Seit Boshnjaku, aktori i njohur që po i mungon skenës

Aktori i njohur, Seit Boshnjaku, u lind më 1 gusht të vitit 1914 në Shkodër dhe u largua nga jeta në vitin 1985. Ishte aktor i njohur shqiptar. Në vitet ’30-ta ka një aktivitet të dendur teatror në Shkodër dhe në Tiranë me shoqëritë kulturore “Vllaznia”, “Shkëndia” etj.

Fillimisht futet në Teatrin e Ushtrisë dhe më pas, në 1949, në Teatrin Popullor. Për të, roli i parë qendror, pas dy roleve të vegjël në komedinë “Prefekti” dhe “Komploti i të dënuarve” që interpreton Seiti është roli i Pashait në dramën “Halili dhe Hajria”. Ky rol pati shumë sukses, edhe pse e pati interpretuar më parë Andon Pano.

Babai i Seitit ishte një burrë i urtë. Punonte si karrocier ditë e natë për të siguruar bukën e gojës. Por ai kishte dëshirë që djali i tij të mësonte, të bëhej me shkollë. Me shumë vështirësi Seiti mundi të mbarojë gjashtë klasë shkollë, por detyrohet t’a ndërpresë pasi babai i tij ndërron jetë.

Ndonëse kishte filluar punën si çirak në një këpuctari në pazarin e vjetër, Seit Boshnjaku ndoqi andrrën e tij për tu bërë aktor.

Në këtë mënyrë Seiti futet si çirak në një këpuctari në pazarin e vjetër. Por ai kishte shumë dëshirë për të mësuar, madje i kishte hyrë në gjak aktrimi. Krahas punës së përditshme, ai së bashku me shokë të tjerë moshatarë, angazhohet në një trupë teatrale.

Ata formuan dhe shoqërinë teatrale “Atmja e lirë” me afro 20 vetë, e cila mbahej nga vetë kontributi i tyre.

Aktiviteti i tyre artistik filloi duke interpretuar skeçe, humore dhe pjesë të vogla teatrale. Në fillimet e aktivitetit të tyre mund të përmenden dramat “Filja” e Hilë Mosit, ku rolin kryesor të kësaj drame e luajti Tefik Duka. Në këtë dramë Seiti luan një rol jo të vogël atë të Cubit, i cili pati sukses. Ky rol, mbahet dhe si roli i parë i Seitit me amatorët.

Pas kësaj drame filluan vënien në skenë dhe të disa dramave të tjera si “Testamenti misterioz”, ku Seiti luan rolin e Sherlit. Kjo pjesë ishte përkthyer nga Muhesin Serezi.
Një ndër pjesët më të bukura të asaj kohe të vënë në skenë ishte “Lufta Silistres”. Këtu Seiti tashmë me përvojë luajti një ndër rolet më të mirë, atë të Kajmekanit.

Duhet përmendur se në këtë periudhë, trupa amatore teatrore kishin lindur në disa qytete të Shqipërisë. Ky ishte një ogur i mirë për dramaturgët dhe aktorët e rinj shqiptarë.

Në vitin 1935 në Shkodër kishte disa trupa teatrore si “Atmja e lirë”, “Agimi”, “Taraboshi”, “Malet tona”, etj. Në sajë të gjuhës së përbashkët, për një cilësi më të mirë interpretimi, të gjitha shoqëritë teatrale u shkrinë në një, duke formuar shoqërinë e përbashkët me emrin e bukur “Vllaznia”.

Fill pas këtij bashkimi, ku Seiti kishte rolin e vet, cilësia artistike e shoqërisë u rrit shumë.

Kjo u duk nga vetë pjesët e vështira të vëna në skenë, ku dominonte ndihma dhe konkretizimi i Sokrat Mios. Në këtë kohë u vunë në skenë “Konti i Shën Germenit”, drama, “Lufta e Ali Pashës”. I pari nën drejtimin e Sokrat Mios dhe i dyti me regji të Andrea Skanjetit. Në këto dy pjesë Seiti ishte pjesëmarrës i padiskutueshëm, ku dhe pse me dy role të vegjël, doli në pah siguria, profesionalizmi dhe vëmendja skenike e Seitit.

Ajo që duhet evidentuar është se, Shoqëria “Vllaznia” me formimin e grupit teatral të shëndoshë, me pjesët që vuri në skenë, filloi të marrë një popullaritet të madh dhe emri i saj i mirë doli edhe jashtë Shkodrës. Aktorët e saj tashmë i kishin kaluar pengesat e para dhe nivelin e të quajturit amator.

Rolet e luajtura me Shoqërinë “Vllaznia” e bënë Seitin një aktor ndër më të dëgjuarit amator.

Por ai punonte dhe vetë individualisht për të bërë përparime në rrugën e aktrimit. Ai tashmë dëshiron të largohet nga Shkodra me synimin drejt Tiranës, i cili ishte qytet më i madh dhe mundësitë e punësimit ishin më të mëdha.

Ishte viti 1936 kur ai me peng në zemër vjen drejt Tiranës duke lënë mbrapa Shkodrën, për të cilën mallin se hoqi kurrë. Me të ardhur në Tiranë ai angazhohet pranë shoqërisë “Shkëndija”, ku ndihmoi në vënien në skenë me sukses të plotë të pjesës teatrale “të burg osurit”.

ObserverKult

Lexo edhe:

KY ËSHTË PERSONI QË PËR NJË KRITIKË NDAJ ENVERIT I KALOI 32 VJET BURG…