S’e kisha mendua, se mund t’vijë dita, qe unë t’mos vi të varri!
Por, ja që ndodhka!
Rugova nganjiherë, qenka miliona kilometra larg!
Smundjet t’i çueka Zoti, por pushteti t’i mbyllka rrugët – si mua sot Mirake,
n’ditëlindjen tande të 37-të!
Ti e ke ditë për babën, që gjithmonë asht çua herët!
Kur pëllumbat kanë ba gu-gu e sorrat kanë krrokatë, baba asht çua, me ta shetitë Ninon, qenushin e vogël, parqeve të Dardanisë.
Sot, nuk krrokatën sorrat, shi asht tue ra, e shpezët shiun e kanë mërzi. Futen strehëve, puplat mos t’iu lagën!
Por baba asht çua Mirake. Ka ardhë n’dhomën tande. Ka folë me fotografinë që t’rri mbi krevat. T’ka përqafua, urua ta ka ditëlindjën e tridheteshtatë, e lotët i ka la n’ballkon, me shiun që binte!
Herët jam çua Mirake, herët.
Hijën e kam t’fillua për n’Drelaj. Të vorri porositë e kam me t’ardhë!
Trupi i rrudhun i babës, ka mbetë n’dhomën tande t’vetmisë, veç hija e tij, n’Rugovë t’ka ardhë!
M’shkruej, nëse jeni takua me mallin tim të djegun, mbi varrin e lagun!
Ose, ma ço nji za për qyqet e malit!
Këtu shi asht tue ra. Prishtina rrin e ngujueme, nga nji smundje e randë. Asht karantinë, e unë i ndaluem me ardhë!
Atje m’thuej si asht?
Ti si je?
Për kend malli ma shumë t’ka marrë?
Si gjithmonë, Agim Doçi dhimbjen për ty e zbrazi n’poezi, e na mbushi vaj!
Rina t’kujtoi nga Zelanda e Re, dhe ai i shkreti Santu, nga Goa, që kurrë s’të pau!
Unë hala po shkruej e po flas me ty, por mendjën atje e kam, të varri yt n’Bjeshkët e Nemuna.
Lotët s’me pyesin për burrninë, (edhe ashtu, moti m’ka lanë), e njerëzit me ngushëllojnë n’ditëlindjen tande.
Bahu i fort siç na mësove, me shkruejnë, e unë lotoj tinzash nanës e vllaut tand, që ende bajnë gjumë.
Eh, sikur ta kisha, t’pakten, atë qenin tand Nino, tash do t’dilja parqeve të Dardanisë e do t’hiqja mall.
Por ai iku si ti, para nji viti. Me mbeti vetëm n’fotografi, që t’flas me te e me ty, tue mbytë vetminë time!
S’di, ku do t’jem n’majin tjetër, se dhimbja ka nisë me m’rrëzu si lisin, veç dije, se nuk t’kam harrua as n’andrra, as n’bukë as n’ujë.
Unë, që 37 vite, kryet e ve n’jastek me lutjen: Rueje Zot Bubën, Latin, Fatimën edhe mua!
Unë jetoj veç për ty!
Të don baba Bubulinë. Urime ditëlindja!
Dardani, 02.05.2020
ObserverKult