Festivali i Këngës në RTSH këtë vit në edicionin e 62 për artistë të njohur mund të jetë më i dobëti. Sipas tyre dhe çmimi i parë që u nda këtë vit në festival uli vlerat e festivaleve, që janë zhvilluar më parë.
Kantautori i njohur Sajmir Çili thotë se këtë edicion ishte një krijimtari pa identitet.
“Festivali më i dobët, ose më saktë më skandalozi. Duke filluar nga krijimtaria muzikore, tek brezi i ri i këngëtarëve pa eksperiencë vokale, por dhe skenike.
Krijimtari që s’ka identitet, e për më tepër shumë “kantautorë/e” që nën rrogoz nuk dihet e vërteta kush janë krijuesit e këngëve. Do thoja një imitim i “Top Fest” në mënyrën më të shëmtuar.
Çmimi i parë nga një juri “Mix” turli ose sallatë ruse, një interpretim skandaloz ku uli vlerat e 61 festivaleve të mëparshme”, shprehet Sajmir Çili.
Reagimi i kantautorit të njohur vjen në vijim dhe të emrave të tjerë të muzikës që kanë reaguar gjatë këtyre ditëve, ku sipas tyre Festivali në RTSH duhet të kthejë këngën me vlera në publik.
Nga 31 pjesëmarrësit në garë këtë vit dominuan të rinjtë. Shumica prej atyre që ishin në garë, kishin zgjedhur të realizonin vetë tekstet dhe muzikën e këngës performuese, ndonëse pati edhe përjashtime.
Kantautori Çili thotë se skena e Festivalit në RTSH duhet të jetë për të rinjtë që janë të talentuar.
“Unë se kam problemin tek të rinjtë, kur janë të talentuar duhet dhënë një dorë, por jo ti nxjerrësh në skenë pa eksperiencë për përfitime”, vijon Çili.
Festivali i Këngës në RTSH është pohuar si ngjarja më e madhe e këngës në vendin tonë, por duket se ka humbur shumë.
Kantautori Sajmir Çili thotë më tej për çfarë po ndodh me festivalin ka nevojë për një hetim.
“Ka ardhur momenti që çdo vendimmarrje të bëhet publike jo nën rrogoz. Ky festival ka nevojë për një hetim administrativ, por dhe penal”, shprehet Çili.
Ky edicion i 62-të i festivalit që u zhvillua në Pallatin e Kongreseve po shoqërohet me mjaft reagime, por ajo që kantautori Çili thekson është profesionalizimi i orkestrës së RTSH dhe producentëve muzikorë.
Si një artist profesionist Sajmir Çili dallon dhe këngët, që sipas tij mund të quhen të bukura e profesionale. “Duhet theksuar profesionalizmi i orkestrës dhe producentëve muzikorë (që s’kanë lidhje me këngët dhe këngëtarët konkurrent, përzgjedhjen e këngëve).
Ky festival kishte dhe disa këngë për mendimin tim, (me sa kam ndjekur për arsye kohe e angazhimeve), të bukura e profesionale. Kënga e Markelian Kapedanit kënduar nga Martina Serreqi, kënga e Bujar Dacit kënduar nga Eldis Arrnjeti. Pastaj Elsa Lila, Tiri Gjoci, Big Basta & Vesa Luma, Kastro Zizo në stilin e tij tashmë unik”, thotë kantautori Sajmir Çili.
Shkrirja e redaksisë së muzikës
Një nga problemet që shpreh Sajmir Çili është dhe shkrirja e Redaksisë së Muzikës në Radio. Ai thotë se dikur ishte redaksia dhe muzikantë profesionistë që merreshin me dëgjimin e këngëve, dhe autori dhe këngëtari e këndonin këngën me piano përpara komisionit.
“Aty shiheshin vlerat e muzikës, tekstit, por dhe këngëtarit. Sot dëgjohet vetëm CD me këngën dhe kaq, pa ditur tamam kush e ka kompozuar, kush ka bërë tekstin dhe çfarë niveli është këngëtari apo këngëtarja.
Shkrirja e redaksisë së muzikës është dëm shumë i madh në muzikën shqiptare. Thonë disa që festivali “u pëlqye nga masat” domethënë arti si forma më e lartë e ndërgjegjësimit human ka rënë nga skena në rrugë për t’u përshtatur shijeve të masës, ndërkohë që është elita muzikore që udhëheq masat për shijet muzikore.
Pra festivali është institucion elitar dhe duhet të ruhet si i tillë”, shprehet më tej kantautori Sajmir Çili.
E zgjedhur nga publiku përmes televotimit këngëtarja Besa Kokëdhima do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong 2024” me këngën “Zemrën n’dorë”.
Ndërsa mes 22 finalistëve çmimin e parë nga juria e festivalit e fitoi këngëtari nga Kosova Mal Retkoceri, me këngën “Çmendur”. Festivali këtë vit u zhvillua në Pallatin e Kongreseve nga data 19 deri më 22 dhjetor. /Julia Vrapi- sot.com.al
ObserverKult
Lexo edhe:
SOKRAT HABILAJ: TË KAM MËSUAR KEQ…
Sikur një ditë të doja të ikja larg,
Dhe të ishim të ndarë veç e veç,
E di se do më ndaloj si një merak,
Fakti që unë të kam mësuar keq.
Të kam mësuar kafen ta bëj vetë,
Tej filxhanit të më shohësh mua.
Fryma ime aty, me avujt e nxehtë,
Të përqafohen, si burrë e si grua.
Të kam mësuar kur je me të tjerë,
Nëse s’jam unë e shtyn gotën tutje.
Jo se pretë të të nxisë të pish verë,
Po do që në gotë të të lë një puthje.
Të kam mësuar që sa herë bie shi,
Çohem, hap dritaren pa më thënë.
Po pa thënë, nis që të kërkoj tek ti,
Pikat e shiut që në pore kanë rënë.
Mund të iki e nuk përmbyset bota,
Po si do bësh ti që të mësova keq?!
Ti qesh e tëra:- Një tjetër ndoshta,
Stop! Në djall ikja! Ndarja në dreq!
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult