Saimir Pirgu: Jam me fat që jam artist!

saimir pirgu

Saimir Pirgu, me origjinë nga Elbasani është sot një nga tenorët më të njohur e më të kërkuar të skenës operistike ndërkombëtare. Ai përfundoi në vitin 200, Konservatorin e Bolzanos, në Itali.
Në Itali e ka zanafillën edhe karriera e tij profesionale. Po aty, në 2004-ën, Saimir Pirgu debutoi si profesionist, në moshën rekorde 22-vjeçare, në rolin e Ferrandos, në operan mocartiane “Così fan tutte” të drejtuar nga maestro i madh italian Claudio Abbado.

Që atëherë karriera e tij, e vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare, ka shënuar vetëm rritje të shpejtë dhe suksese të njëpasnjëshme.

I vlerësuar nga Pavarotti si një nga talentet më premtuese të lirikës botërore, Pirgu performoi në Vjenë, në Berlin, në Salzburg, në Romë, në Londër, në Paris, në Nju-Jork e në Los Anxhelos, përkrah profesionistëve më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare.

Intervistoi: Valon Krasniqi

– Keni pasur fatin që deri më tani keni punuar me dirigjentë të mëdhenj, që nga Riccardo Muti tek Zubin Mehta etj. Si ndiheni gjatë punës me këta dirigjentë?

– Kam punuar me dirigjentë si Claudio Abbado, Riccardo Muti e Zubin Mehta dhe është e vërtetë që të punosh me ta mëson shumë, sidomos kur je i ri në hapat e tua të parë, kupton se çfarë është muzika nga mjeshtra të këtij niveli dhe çdo gjë që vjen pas bëhet më e lehtë në karrierën tënde. E ndjej veten shumë, shumë me fat, që sidomos në repertorin italianë dhe francezë kam patur mundësinë të interpretojë me këta mjeshtra të mëdhenj.

Ajo çka i veçon këta është përgjegjësia që marrin kundrejt të rinjve, kur debutojnë në rolet me ta. Kështu ka qenë Claudio Abbado kur unë bëra operën e parë me të, gjithashtu edhe Ricardo Muti në Salzburg me Requiemin e Verdit, ku unë vija nga një repertor krejt i ndryshëm, dhe për herë të parë interpretoja me të Requiemin e Verdit në Festivalin e madh të Salzburgut.

Këto janë përgjegjësi që kur ndahen nga mjeshtra kaq të mëdhenj ta japin lehtësi pastaj në intepretim kur i bënë më vonë me dikë tjetër.

– Cilat kanë qenë rolet më sfiduese deri më sot, dhe cili është një rol që dëshironi ta interpretoni, po ende nuk keni mundur ta bëni?

– Gjatë gjithë këtyre viteve interpretime në teatro të ndryshme kam pasur goxha sfida dhe sfidat më të mëdha sigurisht janë me rolet kryesore të repertorit siç është Rigoletto, Boheme, Carmen apo Ballo me Maska.

Është e vështirë kur në botën e operës ka kaq shumë konkurrencë, e sidomos në artin operistik konkurrenca bëhet gjithmonë me kohën, me mjeshtrat e mëdhenj si Luciano Pavarotti, Nicolai Geda, Franco Corelli, Mario del Monaco kështu që nuk është kollaj të bësh një karrierë të këtillë duke pasur kaq shumë konkurrencë jo vetëm të kohës, por edhe të asaj të kohëve të shkuara.

Në rolet që do të doja shumë të interpretoja është Othello që është një rol tepër dramatik, por gjithashtu edhe Manon Lescaut e kompozitorit Giacomo Puccini që shpresoj një ditë ta këndojë.

Ju nuk e keni fshehur asnjëherë se vendlindja zë vend të veçantë në zemrën tuaj. Si i keni raportet me Shqipërinë?

– Për mua të qenurit shqiptar ka bartur edhe vet identitetin tim si artist, atëherë kur nuk mbahesh mend me emrin Saimir, mbahesh mend si Albanian tenor, kështu që për mua Shqipëria është edhe një brand shumë i mirë që e kam përdorur shumë fort me krenari dhe kënaqësi.

Jemi të paktë ata që po këndojmë nëpër skena të ndryshme dhe është kënaqësi të shohësh kudo në këto teatro dashamirës shqiptarë nga Kosova, Maqedonia nga Shqipëria që janë emigrantë, apo që thjesht vizitojnë qytet e mëdha dhe i shikon në shfaqje dhe që ndihen kaq shumë krenar kur njëri prej solistëve është shqiptar. Fatmirësisht jemi disa sot, është kënaqësi e madhe.

 Çka mendoni për gjendjen e sotme të artit operistik në Shqipëri dhe Kosovë. Cili është mendimi juaj për situatën ku ndodhën kolegët e tuaj shqiptarë?

– Nuk mund të flas shumë për gjendjen operistike të Kosovës, por gjithashtu edhe të Shqipërisë pasi që tashmë janë 20 vjet që unë jam larguar dhe nuk e kam shumë të njohur realisht situatën se çfarë ndodhë. Por nga informacionet që kam ka goxha përpjekje që të mbahet jeta artistike në një nivel të lartë.

Ka shumë të rinj që kanë studiuar jashtë që po vazhdojnë karrierat e tyre, herë-herë ata kthehen dhe japin kontributin e tyre. Do të thosha që është vërtetë në një situatë shumë të mirë drejt të ardhmes.

Ajo që do të kisha dëshiruar më tepër është një përgjegjësi më e madhe politike e të dy shteteve tona drejt kulturës, pasi që vetëm me kulturë dhe art, dhe e kam fjalën këtu jo vetëm për artin operistik, mundet ne të bëhemi akoma më të pranishëm në rajon dhe botë duke u ofruar akoma më tepër shteteve tjera që kanë një kulturë disavjeçare në artin operistik por edhe në artet tjera.

Ndonëse shumë nga ne e kanë demonstruar si nga Kosova edhe nga Shqipëria, ka artistë të shkëlqyer, por prapë bota e ka të vështirë “ta pranojë” që në Ballkan apo më saktë që në Kosovë dhe në Shqipëri bëhet art.

Duhet akoma një përpjekje gjenerale që ata pak artistë të njohur botëror që kemi, që kanë një emër, të kanë më tepër vizualitet në arenat ndërkombëtare, por gjithashtu edhe kur aktivitetet ndodhën në Shqipëri apo Kosovë të bëhet që është e mundur që t’u jepet rëndësia e duhur edhe në nivel vendor edhe ndërkombëtar dhe kështu pak nga pak imazhi ndryshon.

– Tashmë ju kemi duke shkëlqyer në skenat më të mëdha të botës. Por në Prishtinë e keni menduar të bëni ndonjë shfaqje, apo deri më tani ka munguar ftesa?

– Do të kisha pas shumë dëshirë ta vizitoja Kosovën dhe të këndoja gjithashtu. Ka pasur tek tuk ndonjë ftesë sporadike, po jo një të mirëfilltë kështu që me kënaqësi e mirëpres. Do të kisha pasur vërtetë shumë kënaqësi të këndoja në Prishtinë apo kudo tjetër në Kosovë.

– Nëse nuk do të kishit pasur zërin e tenorit, cilin do të ishte profesioni juaj, e keni menduar ndonjëherë?


– Gjatë kohës së pandemisë jam menduar shpesh herë, se çfarë profesioni do të kisha pasur nëse nuk do të këndoja dhe të them të vërtetën gjithë këta muaj që ishim të mbyllur në pandemi, nuk arrita ta shoh veten jashtë artit, jashtë kulturës dhe nuk besoj se do të ndërrojë mendje.

Jam me fat që bëjë profesionin më të bukur në botë dhe e dua shumë dhe e gëzoj faktim që arti ma ka dhënë mundësinë që ta njoh botën, ta shikojë botën dhe ta shijojë mbase ndryshe nga njerëzit e tjerë, por edhe me sakrificat që arti kërkon por edhe me shumë mundësi që jo çdokush i ka. Jam me fat që jam artist.

– Si një këngëtar i njohur i operës, cili është mesazhi që dëshiron të dërgosh tek të rinjtë që duan të merren me këtë profesion?

– Siç e thashë edhe më parë është një nga profesionet më të bukur, ndonëse goxha i vështirë dhe kërkon shumë punë, por edhe shumë modesti. Është gjëja që gjatë viteve mëson më shumë, sa më larg arrinë në nivele të këtij profesioni, aq më shumë modesti duhet, sidomos kundrejt partiturës, kundrejt kompozitorit që e ka bërë, kundrejt gjithë historisë së intepretimeve të ndryshme nga kolegët të ndryshëm.

Nga çdokush mund të mësosh shumë, derisa të arrish pjekurinë tënde artistike dhe ato që ke mësuar gjatë gjithë viteve t’i sjellësh përpara publikut. Akoma sot e kësaj dite, unë e ndjejë veten student dhe mësoj shumë edhe nga rolet më të vogla, edhe nga kolegët me role më pak prezencë se të tjerët, mësohet gjithmonë shumë nga modestia dhe nga kënaqësia që të jep ky art.

– Dihet që ju keni shumë angazhime, a ndikojnë këto në jetën tuaj private?

– Sigurisht që ndikime ka në jetën private, që shkaktohen nga profesioni ynë sepse jemi gjithmonë në lëvizje, gjithmonë nga një shtet në shtetin tjetër, dhe familja, miqtë të dashurit janë gjithmonë të kufizuar nga mundësitë që t’i i ke për t’i parë ata.

Por besoj që profesioni im më ka dhënë shumë mundësi të tjera dhe ky privim i jetës private bëhet gjithmonë e më i pranueshëm fal familjarëve dhe miqve të mirë dhe të shtrenjtë që ke gjatë gjithë jetës.

– A mund të na i shpalosni disa nga angazhimet dhe projektet e juaja të ardhshme?

Sapo ka kënduar operan Jenufa në opera mbretërore në Londër e tashmë ndodhem në Grand Teatro Liceu për operën Rigoletto.

Do të vijojë më tej me disa koncerte në Berlin, Romë dhe Salzburg e gjithashtu vitin tjetër me kalendarin operistik si përshembull me Boheme në Teatrin Colon Buenos Aires, Carmen në Romë, Faust në operën e Cyrihut… e duke vijuar me Vjenë, Amsterdam, Paris etj.

ObserverKult