Kjo skicë dëshmon imazhin real të sarajeve të Ali Pashë Tepelenës në Janinë dhe në Tepelenë. Sarajet e Janinës, ishin projektuar dhe ndërtuar nga Petro Vithkuqari, njohur ndryshe edhe si Petro Korçari, kryearkitekti i Ali Pashës, i cili projektoi e ndërtoi edhe qendrën e Janinës. Ndërsa, sarajet e Tepelenës ishin ndërtuar prej usta Themelit, nga Marjani i Korçës.
Skicat dhe shumë dokumente rreth pashallëkut të Janinës ruhen në arkivin e Ali Pashës në Athinë. Rreth sarajeve të Ali Pashës në Janinë qarkullojnë disa imazhe fiksuar në periudha të ndryshme historike, por në këtë skicë dëshmohet periudha kur qendra e Janinës me gjithë ndërtimet e kryearkitektit Petro, ishin në kulmin e shkëlqimit të tyre.
Për origjinën e arkitektit të famshëm Petro kanë ekzistuar dy teza. Sipas Dhimitër Shuteriqit, Petro ishte me origjinë nga Korça ndaj e quajtën edhe Petro Korçari. Por, një dokument nga arkivi i Ali Pashës, zbulon se origjina e tij ishte nga Vithkuqi. Dokumenti prezanton një lutje drejtuar nga banorët e Vithkuqit për Ali Pashë Tepelenën, ku përmendin shtëpinë e lindjes në Vithkuq të arkitektit Petro, e cila sikurse gjithë shtëpitë e një mëhalle të tërë, kishte rënë pre e bastisjeve të Bylikbashit të ri që ishte emëruar në atë kohë dhe të tjerë agresorë që e ndiqnin atë. Ndërsa i rrëfejnë Ali Pashës mbi barbarizmat e bëra në fshat, ata i përmendin disa herë kryemjeshtrin e tij Petron që kishte shtëpinë në Vithkuq dhe disa kushërinj.
Po ashtu, dokumentet zbulojnë detaje edhe rreth usta Themelit. Një dokument po nga arkivi i Ali Pashës zbulon se usta Themeli kishtë bërë restaurimi në sarajet e Tepelenës në vitet 1808-1809.
“…Usta Themëli ka punuar nga 12 tetori 1808 gjer më 15 Korrik 1809, për rikonstruksionin tërësor të sarajeve të Pashit, në Tepelenë…”, shkruhet në dokument. /Java/