Salihu: Më mahnitin librat që nuk e kam aftësinë t’i shkruaj…

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.

———————————————————————-

Flasim përhanshëm me shkrimtarin Salajdin Salihu

Nga: Xhemazije Rizvani

Biografia ime është e lodhshme dhe aspak joshëse. Kam pak kujtime për ta shkruar një autobiografi. Poetët, thotë Siorani, e sajojnë jetën që nuk e patën. Ndoshta për ta bërë më joshëse.
Kam lindur me operacion cezarian. Vendi im është pranë një kalaje mesjetare, me një qytet më të lashtë se sa Tetova, që e pati rrënuar një mizor qytetshkatërrues i quajtur Nemanja. Të parët e mi ishin rapsodë. Disa këndonin këngë epike e disa lirike. Mes tyre kishte rivalitet e përçmim. Më të përçmuar ishin lirikët. Ata quheshin “këngëtarë që këndonin këngë grash”. Sipas kësaj logjike unë i përkas grupit të lirikëve, por vetëm kur shkruaj poezi.
Shkronjat m’i ka mësuar nëna në moshën pesëvjeçare, dashurinë për përrallat ma ka ngjallur gjyshja, që ishte një “antologji këngësh e përrallash”, kurse dashurinë për librat ma ka ngjallur im atë, mësimdhënës fizike, i cili besonte, sikurse Tesla apo Ajnshtajni, se intuita ishte para dijes.
Me kalimin e viteve e kam kuptuar se fëmijët që trashëgojnë bibliotekë të pasur familjare nuk janë të lumtur. Gjithë jetën jam marrë me letërsi dhe kam botuar disa libra. Besoj se letërsia nuk e ndryshon botën, por mund ta ndryshojë njeriun. Një estet thotë se Dostojevski e ndryshoi kiminë e intelektit të njeriut.
Vazhdoj të shkruaj dhe të ligjëroj për letërsinë, por besoj se poezia nuk mësohet nëpër shkolla, se librat e mirë, sikurse tha Emersoni, e zëvendësojnë edhe universitetin më të mirë. Librat janë si kolumbreja. I sheh vetëm viktima e tyre.

Si duket dhoma e një poeti?

E kam përshkruar te poezia “Dhoma e poetit”. Ka një karrige, tavolinë, libra, hije, dilema, shajni, zhgënjime, dhembje, mall, fitore e dështime…

Për ç’gjëra të turpshme është vonë?

Kam ironizuar me këtë temë te një poezi imja. Është turp ndaj vetes të jetosh sipas do rregullave shpikur prej do pleqve të pa emër.

Nga se vuan një poet në një qytet të vogël?

Nga terrori i klisheve dhe refreneve. Nga humbja e gjuhës.

A ka poezi të madhe, pa një vetmi të madhe?

Krijimtaria është akt vetmitar. Shkrimtari ndjehet i vetmuar edhe në turmë.

Pse verbohet nga ëndrra ai që dashuron?

Dashurisë i duhet verbëria, dalldia, ëndrra. I dashuruari përjeton dhe nuk bën bilance. Ai kthehet krenar nga betejat që i ka humbur.

Përse nuk ndiheni i këtushëm?

Sepse nuk dua t’i përkas botës ku njerëzit flasin, qeshin e qajnë njësoj. Ku çdo ditë është e njëjta ditë. Me disa emra dhe pa asnjë shenjë…

Ç’ju mahnit juve?

Mahnitem nga antiheronjtë dhe urtësia e të marrëve.
Mahnitem nga gjethet e verdha nëpër rrugicat ku ecin vetmitarët me kokën nëpër re. Nga stolat e një parku, ku janë shënuar klithma dashnorësh të panjohur në formë inicialesh e zemrash.
Nga maja e Lubetenit, rritur e zvogëluar nëpër shënime udhëtarësh, të cilën Gjergj Fishta e përfytyroi si vend ku “ligjroshin Zana e Ora”, në mrizet e së cilës ora e bardhë e shqiptarisë “paska kenë n’nji gur t’u la”.
Mahnitem pas një fluture, sepse jeton shkurt dhe e provon djegien.
Mahnitem prej një roli episodik, që ka bukurinë e një aurore borealis.
I dua violinçelat e padukshme të vjeshtës, si të “Apocalyptica” – s, por edhe dimrin, këtë “pranverë mendjesh gjeniale”, siç e quan Pietro Aretino.
Mahnitem nga dorëshkrimet e vjetra, shënimet e harruara, ku lexojmë një kohë që ka ikur dhe mund ta kthejmë duke e rikonstruktuar.
Më mahnitin librat që nuk e kam aftësinë t’i shkruaj.
Nuk besoj se ka gjë më mahnitëse se sa libri.

Cilin poet e admironi?

Admiroj poetët të cilëve nuk u ngjaj. I tillë është Bodleri, por edhe Frederik Reshpja, njeriu “i mallkuar me art”.

Cila poezi është kryevepër sipas jush?

Ka shumë. Janë poezitë që kanë vargje prej këngëve të humbura të Orfeut.

Pa cilin libër s’duhet të rrijë çdo shtëpi?

Nuk duhet t’i mungojnë librat për fëmijë dhe fjalori i gjuhës amtare. Është mirë mos t’i mungojnë librat e Homerit, mundësisht edhe librat e Shekspirit, ndonëse aty ka gjëra të frikshme. 

Po ta kishte takuar Salajdinin beqar, Salajdini i sotëm ç’do t’i thoshte?

Paske bërë shumë gabime duke dashur të dukesh i mençur…

Për çka pikëlloheni më shpesh?

Unë shkruaj dhe nuk jam i lumtur.

Nga cila derë ikni nga realiteti?

Nga dera e artit, veçanërisht muzikës.

Ç’ju ngjall e nesërmja?

Frikën se do t’i ngjajë të sotmes.

Përse shkruani?

Sepse dua të shkruaj dhe nuk dua ta di pse shkruaj.

Ç’ka qesharake në profesorin?

Më janë dukur qesharakë profesorët që mendojnë se janë të pagabueshëm, që flasin me kompetencë të frikshme dhe që u japin peshë gjërave të parëndësishme…

A i keni gjetur kuptimin jetës? Cili është?

Është mision i kotë. Jeta vazhdimisht na zbulon përmasa të reja ekzistenciale. Jeta është madhështore për sa kohë na fsheh kuptimin e saj.

Cilët janë mësuesit tuaj?

Ata që kanë lindur para shumë shekujsh. Me vite i ndjek “ligjëratat” e tyre. Mësuesit e mirë i gjejmë duke i kërkuar.

Nëse vdes libri, si do të jetoj njerëzimi?

Me vdekjen e librit vdes njerëzimi. Njeriu kafshërohet. Njeriu është e vetmja qenie që krijon simbole, kulturë. Pa librin njeriu nuk dallon nga kafsha.

Ç’ka të frikshme ky shekull?

Adhurimin ndaj marrëzisë e cektësisë, dehumanizimin…

ObserverKult