Sarandë: Anija italiane e mbytur në Luftën II Botërore, aset turistik nënujor

Një anije luftarake italiane e Luftës së Dytë Botërore ndodhet sot e kësaj dite e mbytur në Gjirin e Sarandës, rreth 300 km në jugperëndim të Tiranës,  rreth   80 m nga bregu i detit  dhe vetëm 14 milje larg ishullit helen të Korfuzit.

“Me kalimin e viteve,  anija është bërë  shpesh  objekt  i zhytësve, në shumicë amatorë. Jo pak prej tyre kanë nisur të marrin nga mjediset e ish mjetit lundrues ushtarak objekte të ndryshme, shumë të rëndësishme për historikun  e saj dhe arkeologjinë nënujore”- rrëfen për ATSH-në arkeologu i njohur dhe zhytësi profesionist Xhemal Mato me origjinë nga Saranda.

Por  ç’dihet tjetër  për  anijen  e vjetër  luftarake italiane  “SS Probitas” të Luftës së Dytë Botërore?  Dhe cili do të jetë “fati” i saj i mëtejshëm në ujërat  shqiptare të  Jonit?

Dëshmitarët

Anija, sipas dëshmitarëve okularë të moshës së tretë në qytetin bregdetar, u bombardua në tetorin e largët të 1943-shit nga gjuajtësit gjermanë .

Anija bënte përpjekje për të kryer misionin e tërheqjes së ushtarëve dhe oficerëve nga rajoni i Sarandës  pas kapitullimit të Italisë së Musolinit.

Banori i hershëm qytetit  Qani Sulo, tregonte disa vite më parë se “U mësua në qytet se anija  qe hyri në Gji, atë pasdite  tetori  të ’43-shit , kish ardhur për të mbledhur  ushtarë dhe oficerë italianë të mbetur në Sarandë dhe këtej rrotull menjëherë pas kapitullimit të Italisë. “

Të mbeturit, ndodheshin të shpërndarë, sa në qendër të qytetit edhe në periferi, në Limion”.

Dëshmitarë të tjerë okularë treguan se “Të mbeturit italianë, i druheshin nga pushkatimi ushtrisë gjermane që do të hynte në qytet.”

Dhe kishin të drejtë . Po sipas tyre, dëshmitarëve okularë që rrëfenin rreth tre dekada më parë “Një pjesë e robërve ushtarakë italianë u pushkatuan në Limion nga formacionet gjermane që hyjnë nga Qafa e Gjashtës dhe u përqendruan në zonën e Limionit (Sarandë).

Zhytësit dhe rreziku i dytë pas bombardimit nazist

Anija me gjatësi mbi 50 metra gjatë tre dekadave të fundit  ka shërbyer si një muze i gjallë nënujor.

Në këtë muze janë fiksuar relike të asaj kohe dhe objekte të ndryshme, si në një film dokumentar të ngrirë në sekuencat e tetorit të largët të Luftës së Dytë Botërore.

Por me kalimin e viteve u kuptua se anijes pas bombardimit  nazist te 1943-it,  po i kanoset një tjetër rrezik: ai i bastisjes se objekteve nga  zhytës anonime, apo trafikantë të relikeve  antike.

Zhytësi dhe ekologu shqiptar, Xhemal Mato, tha për ATSH-në  se “gjatë zhytjeve pak vite më parë, kam parë në anije një inventar sendesh si shishe  me verë dhe shishe bosh, çizme ushtarësh, medikamente  mjekësore, etj. Por në zhytjet e tjera  kamë vënë re se iventari i objekteve po pakësohet nga vjedhësit….sepse kështu mund t’I  quajmë….Ato objekte e relike sikurse edhe anija e mbytur, janë pasuri kombëtare.”

Sugjerimi i ekologut  Xhemal Mato

Mato, deri pak vite më pare,  i vetmi instruktor i lincensuar për zhytjet në Shqipëri, thotë se nuk mund të ngresh gishtin për  ç’autorë zhytës anonimë mund të behet fjalë.. “Ndoshta kanë qenë turistë ose zhytës italianë”, tha ai. Këtë ,unë nuk mund ta di.”

Por sipas tij, anija italiane, mund të shërbejë  si një muze i gjallë i Luftës së Dytë Botërore. Ajo mund të frekuentohet nga turistë dhe amatorë të huaj të zhytjeve që frekuentojnë rajonin turistik jonian të Shqipërisë, ose, që mbërrijnë nga ishulli i Korfuzit në Sarandë, për të vizituar më tej qytetin antik të Butrintit.

Por për anijen luftarake të Musolinit, duhet një sinjalistikë dhe një guidë turistike si një “destinacion” i veçantë dhe atraksion  i ri qe mund t’i shtohet magjisë së hartës  mjaft të pasur  me monumente arkeologjike e historike të  pellgut gjeografik Sarande-Foinike-Mesopotam-Syri i Kaltër-Butrint.
Për Xhemal Maton,  në bregun pranë  Hotel “Butrintit” në Sarandë,  mund të vendoset një tabelë/guide në shqip dhe anglisht me skicën e anijes, thellësinë, etj., për t’i orientuar zhytësit, turistë të huaj ose vendas.

Muzeu i munguar në Sarandë.

Në Sarandë, në qytetin mes tre siteve të rëndësishme arkeologjike: Butrint, Foinike, Onhezmi, rajon ,e dendësinë më të madhe të monumenteve  arkeologjike e historike në Shqipëri, ka ardhur koha të ngrihet edhe një  muze detar dhe i arkeologjisë nënujore .

Shpesh si gazetar, në biseda konfidenciale me peshkatarë dhe zhytës gjatë tri dekadave të fundi, kam mësuar se janë me dhjetra objekte nënujore të gjetura në hapësirën detare mes Sarandës, Ksamilit dhe Himarës.

Ka dhjetëra anije të mbytura nga antikiteti i hershëm deri në mesjetën e vonë e më pas, në periudhën moderne.

Incidenti i famshëm i Kanalit të Korfuzit, është pjesë intriguese e narrativës dhe tragjedive njerëzore të kësaj hapësire detare.

Kanali i Korfuzit ka qenë  jo vetëm një udhë detarë e detyruar për kalim, por shpesh, edhe arenë e ngjarjeve, luftërave, shoqëruar me anije të mbytura dhe relike që  sot “flenë” gjumin shumëshekullor në fund të detit.

Sot, jo pak peshkatarë e dinë se ku ndodhet në fundet një anije e mbytur me terrakota. Disa prej këtyre terrakotave  ndodhen në mjedise private në Sarandë po edhe në lokale shërbimi.

Ku mund të “flasin” e të “rrëfejnë” më mirë  vulën e kohës së tyre sesa në një Muze Detar apo Nënujor, këto anije me objekte e relike të paçmuara?/atsh