Së pari e ekzekutuan, pastaj filluan të vallëzonin rreth kufomës…

Historia e Bahri Çepratit
Foto ilustrim

Pas gati dy vitesh i fshehur në shtëpinë e Ixhlalit, Saiti u zbulua dhe u vra nga forcat komuniste. Më pas komunistët do ta festonin këtë fitore duke kërcyer rreth kufomës së tij.

Ixhlal Kazazi, vajza e kushëririt të Jup Kazazit, ishte vetëm një fëmijë, kur i çonte letrat me të cilat komunikonin vëllezërit Jup dhe Sait Kazazit, në ditët e fundit të jetës së tyre, që u shuan një javë nga njëri-tjetri. Ndërsa mbi fisin e saj, do të vinin goditje të njëpasnjëshme.

Cila është historia e familjes suaj?

Në shtëpinë e Hafiz Kazazit erdhi Sait Kazazi. Sait Kazazi u strehua për mbrojtje nga i gjithë farefisi. Të gjithë ishin me Ballin Kombëtar, ishin fetarë, ishin të tërë atdhetarë. Saiti, dy vjet pa tre muaj qëndroi te familja jonë. Ishim katër fëmijë, por e gjithë puna ishte të përgatiteshim sesi do të reagonim ne fëmijët, unë dhe vëllai.

Na përgatitën motrat me nanën. Me çarçafë dilnin, unë nuk i njihja. Më bënin pyetje: Kë ke në shtëpi? Unë i përgjigjesha: “nanën, vëllanë, motrën” dhe kaq ishte familja. Ata u bindën që unë nuk tregoj, u bindën se janë të sigurt prej meje, atëherë filluan lëvizjet, lidhjet e dy vëllezërve: të Saitit që ishte në shtëpinë tonë dhe të Jupit, që ishte te daja i vet, Rifat bej Kopliku. Mirëpo për të çuar ato letrat, traktet, mua m’i vinin si hajmali, gjoja sikur unë po shkoja t’ia çoja.

Aty ishte një rrugicë e gjatë, që sot ekziston. Në atë kohë, kur unë shkoja atje si fëmijë, më vihej prapa o nana, o motra, që mos të më dilte ndonjë fëmijë për të më ngacmuar, sepse ishte puna për “hajmalinë”.

Kur shkoja te kjo familje, më dilte vajza e shtëpisë, me më marrë hajmalinë që ia kisha çuar unë për mushtulluk. Me një fjalë, kjo punë ka vazhduar deri sa këta dy vëllezërit qenë gjallë, por përpara një jave u vra i vëllai, Jup Kazazi, te daja i vet, te Rifat bej Kopliku, te ky që i çoja unë ato traktet si hajmali. Pas një jave, ndodhi kjo ngjarja te ne: u sugjerua, u tregua dhe ai, si me thënë, bëri përleshje. Aty, thoshte motra e madhe që 100 policë kanë qenë atë ditë në shtëpi.

Me një fjalë u bë përleshje sepse ata kanë kujtuar që janë edhe shumë të tjerë dhe mandej, pasi u bë vrasja, kanë detyruar nanën, me gjithë motrën për të hapur trapazanin se kanë kujtuar se mos ka dhe të tjerë aty, atëherë, kanë ulur kufomën nana me motrën. Mandej e kanë marrë, e kanë nxjerrë në çardak, që themi ne. Aty nuk kanë bërë një gjest të bukur ndaj tij: e kanë vënë kufomën në çardak dhe ata kanë nisur duke kërcyer rreth kufomës.

Motra është prekur shumë, motra e madhe, se motrën nuk e morën në atë moment. Mandej, arrestuan djemtë e xhaxhallarëve: dy këndej dhe dy këndej dhe i arrestuan dhe i çuan në burg. Në këtë kohë, arrestojnë edhe nanën tonë. Edhe kështu që kufoma mbeti. Atëherë ka ardhur karroca e plehrave, ishte kështu si me kapak, e kanë marrë, e kanë çuar ku kanë pasur dëshirë ata për ta çuar. Edhe kështu që Sait Kazazi vdiq, mirëpo u arrestuan gjithë këta njerëz, megjithatë, me vullnet, me besim në Zot, të gjitha i përballuan nëpër burgje. Nana u dënua për 10 vjet, doli një amnisti në atë kohë dhe kështu që doli për dy vjet.

Ju fëmijët, ku qëndruat gjatë kohës që nëna ishte në burg?

Janë kujdesur dy motrat. Vëllai, unë, motra e vogël dhe motra e madhe jemi kujdesur që të katërt për njëri-tjetrin. Na u larguan njerëzit, kishin frikë të vinin te ne, se ishte çështje politike. Një person, një komshi, kur ka marrë vesh që kanë arrestuar këta dhe motra e madhe ka mbetur vetëm në shtëpi, vajzë 23 vjeçe, ai ka çuar djalin 12 vjeç dhe ka ndenjur atë natë me motrën për ta shoqëruar. Mandej të nesërmen, kanë ardhur kanë marrë dhe motrën dhe e kanë mbajtur tri ditë. E mbajtën tri ditë edhe motra u lirua nga burgu. Ajo ishte krejt e pafajshme, ishte viktimë me një fjalë. Kurse nana i bëri dy vjet burg. Ajo i vuajti ato, por nga dënimi dhjetëvjeçar shpëtoi me amnisti, me dy vjet.

E takonit nënën gjatë kohës që ishte në burg?

Po, shkonim, na lejonin të shkonim.

Në çfarë burgu e vuajti dënimin nëna?

Te burgu këtu në Shkodër, te Burgu i Madh, ku është Prefektura. Aty ka qenë burgu i grave dhe i burrave. Shkonim, i çonim ushqimet, por pastaj ajo u sëmur, kaloi turbekuloz, edhe pati probleme shëndetësore. Kur doli, jetoi nja 11 muaj dhe vdiq.

Po ju fëmijët ju përndoqën?

Ne nuk na cenuan. Vajzat ishin beqare, ato punonin të shkretat. Punonin xhupa, punë private se nuk ishin në punë shteti, por unë isha fëmijë dhe vëllai ishte fëmijë. Qemë të lidhur shumë dhe një kushëri i babës, i ndjeri Jakup Kazazi. Ai është kujdesur shumë-shumë për ne, për mbarëvajtjen tonë. Por shumë njerëz, shumë njerëz na u larguan.

Po vëllai juaj me çfarë u mor?

Vëllai pati diçka të mirë. Kur ndodhi kjo vrasja, tezja në Tiranë, familja e Beqir Drishtit, çojnë dhe e marrin djalin dhe i çojnë fjalë motrës që vëllanë po ta marrim në Tiranë. Ne, vajzat, na mori axha. Në këtë periudhë që ndodhi kjo ngjarje në shtëpinë tonë, motra e madhe, mori shumë trishtim, nuk mundte të hynte në shtëpi dhe na mori axha.

Axha kishte dy djem nëpër burgje dhe axha tjetër kishte vdekur. Na mori axha dhe jetuam nja katër muaj derisa, si të thuash, e mblodhi veten motra e madhe, domethënë që duhet të hyjmë në shtëpi dhe hymë në shtëpi. Ato kanë punuar punë dore sepse nuk kanë qenë në punë shteti. Kurse vëllai ishte 12 vjeç, u bë 14 vjeç.

Atëherë, pasi mbaroi 7-vjeçaren vëllai, e çuan arsimtar në Dukagjin. Në atë kohë, ishte një periudhë që dhe me 7-vjeçare i çonin në arsim, që ta merrnin shkollën me korrespondencë. Mirëpo, prej Dukagjinit e sollën në Postribë, në një fshat.

Aty, bukuri, krijoi shoqëri të mirë. Ishte një sekretar partie, një farë Hajri Hoxha, çon edhe e thërret vëllanë. Thotë: “Ti do të lësh arsimin, do të kapësh kamzën”.

Kurse unë isha në shkollë. Mbarova 7-vjeçaren. Me ndihmën e motrave dhe të vëllait, vazhdova shkollën e mesme pedagogjike. Nuk na kanë cenuar për këtë se pedagogjikja ka qenë një shkollë, ku kanë qenë të gjithë fëmijët e të persekutuarve se këta fëmijë, kur mbaronin shkollën pedagogjike, merrnin rrugët e mbarë Shqipërisë se kishte nevojë për arsimtarë.

Domethënë unë bëra 4 vjet shkollë me ndihmën e motrave dhe të vëllait sepse po të mos më kishin ndihmuar, do futesha në punë. Edhe kështu që historiku i shtëpisë sonë, mbeti, me thënë të drejtën, gjithmonë, familja e Kazazëve edhe me respekt, edhe me perspektivë të mirë, por edhe me dhimbje shumë. Edhe me dhimbje shumë, se humbën shumë djem.

Te familja e Sait Kazazit, humbën tre vëllezër. Të tre vëllezërit u pushkatuan, kurse te axhallërët e mi, një djalë axhe, 23 vjeç, e pushkatuan në burg. Ndërsa këta djemtë e axhës e bënë dënimin: njëri dhjetë vjet e tjetri pesë; tjetri mori rrugët e mërgimit, u arratis. Vetëm vëllai ynë shpëtoi nga kjo situatë sepse ishte në moshë më të vogël. Po të kishte qenë në moshën 16 vjeç edhe atë do ta kishte kapur dhe kështu që kjo historia, është histori e dhimbshme./Intervistoi Arta Çano, Kujto.al

*Intervista është dhënë për kujto.al në dhjetor 2019, në Shkodër.

ObserverKult

————–

Lexo edhe:

E TMERRSHME: DHURATA SOKOLIN E LANË NË SHI DERISA NDËRROI JETË…