Festivali i Këngës për Fëmijë “Yjet e Flakës” ishte aktiviteti i radhës në kuadër të Manifestimit Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2024”, i cili tash e sa javë po mbahet në Gjilan, duke e shndërruar këtë qytet për një muaj të tërë në kryeqendër të kulturës.
Zëri i parë që jehoi në “Yjet e Flakës” ishte e mysafires së vogël të këtij Festivali, Kira Demolli, vetëm 2-vjeçe, e cila solli këngën “Mora fjalë”, me kompozim nga Naim Gjoshi, për t’i lënë radhë më pas dymbëdhjetë konkurrentëve, të cilët interpretuan këngë që i kushtoheshin atdhedashurisë, heronjve, të sotmen, por edhe që i kushtoheshin botës së tyre fëmijërore, të gjitha këto këngë që i përshtateshin karakterit të festivalit.
Festivalin e shpalli të hapur, Kushtrim Zeqiri, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, i cili në emër të kryetarit të komunës, Alban Hyseni ka përshëndetur të pranishmit, veçmas fëmijët, si dhe të gjithë yjet që do të ngjiten në skenë dhe do të na kënaqin me zërat e tyre të bukur e plotë hare.
“Në këtë vazhdimësi të këtyre ngjarjeve të rëndësishme artistike që po i sjell “Flaka e Janarit 2024”, me artistë të të gjitha trevave shqipfolëse, sot jemi me Festivalin e këngës për fëmijë, i cili është bërë tradicional tashmë, e ku fjalën kryesore e kanë ata të cilët do ta vazhdojnë më tej punën tonë dhe do ta mbajnë të pashuar ndër vite “Flakën e Janarit”, e cilat tanimë është shndërruar në një institucion kulturor mbarëkombëtar me të cilin krenohet qyteti ynë”, ka thënë drejtori Zeqiri.
Ai tha tutje se drejtoria që e drejton është e përkushtuar me tërë kapacitetin për t’i qëndruar në krah që çdo shtyllë e “Flakës së Janarit” të shkëlqejë përgjithmonë.
Përndryshe, publiku i pranishëm në sallë u kënaq nga tingujt e dymbëdhjetë këngëtarëve konkurrues si:
Solistja Luiza Koci, kënga “Ushtari“, kompozitore Natyra Mehmeti.
Solistja Kenza Ismajli, kënga “Komandant Adem Jashari“, kompozitore Arife Kastrati.
Solisti Leart Isufi, kënga “Ty Flamur“, kompozuar nga “Creative Studio”.
Solistja Elsa Halilaj, kënga “Univers“, kompozitor Memli Kelmendi.
Solisti Aron Musliu, kënga “Toka ime“, kompozitor Hekuran Bllaca.
Solistja Luna Salihu, kënga “Atdheu”, kompozitor Shaban Ratkoceri
Solistja Aya Sylejmani, kënga “Vendi më mësoi“, kompozitor Xhevat Rushiti.
Solistja Sara Rexha, kënga “Pavarësia“, kompozitor Fitim Elezi.
Solistja Rita Rexhepi, kënga “Këngë vendi“, kompozuar nga “Creative Studio”.
Solistja Norma Haliti, kënga “Atdhe“, kompozitor Hekuran Bllaca.
Solistja Fiona Kabashi, kënga “Kurbeti“, kompozitor Memli Kelmendi.
Solistet Anesa dhe Melisa Shabani, kënga “O Flamur”, kompozitor Mentor Latifi.
Juria në përbërje: Sami Piraj, kompozitor, profesor i muzikës e kritik muzikor, Arta Haziri Nuhiu profesoreshë e muzikës dhe drejtoreshë e festivaleve “Mollëkuqet” dhe “Rising Stars” dhe Shqipe Spahiu, redaktore e programit për fëmijë në RTK, kanë ndarë tri çmime speciale dhe çmimet e vendit të parë, të dytë dhe të tretë.
Kështu Sara Rexha, është fituese e çmimit të parë të Festivalit të Këngës për Fëmijë “Yjet e Flakës”. Me vendin e dytë u nderua Leart Isufi dhe me të tretin, Luiza Koci, transmeton ‘ekonomia online’.
Ndërsa, me çmime speciale u nderuan këngëtarët: Kenza Ismajli, Luna Salihu dhe Rita Rexhepi.
Përndryshe “Yjet e Flakës”, u begatuan edhe me mysafirët e Festivalit, “Dancing Hause”, me koreografen Nazmije Ahmeti, e që u paraqitën me dy pika: “Kënga e Skënderbeut” dhe “Fjalët e qiririt”, pastaj me performancën e Olta dhe Aron Musliu me këngën “Festo vendi im” si dhe me Korin e Fëmijëve të Shkollës së Muzikës në Gjilan, me dirigjent Artan Jerliun, dhe në piano, Diana Toska.
Vlen të theksohet se organizimi ishte i shkëlqyeshëm për të cilën është përkujdesur, Kushtrim Jakupi, drejtor i festivalit, për zërimin dhe ndriçimin, Dj Albani dhe Fatmir Halili, skenografinë: Lyra Jakupi, si dhe me moderim të Ilda Nuhiut.“Flaka e Janarit 2024”, vazhdon tutje,me aktivitetin vijues “Përmbledhja e këngëve të Jusuf Gërvallës”.
ObserverKult
Lexo edhe:
MICHALIS GANAS: ËSHTË E VËSHTIRË TË DUASH, POR LE TË JEM ROB I DASHURISË
Poezi nga Michalis Ganas
Meqënëse jeta jonë duket se po shteron
dita-ditës, nuk do të thotë se
nuk ia vlen.
Sepse të kam dashur dhe të dua ende,
edhe nëse jo si dikur,
nuk do të thotë që dashuria vdiq,
ndoshta u lodh, si çdo gjë që merr frymë.
Meqë po kalon ditë të vështira
përkulur mbi letra dhe gremina
që nuk mbyllen, dhe unë kërcej
netëve së gjati duke gulçuar,
nuk do të thotë se nuk kemi
fat në diell, kemi fatin tonë.
Meqë herë je njeri
e herë zog, sjell
bukë të vogla në shtëpinë
tonë nga mërgimi
dhe fëmijët tanë shpresojnë
për ditë më të mira.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult