
Sami Frashëri lindi më 1 qershor 1850, në Frashër të Përmetit. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, ku mësoi disa gjuhë të huaja, si greqishten e vjetër, latinishten, frëngjishten dhe italishten.
Më 1872 u vendos në Stamboll, ku nisi veprimtarinë si gazetar, shkrimtar dhe studiues, duke ndërthurur veprimtarinë intelektuale me përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. Si bashkëthemelues i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare dhe një nga drejtuesit e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (1879), ai luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e lëvizjes kulturore shqiptare.
Kryevepra e tij mbetet botimi “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, i botuar më 1899 në Bukuresht. Në këtë vepër ai shprehu idetë e tij demokratike për zhvillimin politik e shoqëror të vendit, si edhe për përparimin e arsimit, kulturës dhe shkencës.
57 veprat e botuara në disa gjuhë të botës dhe 20 mijë vëllimet e bibliotekës së tij personale e bëjnë atë një nga enciklopedistët më të mëdhenj shqiptarë.
Edhe pse u izolua nga autoritetet osmane për veprimtarinë e tij thellësisht pro lëvizjes kombëtare shqiptare, kjo nuk e pengoi atë. Puna, mendimi dhe vizioni i tij ndriçuan rrugën drejt pavarësisë.
Ai u nda nga jeta në Stamboll më 1904, duke lënë pas një pasuri të çmuar në fushën e mendimit patriotik shqiptar.
P.S.: Teksti: Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, faqe 729-730.
ObserverKult
Lexo edhe:
NAIM FRASHËRI, FIGURA QENDRORE E RILINDJES KOMBËTARE
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot në 176-vjetorin e lindjes, poetin dhe shkrimtarin Naim Frashëri (1846-1900).
Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane.
Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”.
Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve. Por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.
TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU
ObserverKult






