“S’dua gjumë…” Rudina Papajani lexon poezinë e Nezir Krakit

Poezi nga Nezir Kraki

Gjumit i druhem,
Më duket sikur më mashtron,
M’imponohet si opsion i vetëm,
E unë s’i dua gjërat pa alternativë,
Aq më pak ato që ma cënojnë lirinë.

Gjumi është kafaz,
Kafaz ëndrrash që s’jetohen.
Shpesh s’i mbyll hiç sytë,
Si ushtar bëj rojë n’thellësitë e natës,
Me hënën n’puthje kozmike,
N’kërkim t’dy syve me i shiku,
N’kërkim t’buzës që dridhet,
N’luftë me ligjin e kohës që s’ndalon,
N’luftë me ligjin e trupit që lyp pushim.

Dhe kur rrezja e parë zbret nga qiejt e përgjumur,
Unë veç jam n’t’shtatin…
Pa zë përshpëris:
« Fitova disa orë jetë, disa orë liri…
Jetova! »

Kam edhe arsye tjera pse gjumin s’e dua…
Më duket i largët mëngjesi, e largët dita,
Me u përmallu për ata që më mungojnë,
Me u çmall mendimeve për ta.
Duke u magjeps me ditën që vjen pa pyet,
Me mistiken e gjithësisë,
Kur jeta nis…

ObserverKult

Rudina Papajani

Lexo edhe:

NEZIR KRAKI: MOS ME T’DASHTË TY ËSHTË KRIM…