Së shpejti në duar të lexuesve libri “Flasim përhanshëm” i Xhemazije Rizvanit

Intervistat e Xhemazije Rizvanit që i lexoni çdo të diel në ObserverKult, me personalitete kulturore, të titulluara “Flasim përhanshëm …”  vijnë të shtruara bashkë me pjesë nga krijimtaria letrare e secilit krijues, në një gosti ku flitet për gjithçka .


Brenda kopertinave të librit, botuar nga SH.B. “Syth”,  do të gjeni bashkëbisedimet e këndshme, interesante dhe provokuese të Xhemazijes me: Agim Vincën, Bardhyl London, Balil Gjinin, Ilirian Zhupën, Ridvan Dibrën, Edison Ypin, Xhevdet Bajran,  Lulzim Hazirin, Rita Petron, Agron Tufën, Parid Teferiçin, Lindita Kadriun, Salajdin Salihun, Lindita Ahmetin, Rudina Çupin, Shqiponja Axhamin, Donika Dabishevcin, Loer Kumen, Vjollcë Berishën, Arlind Farizin, Adil Ollurin, Elona Çuliqin dhe Manjola Brahajn.

Nga parathënia e librit

“Autorja e këtyre intervistave kur qe filloriste, diku nga klasa e 5-6-të, filloi të shkruante poezi dashurie të papjekura mirë dhe me rimë natyrisht.

Xhemazije Rizvani

Nuk e kishte haberin si shtypej një libër, ku duhej të shkonte. Pastaj, për nga natyra, edhe sot e kësaj dite gjithnjë i bie më shkurt kur mundet. Kështu, mori një palë gërshërë dhe e dizajnoi vetë një libër me thepa nga të gjitha anët dhe brenda i përdori të gjitha ngjyrat e mundshme për t’i kornizuar poezitë. Në fillim fare, shkroi emrin dhe mbiemrin, e ngaqë titulli si duket ishte më i vështiri nga të gjitha punët e një libri, e la pa të. I vendosi pesë yje, sepse pesa dukej absolutja e të gjithave prej asaj moshe. Kushdo që e shihte atë fletorkë mahnitej, e luste ta merrte me vete, të flinte të paktën një natë me të. Kishte lexues gjithandej, bile dhe nga ata që ia kishin nxjerrë bojën dashurisë. Një herë në shitore e takoi një vajzë që i tha: “I kam lexuar poezitë e tua, janë shumë të bukura”. O Zot, çfarë emocioni, poezia po i sillte famë, qenka gjë shumë e bukur, mendoi. Dorë më dorë dhe një ditë dikush që e deshi më fort atë “libër koketë”, nuk e ktheu më kurrë.

Gjithnjë gjërat e bukura i fiton ndershmërish kush i do më shumë, prandaj nuk u vu pas tij ta kërkonte, e kishte mësuar tashmë mjeshtërinë. Nuk shkoi shumë kohë, e krijoi një tjetër “libër”, sigurisht jo me ngenë e të parit, me vargje krejt të reja që i shkroi si një bejtexhi, gati për një javë, që sa më parë të mbushej e të merrte formën e një diçkaje që do ta dëshironin të gjithë. Njëjtë me ngjyra, i prerë me thepa dhe i vockël si libërth xhepi, që të mbushte një faqe – një poezi. Bukuri deri këtu. Guxoi ta tradhëtonte pak rimën kësaj radhe.

Mirëpo, krejt kjo histori ka një fund. “Ky libër” nuk do të kishte as edhe një lexues, sepse ra në duart e një babai që nuk ishte i gatshëm ta pranonte se vajza e tij ishte rritur dhe shkruante për dashuri. Nuk e kuptoi kurrë ç’i bëri asaj fletoreje, po pas kësaj e kuptoi se poezitë e dashurisë e kanë tagrin e madh, të marrin në qafë. Kështu vendosi veç të dashuronte, pa shkruar kurrë për të./ ObserverKult