Saramago: Tani nuk ia vlen më. Bota do të vazhdojë pa ty e pa mua …

Letër Jozefës – Gjyshja ime    

Nga: Jose Saramago

Je nëntëdhjetë vjeçe. Je e vjetër, e lodhur. Më thua që ke qenë vajza më e bukur e kohës tënde- dhe unë e besoj. Nuk di të lexosh. Duart i ke të dhjamosura dhe të deformuera, këmbët si trungje. Ke mbajtur mbi kokë tonelata me dru nëpër laguna me ujë.

E pe diellin të lindte çdo ditë. Me bukën që ke zënë mund të bëhej një banket universal. Rrite njerëz e bagëti, i fute gicat në shtratin tënd kur i ftohti kërcënonte ngrirjen e tyre. Më tregove gjithfarë historish, me burra-ujqër, çështje të vjetra të familjes, një krim me pasojë vdekjen. Shtatë herë mbete shtatzënë, shtatë herë linde.

         Nuk di asgjë për botën. Nuk merr vesh nga politika, as nga ekonomia, as nga literatura, as nga filozofía, dhe as nga feja. Trashëgove disa qindra fjalë praktike, një fjalor elementar. Me ato jetove e vazhdon të jetosh. Je e ndjeshme ndaj katastrofave dhe njëlloj me rastet e rrugës, ndaj dasmave të princeshave dhe ndaj vjedhjes së lepujeve të fqinjës. Ke urrejtje të madhe për motive që tani as kujtesë nuk ke më për ta, dhe përkushtim të madh që nuk përqëndrohet gjëkundi.

Jeton. Për ty, fjala Vietnam është thjesht një tingull barbar që nuk ka të bëjë aspak me me rrethin tënd të kufizuar. Rreth urisë di diçka; Ke parë tashmë një flamur të zi të ngritur në kullën e kishës. (Ma ke treguar ti, apo kam ëndërruar që po ma tregoje?) Mban me vete një dritën tënde të interesit. Dhe pa marrë parasysh i ke sytë e qartë dhe je qejflie. E qeshura jote është si një fishekzjarre ngjyrash. Kurrë nuk parë  ndokënd të qeshë si ti.

                Të kam përpara dhe nuk kuptoj. Jam gjaku gjakut tënd dhe nuk kuptoj. Erdhe në këtë botë dhe nuk je shqetësuar për të ditur se çfarë është bota. Po mbërrin në fundin e jetës tënde dhe bota për ty mbetet e njëjta si në kohën kur linde; një pyetësor, një mister i paarritshëm, diçka që nuk bën pjesë në trashëgiminë tënde që është: pesëdhjetë fjalë, një kopësht i cili përshkohet për 5 minuta, një shtëpi me rrasa dhe një dysheme e plasaritur.

Shtërngoj dorën tënde të pashpresë, kaloj dorën time në fytyrën tënde të rrudhur dhe nëpër flokët e tu të bardhë që i rezistuan peshave të ngarkesave – dhe vazhdoj të mos kuptoj. Ke qenë e bukur, thua, dhe e shoh qartë që je inteligjente. Pse ta kanë vjedhur, botën pra? Kush ta vodhi?

Mbase nga kjo kuptoj unë, e do të thoja si dhe pse, e ku, nëse do dija të zgjidhja mes një pafundësie fjalësh të cilat t’i mund t’i kuptoje. Tani nuk ia vlen më. Bota do të vazhdojë pa ty – dhe pa mua gjithashtu. Nuk ia kishim thënë njëri-tjetrit gjënë që ka më tepër rëndësi.

         Realisht nuk ia kemi thënë? Mbase nuk ta kam dhënë unë, sepse fjalët e mia nuk ishin të tuat, bota që të detyrohej ty. Mbetem me fajin për të cilin ti nuk më akuzon – dhe kjo është shumë më keq.

Por, pse, gjyshe, pse ulesh në prag të portës tënde, që rri e hapur drejt natës me yje e të pafund, drejt qiellit që asgjë nuk di për të dhe në të cilin nuk do udhëtosh kurrë, drejt heshtjes së fushave dhe pemëve që rrinë në hije dhe thua, me qetësinë absolute të nëntëdhjetë viteve të tua dhe me zjarrin e adoleshencës tënde që nuk e  humbe kurrë:“Bota është kaq e bukur dhe mua më kaplon trishtimi kur mendoj se po më vjen ora!„

Kjo është ajo që nuk kuptoj – por faji nuk është i joti.

Përktheu: Adrian Zalla

ObserverKult

—————————-

Lexo edhe:

MUSA RAMADANI: NUK E NJOH E NUK MË NJEH…AS EMRIN NUK IA DI!