Së shpejti fillon rikonstruimi i Mullirit të Epërm të fshatit Shkozë të Malishevës

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hartuar projektin për rikonstruimin e Mullirit të Epërm të fshatit Shkozë të Malishevës. Zbatimi i këtij projekti do fillojë së shpejti dhe konsiderohet se do të jetë tepër i dobishën në aspektin kulturor, ekonomik, turistik, arsimor, historik dhe tradicional të kësaj treve.

Mulliri i Mehmet Alisë, apo i njohur ndryshe edhe si Mulliri i Sipërm i Shkozës, është i ndërtuar në Luginën e Pagarushës, në afërsi të vend-bashkimit të përroit të Janqistit dhe atij të fshatit Marali, në trekëndëshin mes fshatrave Marali-Goriq-Janqist, në tokat e fshatit Shkozë.

Sipas banorëve të fshatit Shkozë, mulliri u ndërtua nga i pari i fshatit Shkozë, Mehmet Alia me djemtë dhe nipat e tij, diku në fund të shekullit XVII. Tek banorët e fshatit Shkozë ende ruhet një gojëdhënë rreth ndërtimit të këtij mulliri. Territori i fshatit Shkozë përreth e ka vetëm një përrua, që furnizohet nga Krekëza dhe Vrella dhe që e pakëson shumë ujin gjatë verës. Bluarja e drithit kishte qenë një problem shumë i madh, për familjen e madhe të Mehmet Alisë. Thuhet se ai me djemtë e nipa, zbresin në luginën mes fshatit Janqist, Marali dhe Goriq, ku bashkohen përrenjtë e fshatit Marali dhe Janqist dhe e ndërtuan një mulli të bukur. Për ta rritur rendimentin e bluarjes u hapën kanale të cilat sillnin ujërat e dy përrenjve nga pjesa e sipërme e mullirit dhe guri i mullirit sillej kur bashkoheshin ujërat e dy përrenjve që lëshoheshin me rrëmbim nga sipër mullirit.

Sipas të dhënave nga fshatarët mulliri bluante një shekë farë për një orë dhe u përdor nga banorët e Shkozës për bluarje deri në fillim të viteve tetëdhjeta, kur edhe u la pas dore. Mulliri megjithëse i shkatërruar gati tërësisht edhe sot e kësaj dite i ka themelet edhe mund të dallohet përskaj rrugës Marali-Goriq.

Ky projekt do të mbikëqyret nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të zbatimit të programit masat preventive intervenimet emergjente të financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./koha