisë kulturore, mund të merret edhe një vendim që ti kalojnë muzeve. Qoftë edhe një objekt të rezultojë se i përket një vendi tjetër do të bëhet një proces vlerësimi dhe verifikimi e më tej do të ndiqen procedurat për kthimin. Objektet që mbeten pa zot, i mbeten muzeve tona”, përfundon Muça./shqiptarja.com
Lexo edhe:
NDËRROI JETË NJË VIT MË PARË, PËRKUJTOHET DHIMITËR ORGOCKA
ObserverKult