“Salloni” e rikthen regjisorin nga Kosova para publikut portugez

“Salloni”, komedi e zezë që zhvillohet në një sallon bukurie në pasditen e një të diele të rëndomtë, është një nga rrëfimet që do të shpaloset në edicionin e 16-të të festivalit “FEST — New Directors | New Films Festival”. Vepra e regjisori nga Kosova, Zgjim Terziqi, është në programin e festivalit që ka për qëllim promovimin e regjisorëve të rinj. Filmi është jashtë garës, në “Fast Forward”. Edicioni i sivjetmë do të mbahet prej 2 deri më 9 gusht. Regjisori Terziqi nuk është emër i panjohur për Festivalin. Para dy vjetësh, me filmin e shkurtër “Një muaj”, ishte pjesë e programit garues të të njëjtit festival.

Festivali mbahet në qytetin Espinho në veri të Portugalisë. “FEST — New Directors | New Films Festival” ani pse iu dedikohet regjisorëve të rinj, çdo vit pjesë e tij bëhen edhe emra të njohur të kinematografisë, si regjisori iranian Asghar Farhadi, regjisori hungarez Bela Tarr, regjisori e producenti spanjoll Fernando Trueba, aktorja amerikane Melissa Leo, filmbërësi amerikan Edward Lachman e të tjerë.

Këtë vit, për shkak të pandemisë, fokusi më i madh i Festivalit është te shfaqja e filmave dhe organizatorët janë detyruar që disa aktivitete të planifikuara t’i shtyjnë për edicionin e vitit të ardhshëm. Që nga viti 2004, në kuadër të Festivalit mbahen edhe punëtori e programe të ndryshme edukative. Për këtë edicion filmat do të shfaqen në qendrën kulturore “Multimedia Center of Espinho”. Po ashtu, për shkak të pandemisë ekipi i Festivalit është treguar kreativ dhe do të inaugurojë edhe një kinema “drive-In”, siç njihen kinematë ku shikuesit shikojnë film nga veturat e parkuara para ekranit të madh./koha